Pavarësisht se buxheti i shtetit u rishikua dy herë gjatë vitit që kaloi, sërish të ardhurat nuk arritën të realizohen në masën 100 për qind, duke bërë që të mbyllet me 26.3 miliardë lekë minus apo 214 milionë euro në raport me planin. Sipas treguesve të pasqyruara në “Buxhetin faktik 2019” të dërguar për diskutim në komisionet kuvendore, të ardhurat totale të buxhetit të konsoliduar gjatë vitit që lam pas arritën në 460.3 miliardë lekë, me një mosrealizim në masën 5.4 për qind.
Megjithatë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018 ky zë ka rezultuar 2.3 për qind ose 10.4 miliardë lekë më shumë. Sipas dokumentit, rritja e kontributit të të ardhurave të buxhetit të shtetit për vitin 2019, krahasuar me vitin paraardhës është tregues i rëndësishëm i përmirësimit të përformancës së mbledhjes së të ardhurave në kuadër të reformës së konsolidimit të financave publike. Kjo rritje vjen kryesisht nga impakti i rritjes ekonomike dhe nga përmirësimi në administrimin e taksave.
Megjithatë në përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, gjatë vitit që lam pas të ardhurat kanë pësuar një rënie me 0,2 për qind në krahasim me 2018-ën, duke u regjistruar në nivelin e 27,4 për qind. Në anën tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike, për vitin 2019, arritën në rreth 491.9 miliardë lekë me një realizim në masën 94.7 përqind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe dy akteve të tjera normative, duke bërë që 27.7 miliardë lekë apo 224.7 milionë euro të mbeten “stok” Ndërkohë që, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, ky zë ka rezultuar 3.3 përqind më i lartë ose 15.7 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet e përgjithshme për vitin 2019 përbëjnë rreth 28.6 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto.