MENU
klinika

''Nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës"

Pse Asociacioni është problematik për Kosovën?

07.09.2020 - 13:35

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka paralajmëruar se të hënën në dialog do të hapen dy çështje që ai i ka quajtur “të ndjeshme” por “shumë të rëndësishme, më saktësisht çështjet e kërkesave pronësore e financiare si dhe aranzhimet për komunitetet joshumicë në Kosovë”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se në dialog, Prishtina zyrtare shkon për marrëveshje finale, e cila duhet të përmbajë njohje reciproke.

Kurse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq paralajmëroi se në takimin e së hënës do të ngrehë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në Kosovë shpeshherë është thënë se marrëveshja lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk mund të zbatohet ashtu siç është arritur më herët, për shkak se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kur u arrit marrëveshja për Asociacionin?

Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, patën arritur Marrëveshjen e parë të Brukselit, ku në bazë të kësaj marrëveshjeje parashihej edhe krijimi i një Asociacioni/Bashkësie të komunave me shumicë serbe.

Sipas marrëveshjes, Asociacioni do të krijohet me statut dhe do të themelohet mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të komunave të Kosovës, si për shembull do të ketë kryetar, zëvendëskryetar, Asambleje dhe Këshill.

Asociacioni do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

Më 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, palët arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni, marrëveshje e cila ende nuk është jetësuar, përkundër insistimit të Beogradit zyrtar.

Sipas Marrëveshjes për Asociacionin dhe në përputhje me Marrëveshjen e parë të Brukselit, objektivat kryesore e Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni e komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013), të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës (v.j. Atifete Jahjaga), kurse Marrëveshja mbi parimet (për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015), nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon partimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumica. Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë.

Serbia në të kaluarën “ka kërcënuar” se nuk do të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit, nëse Kosova nuk nis punën në themelimin e Asociacionit. Por, Prishtina zyrtare thotë se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të krijojë një pushtet të tretë. Kjo bashkësi, sipas Kosovës, do të krijohet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Statuti i Asociacionit

Qeveritë e kaluara të Kosovës, kanë diskutuar në Bruksel, në kuadër të dialogut teknik, edhe për statutin e këtij Asociacioni.

Më 2018, kur Qeverinë e Kosovës e udhëhiqte Ramush Haradinaj, u bën përpjekje për hartimin e një statuti për Asociacionin. Për këtë gjë u angazhua një ekip menaxhues i përbërë prej katër zyrtarëve serbë, të cilët kishin për detyrë të krijonin një draft-statut për Asociacionin. Por, Prishtina zyrtare tha se nuk ka pranuar një draft të tillë dhe se nuk e di nëse ky dokument i është dorëzuar BE-së.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisi më 2011, fillimisht në nivel teknik dhe më pas në atë politik. Prej fundit të vitit 2018, deri më 16 korrik të 2020-ës, dialogu politik u ndërpre për shkak të një takse të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe.

Por, qeveria e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti i hoqi masat tregtare ndaj Serbisë, për siç tha, t’i jepet shans rinisjes së dialogut. (REL)

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat