Funksionimi i gjykatës Kushtetuese duket se është elementi kyç që kushtëzon pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e Parë Ndërqeveritare, në procesin integrues.
Edhe në vizitën e tij në Tiranë, komisioneri Europian për zgjerimin Varhelyi nuk dha një datë për mbajtjen e kësaj conference.
Por gjatë një interviste në televizionin A2, Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj u shpreh se Gjykata Kushtetuese mbetet në thelb të çështjes, ndërsa pohoi se natyrshëm procesi ynë dhe i Maqedonisë së Veriut në këtë fazë do të ndahen.
“Thelbi i çështjes për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mbetet sigurimi i funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese. Sa i përket një ndarjeje të mundshme nga Maqedonia e Veriut, kjo është një çështje që unë nuk mund ta them tani, për të qenë fare korrekt me të gjithë publikun, por dua të theksoi se suksesi i madh i diplomacisë shqiptare është se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të trajtuara në mënyrë krejtësisht të njëjtë për hapjen e negociatave.
Kjo nuk ka qenë e rastësishme, pasi ne kemi lobuar fort. Tashmë jemi në një situatë tjetër dhe proceset do të ndahen natyrshëm. Tashmë dy vendet i kanë hapur negociatat. Se cili vend do të përparojë më shumë në agjendën europiane, kjo varet nga performanca e tyre. Edhe Maqedonia e Veriut ka kushtet e tyre, të cilat janë të pasqyruara fare qartë në konkulzionet e Këshillit. Plotësimi i kushteve për konferencën e parë ndërqeveritare varet nga Performanca e vendeve në veçanti”, u shpreh Cakaj.