“Bashkimi Evropian do të vazhdojë punën me Turqinë në mënyrë që ta ndihmojë në zgjidhjen e konflikteve dhe të ndalojë armiqësitë, të tilla si ato midis Armenisë dhe Azerbajxhanit”, tha shefi i politikës së jashtme të BE sot.
Duke iu përgjigjur kërkesave të përsëritura të një parlamentari të BE që BE “të veprojë” kundër Turqisë mbi përfshirjen e saj në konfliktin e Nago-Karabakut, Josep Borrell tha:
“Do iu kujtojmë palëve detyrimin për të mbrojtur civilët duke u bazuar në të drejtën humanitare dhe gjithashtu do vijojmë punën me Turqinë.”
Por më tej ai sqaroi, “Nëse me “vepro”, nënkuptoni veprime ushtarake, është thjesht e pakonceptueshme.”
Borrell tha se u shqetësua kur dëgjoi dje Ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu teksa shprehu mbështetjen e plotë për Azerbajxhanin gjatë një vizite në këtë vend dhe kur dëgjoi, Ceyhun Bayramov, Ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, të shprehet se Armenia duhet të tërheqë trupat e saj pushtuese përpara se të dy palët të fillojnë bisedimet.
Ai shtoi se BE do të bëjë gjithçka mundet brenda logjikës së diplomacisë, duke iu referuar OSBE-së dhe Grupit të Minskut. BE iu bëri thirrje gjithashtu Armenisë dhe Azerbajxhanit që të përfshihen në negociata për të zgjidhur konfliktin e Nago-Karabakut.
“Të dy palët duhet të angazhohen në negociata domethënëse”, tha Borrell gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Parlamentit Evropian.
Borrell tha se pozicioni i BE-së është i qartë për Nago-Karabakun, që nënkupton se “luftimet duhet të ndalen”, duke u kërkuar të dy palëve të fillojnë dialogun menjëherë.
“Lufta nuk është zgjidhje. Ne duhet t’i shtyjmë të dyja palët të fillojnë negociatat pa kushte,” tha ai.
Diplomati i lartë i BE tha se kohët e fundit ka biseduar me ministrat e jashtëm të Azerbajxhanit dhe Armenisë, si dhe me homologët e tij turq dhe rusë, duke theksuar rëndësinë e de-përshkallëzimit të konflikteve.
Borrell u shpreh kundër sulmeve në zonat me popullsi civile, duke thënë, “Ne kemi parë raporte jashtëzakonisht shqetësuese të një rritje të sulmeve në zonat e populluara, e cila po merr jetë civilësh.”
Ai u bëri thirrje të dy palëve të përmbushin detyrimet e tyre ndërkombëtare për të mbrojtur civilët.
Përplasjet e vazhdueshme filluan më 27 shtator, kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile të Azerbajxhanit dhe pozicionet ushtarake në rajon, duke shkaktuar jo pak viktima.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave Sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Nago-Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.
Rezoluta të shumta të Kombeve të Bashkuara, si dhe shumë organizata ndërkombëtare, kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese.
Madje mes dy vendeve në konflikt kërkohet një armëpushim i menjëhershëm dhe zgjidhja e konfliktit përmes dialogut dhe marrëveshjeve paqësore në interes të të dy palëve.
Përkthyer dhe përshtatur nga dailynews/ F.H, konica.al