MENU
klinika

Agron Gjekmarkaj

ANALIZA/ Topalli në të drejtën e saj dhe në anën e gabuar të historisë, PD gabon që e sulmon

29.10.2020 - 15:25

AGRON GJEKMARKAJ

Dje Jozefina Topalli shpalli krijimin e një formacioni politik “Lëvizja për Ndryshim”! Në një vend demokratik, kushdo e kur t’i teket e ka këtë të drejtë. Faktin që ajo deri tani nuk ishte prekur nga sindroma e bërjes së një partie shihej me simpati nga të djathtët e jo vetëm. Banaliteti i krijimit të partizave, pesë të tilla në pak ditë, e bën gjithçka qesharake e të dhimbshme njëkohësisht për shijen që lë. Historia ka dëshmuar që suksesi s’ka mbërritur kurrë tek ato me përjashtim të LSI-së. Mbeten fenomene të përsëritura e të dështuara. Më naivi prej nesh ka të drejtë të mendojë për një regji këso kohe.

Topalli ngjante e vetëmjaftueshme me statusin e individit të veçante karizmatik. Edhe pse herë pas here në momente kritike i kthehej me grushte stomakut liderit të Opozitës, Lulzim Bashës, kur përballja me pushtetin ishte më e egra duke i dhënë atij (pushtetit) bonuse, ata besonin ënde në një rikuperim të saj.

Partia që e shndërroi në ikonë, e cila i dha mjaft pushtet e dukje, por që edhe e përjashtoi për asgjë parimore nga lista e vitit 2017, duket se e humbi atë, një humbje kjo e ndërsjellë, që e ndryshon në mënyrë radikale perceptimin. Ish-nënkryetarja e PD-së për 16 vjet dhe ish-Kryetarja e Parlamentit për 8 vjet nuk e ka njohur asnjëherë lidershipin e Bashës, e sigurisht as ajo për arsye parimore por tejet personale, që lidheshin me të ardhmen e Partisë Demokratike dhe karrierën personale. Por pas humbjes së vitit 2017 ajo ngurroi të kandidonte përballë Bashës, shenjë dobësie kjo. Kjo përballje do t’i jepte konkretësi peshës së saj.

Po ashtu, Basha pas përjashtimit të saj nga lista nuk ka qenë as bindës, as këmbëngulës për një afrim të ri me zonjën nga Shkodra, por asnjëherë sulmues apo agresiv, çka dukej qartë se nuk mund të kishte bashkëpunim mes tyre. Kështu që në PD s’kanë pse habiten nëse Jozefina Topalli krijon një parti të re dhe e kanë gabim që e sulmojnë me stilin e vjetër, siç ka ndodhur me të gjitha grupet e larguara nga PD-ja që më vonë ktheheshin, bashkoheshin, bëheshin deputetë e ministra. Sulmi në rastin më të keq padit një shqetësim, heshtja qetësi.

Kryetari i Opozitës, që synon të vijë në pushtet, duhet t’i tentojë përsëri të gjithë jo me një thirrje të përgjithshme si ajo para pak ditëve! Duhet t’i tentojë në mënyrë nominale, edhe nëse e ka të pafundme bindjen që këto parti themelohen në zyrën e Kryeministrit Edi Rama si paterica të këtij të fundit për të shtuar diversionin dhe rrëmbyer ndonjë votë në depon e tij. Personalisht mendoj që këto parti janë aleatët e vetëm të Edi Ramës, po politika ka ligjësi të tjera në shahun e saj. Ani, le të refuzojnë ata, madje edhe të shtojnë sharjet. Duhet ta bëjë këtë edhe pse ata s’kanë njerëz e vota në terren, pasi ata të shpallin programin e qëllimet. Gjithësa për t’ia lehtësuar përfundimisht mbështetësve të tij, shoqërisë dhe opinionit se cili është pozicioni i vërtetë i këtyre partive në raport me qeverinë ndonëse dyshime nuk ka shumë. Pas kësaj, diskursi i tyre mbetet pa kallëzues. Sot çdo individ apo parti që i thotë vetes opozita apo opozitare përligjet nga beteja me Edi Ramën. Kryetarët e partive të reja të djathta i merr në mbrojtje Elisa Spiropali, Alfred Peza, Taulant Balla dhe gazetarë të nderuar pranë së majtës, si dhe të gjitha mediat proqeveritare. Ky është një tregues. Sponsori më i madh i banalitetit politik sot është Edi Rama.

