MENU
klinika

Të marrë Gjermaninë si shembull?

Shërimi i domosdoshëm i SHBA

07.09.2020 - 08:11

Gënjeshtrat e Trumpit gjatë krizës së Coronës janë tepër të mëdha. Por problemet themelore të SHBA ekzistojnë prej më shumë se 40 vitesh, mendon Melinda Crane.

“Pikat e dobëta strukturore” – kjo tingëllon si një frazë e thatë, ndaj kërkohet t’i jepet një pamje e qartë. Këto janë familjet në makinat e tyre në radhët e gjata me kilometra, që presin të marrin ndihma. Kjo është një nënë e papunë që duhet të ushqejë tre fëmijë. Janë personat që bartin kufomat e të vdekurve, pa veshje mbrojtëse, sepse nuk ka për të gjithë.

Fytyrat e këtyre personave shihen qartë në veçanti tani në kohën e krizës së Coronës. Por situata e tyre nuk është e re. Autorë të panumërt kanë kërkuar zgjidhjen e problemit të pabarazisë, sepse motoja e kapitalizmit “The winner takes it all” – rezulton me moton se politika drejtohet nga paraja. Shumë politikanë, ndër të cilët edhe kandidatët demokratë për president, kanë dhënë propozimet për zgjidhje. Unë këtu do të përqendrohem vetëm tek një temë konkrete – zvogëlimi i dallimeve sociale.

Gjermania si shembull?

Ajo që duhet të bëhet në SHBA nuk është ndonjë sekret – që nuk bëhet në vendet tjera. Si gazetare e re në vitin 1993 kam hulumtuar me muaj të tërë modelin e tregut social në Gjermani, për një televizion amerikan, të autorit të shpërblyer me çmimin Pulicer, Hedrick Smith. Nuk do të harroj kurrë se si ekipi amerikan e theksoi një deklaratë të Berthold Leibinger, i cili shpjegoi pse një model social për amerikanët duket socialist, e ai është kaq i arsyeshëm në ekonomi. Shoqëria dhe sipërmarrjet do të forcoheshin me një sigurim të detyruar shëndetësor dhe me sistemet ku punëmarrësit japin pëlqime mbi vendimet, ku punëmarrëvse u garantohet puna me orar të shkurtuar, për të tejkaluar krizën si dhe për vendosjen e një sistemi dual, si kombimin i shkollimit dhe praktikës në sipërmarrje.

Filmi dokumentar mbante titullin: Sfidat e Amerikës. Në këtë dokumentar u tha se SHBA mund të mësojë nga angazhimi gjerman për stabilitetin social. Në kohën e emetimit të dokumenarit gjendja në Gjermani ishte e rëndë, sepse kishte filluar koha e recesionit pas rinbashkimit të vendit. Por në kohën e krizës financiare në vitin 2008 u pa se aplikimi i  punës me orar të shkurtuar si mjet për tejkalimin e krizës sociale meriton vëmendjen e opinionit.

Dallimi mes kapitalizmit gjerman dhe atij amerikan nuk ka lidhje me dallimet kulturore, por me vendimet politike. Në SHBA janë instrumentalizuar për qëllime të caktuara të agjendës neoliberale kërkesat për ekonomi sociale të tregut.

Përballja me sfidat

Po si mund të ringjallet ndjenja e stabilitetit social në SHBA? Përgjigja varet nga impulset për tejkalimin e shoqërisë së polarizuar amerikane. Ju kujtohet politika “Yes we can”? Kriza ekonomike e vitit 2008 çoi tek zgjedha e Barack Obama për president, pasi ai premtonte reforma. Por shumica e reformave tani janë rikthyer në pikën zero apo janë anuluar pjesërish.

Kriza e Coronës ka nxjerrë në pah jo vetëm dallimet e sistemit ekonomik gjerman dhe amerikan, por edhe dallimet në politikë. Shumica e gjermanëve e ka mbështetur politikën e qeverisë, ndërsa pandemia në SHBA ka shkaktuar përçarje edhe më të mëdha pothuajse në çdo aspekt. Dallimet janë kaq të mëdha sa që thuhet se ndihmat e qeverisë federale amerikane po shkojnë atje ku nuk duhet.

E gjitha kjo ka dobësuar edhe ndjenjën ndaj demokracisë, sepse kur shteti tërhiqet gjithnjë e më shumë dhe njerëzit humbasin ndjenjën e vlerës për jetën e tyre, atëherë humbet edhe vlerësimi ndaj demokracisë. Ka ardhur koha për riaktualizimin e deklaratës së Ronald Reaganit: Qeveria nuk është problemi, ajo duhet të jetë pjesë e zgjidhjes së problemit.

SHBA e di qartë se çfarë duhet të bëhet. Por a do t’i lejohet kjo?

dw