Dezinformimi i papërgjegjshëm nga ana e grupeve anti-vaksinë shpërfill ata që kanë më shumë për të humbur duke mos u vaksinuar: më të varfrit dhe më të prekshmit, të cilët rrezikojnë të vdesin ose të bien në varfëri edhe më të thellë nëse ata vetë ose të dashurit e tyre sëmuren. Për shumicën e popullsisë së botës, vaksinimi do të thotë inokulim kundër varfërisë.
Nga Anuradha Gupta
Një sondazh i fundit zbuloi se një në tre amerikanë nuk do të ishte i gatshëm të bënte një vaksinë kundër COVID-19, ndërsa grupet anti-vaksinë raportohet se kanë fituar të paktën 7.8 milionë ndjekës të rinj në rrjetet sociale që nga viti 2019. Ashtu si vetë pandemia, keqinformimi i grupeve anti-vaksinë dhe thashethemet nuk njohin kufij. Tragjedia më e madhe është se hezitimi ndaj vaksinës kërcënon të dëmtojë më shumë njerëzit e varfër.
Të varfrit tashmë janë goditur më rëndë nga pandemia, duke humbur jetë, mjete jetese dhe akses në ushqim dhe kujdes shëndetësor. Gjithnjë e më shumë gra dhe fëmijë nga popullatat e margjinalizuara po mbesin jashtë shërbimeve publike – siç pasqyrohet në rritjen e incidencës së dhunës me bazë gjinore, rritjen e shtatzënive tek adoleshentët dhe rënien e numrit të lindjeve të asistuara. Një milionë fëmijë të tjerë mund të vdesin në gjashtë muajt e ardhshëm për shkak të efekteve goditëse të pandemisë, me pjesën më të madhe të këtyre vdekjeve që ndodhin midis të varfërve.
Vaksinat mbrojnë deri në tre milionë jetë çdo vit. Kjo sepse ato shpesh janë shërbimi i parë dhe i vetëm shëndetësor që arrin në familjet e varfra. Njerëzit që jetojnë në kushte skandaloze, pa kushte higjienike bazë, ujë të pijshëm, higjienë, detergjente pastrues dhe ushqim adekuat janë më të rrezikuarit për t’u infektuar dhe ndërruar jetë nga sëmundje që mund të parandalohen nëpërmjet vaksinimit. Dhe kur sëmuren, atyre shpesh u mungojnë mjetet financiare për të marrë kujdes shëndetësor. Mbrojtja në kohë me vaksinat, të cilat mbajnë larg sëmundjet në komunitetet e varfra dhe reduktojnë vdekjet e parandalueshme të fëmijëve, është pra mundësia e tyre më e mirë për të mbijetuar.
Duke përhapur dezinformata, grupet anti-vaksinë po shtojnë rrezikun e vdekjeve te fëmijët e varfër. Një shpërthim informacionesh të rreme në lidhje me vaksinat në Filipine është arsyeja kryesore pse shkalla e imunizimit të fëmijëve në vend ka rënë nga 87% që ishte në vitin 2014 në 68% sot. Kjo solli një shtim të rasteve me poliomielit dhe fruth vitin e kaluar, me të varfrit që bartin barrën e kësaj.
Në mënyrë të ngjashme, në Kamerun, zërat e rremë se vaksina HPV shkakton sterilitet po i trembin prindërit dhe po bëjnë që ata ta refuzojnë këtë vaksinë për vajzat e tyre. Kjo ka vënë në rrezik miliona vajza nga një virus që shkakton deri në 90% të të gjitha rasteve të kancerit të qafës së mitrës, i cili vret 311,000 gra çdo vit, kryesisht në vendet me të ardhura të ulëta. Vajzat nga komunitetet e varfra kanë më shumë nevojë për këtë vaksinë, sepse ato shpesh nuk kanë qasje në kryerjen e kontrolleve për kancerin e qafës së mitrës dhe familjet e tyre nuk kanë mundësi të paguajnë një trajtim të shtrenjtë. Vaksina HPV është mbrojtja e tyre më e mirë.