Jozefina Topalli nuk është e ndershme politikisht kur vë shenjën e barazimit mes Edi Ramës, që qeveris tash 8 vite në mënyrën më të keqe të mundshme duke dhënë shenja të qarta regjimi, dhe Lulzim Bashës, që udhëheq opozitën prej 8 vitesh dhe me aq sa mundet përpiqet ta ndalojë. Shenja e barazimit është ndihma më e madhe për Ramen.

Jozefina Topalli nuk është përfolur për korrupsion kur ishte në pushtet, ndër të paktët politikanë që i ka shpëtuar këtij detraktimi dhe kjo është një vlerë, por nuk është shquar të ketë bërë beteja demokratike e emancipuese brenda asaj partie për të mbrojtur ata që ishin kundër vullnetit të liderit Sali Berisha, përkundrazi ishte zjarr e flakë ndaj çdo kundërshtari; nuk është shquar në përkrahje zërash kritikë apo rivalizues, ndaj ajo s’e ka të drejtën ta quajë Bashën si gjë e vjetër në politikë dhe veten si gjë e re, edhe për arsye vitesh e postesh, madje as Ramën e Metën.

Jozefina Topalli është në të drejtën e saj për ta sulmuar Bashën, Ramën, Metën, për të bërë aleancë më secilin prej tyre kundër kujtdo vetë. Por ajo mos të presë se do t’i shpëtojë gjykimit të gjithë asaj pjese që kërkon rrëzimin e Edi Ramës. Në këtë moment, kur vetëm 5 muaj para zgjedhjeve ajo themelon një Parti duke vënë shenjën e barazimit mes Kryeministrit dhe Kryetarit të Opozitës, i cili është simboli kryesor që ushqen shpresën e rrotacionit, krijon irritim elektoral. Ajo e ka lehtësuar shumë Bashën në raport me pengun se si ai do ta menaxhonte çështjen Topalli në PD. Jozefina e di që as ajo, as Patozi, as Murrizi, as Rudina Hajdari, e as Endri Shabani nuk e ushqejnë këtë shpresë, veç e veç e të gjithë bashkë. Secili prej tyre po luan për të ardhmen personale bazuar mbi inatet personale dhe për hakmarrje personale, ndjesi kjo që emocionalisht u bën atyre më të dashur Edi Ramën, që përbuzet prej një mase të madhe shqiptarësh, sesa Bashen.

Personalisht mendoj që zonja Topalli si portret politikaneje vlen më shumë se emrat e tjerë të cituar, madje edhe se shumë të tjerë përtej tyre, por mënyra se si po sillet dhe si po e luan betejën e vet në një moment kyç të historisë kombëtare e vendos atë në anën e gabuar të historisë.

Nëse Topalli e bënte këtë që në vitin 2017, pas përjashtimit të padrejtë dhe fyes, së bashku me të gjithë atë grup të larguarish do të zvogëlonte sot çdo paragjykim. E drejta e majit 2017 nuk mund të jetë një mburojë e përjetshme në rrugëtimin politik. E drejta dhe gabimi relativizohen shumë nga qëndrimi etik. Të gjitha partitë e reja po harxhojnë kohën e tyre duke sulmuar Bashën dhe PD-në, pra mundësinë themelore të ndryshimit dhe kjo është një ndihmë për Edi Ramën.

Një ndihmë, që më shumë sesa numerike, është emocionale, se këta pa e kuptuar po tërheqin mbi vete një pjesë të antipative që rëndojnë mbi Kryeministrin. Jozefina është në kohë edhe si shefe e “Lëvizjes për Ndryshim” për t’i shërbyer ndryshimit nëse e pushon luftën ndaj Opozitës reale, duke e harruar fjalimin që mbajti mbrëmë dhe bën një opozitë më agresive se ajo, me protesta, me denoncime skandalesh si inceneratorët, në denoncime me emra, në afera e tarafe të pushteti, apo ato shenja që flasin për manipulime elektorale dhe shpall aleancë strategjike para- e paszgjedhore me të djathtën, më shumë simbolikisht në emër të së kaluarës së saj sesa të votave që mund të marrë. Jozefina mund të jetë “ish” në raport me postet, por s’ka arsye të shndërrohet në ish–Jozefina ndaj simbolikës së saj. Atë e ka në dorë vetëm ajo. Keqardhja nuk është e pafund, as kujtesa.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!