Shumica e grave që vdesin nga kanceri i qafës së mitrës janë në kulmin e rinisë së tyre dhe lënë pas foshnje dhe fëmijë të vegjël. Prandaj, vdekjet e tyre kanë kosto të thella sociale dhe ekonomike, veçanërisht në mjediset më të varfra. A i marrin në konsideratë këto gjëra grupet anti-vaksinë?
Kërcënimi që paraqet keqinformimi nuk kufizohet vetëm te vaksinat HPV. Teori po aq të rrezikshme të grupeve anti-vaksinë, që shpesh qarkullojnë nëpër rrjetet sociale, bëjnë miliona fëmijë të prekshëm ndaj sëmundjeve të tjera shumë të parandalueshme dhe kërcënojnë ta parandalojnë botën të përfitojë plotësisht nga vaksinat për COVID-19 kur ato të bëhen të disponueshme.
Pandemia e ka ndryshuar të gjithë botën, duke shkaktuar pasiguri dhe ankth të madh. Zhvillimi i vaksinave anti- COVID-19 – dhe qasja e shpejtë, e drejtë dhe e barabartë në to – është mënyra e vetme për t’i dhënë fund kësaj krize shpejt. Por kjo nuk do të përfundojë nëse dhe derisa të rrisim rezistencën e njerëzve ndaj informacioneve të rreme dhe të krijojmë besim te vaksinat. Arritja e kësaj do të kërkojë fushata me informacione pozitive dhe të bazuara në fakte nga burime të besueshme dhe bashkëpunim me platformat e rrjeteve sociale, në mënyrë që algoritmet e tyre të mos abuzohen për të përhapur thashetheme të dëmshme.
Përveç frenimit të dezinformimit të rrezikshëm, ne duhet t’i kujtojmë njerëzve se ata kanë të drejtë të mbrohen me vaksina. Historikisht, më të pasurit kanë pasur më shumë avantazh përsa i takon qasjes në vaksina, ndërsa të varfërve u është dashur të presin me dekada. Me krijimin e Gavi, Aleanca e Vaksinave në vitin 2000, kjo pabarazi e zezë filloi të tkurret. Sot, të pasurit dhe të varfrit kanë qasje pothuajse të barabartë në vaksina që shpëtojnë jetë.
Në vendin tim të lindjes, Indi, grupet anti-vaksinë penguan futjen e vaksinave që shpëtojnë jetë në programin kombëtar të imunizimit për disa vjet. Si rezultat, vaksinat për Hepatitin B, Haemophilus influenzae të tipit B, rotavirusin dhe pneumoninë ishin të disponueshme vetëm në tregjet private me çmime të tepruara që vetëm të pasurit mund t’i përballonin. Familjet e varfra, fëmijët e të cilëve vdisnin në shifra të larta nga këto sëmundje, nuk kishin para për të blerë vaksinat mbrojtëse.
Grupet anti-vaksinë paraqitën një kërkesë ligjore në gjykatë që t’i ndalonin këto vaksina. Në emër të qeverisë, unë argumentova se “nënshkruesit e kërkesës nuk janë kundër vaksinave, por kundër vaksinave falas për të varfrit”. Gjykata u pajtua me mua. Kjo hapi rrugën për futjen e vaksinave të reja në përdorim dhe shpëtoi jetë, sidomos te më të rrezikuarit.
Ky episod ngre pyetjen se kush ka më pak për të humbur nga këto thashetheme anti-vaksinë. Shpesh, ato e kanë origjinën nga njerëz që janë mjaft të privilegjuar për të mos u kujdesur për parandalimin në kohë. Ata mund të jetojnë në zona ku sëmundjet e parandalueshme janë eliminuar kryesisht dhe mbrohen ndoshta nga imuniteti i tufës përmes vaksinimit të atyre që janë përreth tyre. Dhe nëse sëmuren, ata mund të paguajnë trajtim mjekësor cilësor.
Dezinformimi i papërgjegjshëm i grupeve anti-vaksinë shpërfill ata që kanë më shumë për të humbur nëse nuk vaksinohen: më të varfrit dhe më të prekshmit, të cilët rrezikojnë të vdesin ose të varfërohen edhe më shumë, nëse ata ose njerëzit e tyre të dashur sëmuren. Për shumicën e popullsisë së botës, vaksinimi do të thotë inokulim kundër varfërisë.