MENU
klinika

Pasuritë e paluajtshme

BSH: Rritje rekord e çmimeve në Tiranë, por bien shitjet

02.10.2020 - 13:47

Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se, çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, në masën 4.9%, ndërsa për kryeqytetin, rritja fiksohet në 6.5%.

Krahasuar me vitin 2013, në Tiranë, çmimet janë 43.4% më të larta.

Ajo që bie tjetër në sy nga të dhënat është fakti se, në zonat jashtë qytetit, rritja është mbi 50% gjatë periudhës kohore në fjalë, ndërkohë që për bregdetin çmimet kanë pësuar një rënie prej 15%. Agjentët e pasurive të paluajtshme ndërkohë raportojnë një rënie të vëllimit të shitjeve gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, krahasuar me periudhën paraardhëse.

Rënia në vëllim shitjesh raportohet pranë nivelit të 9.3%. Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ndërkohë raportohet të jetë mesatarisht 10.3 muaj dhe shënoi një rritje të lehtë ndaj gjashtëmujorit të kaluar. Sipas agjentëve, rreth 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. “Ndryshe nga periudhat e tjera, këtë herë agjentët kanë pritje negative për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër, por janë optimistë për periudhën më afatgjatë (deri në dy vjet).

Agjentët nuk presin ndryshime të qenësishme të çmimeve të pronave të paluajtshme për banesat, ndërkohë që pritet rritje për godinat tregtare”-thotë Banka e Shqipërisë.

Edhe çmimet e qirave kanë pësuar rritje gjatë periudhës në fjalë. Këto ndryshime të ndjeshme të tregut të pasurive të paluajtshme vijnë menjëherë pas dy tërmeteve të forta që goditën vendin në fund të vitit të kaluar, por edhe në kulm të një pandemie globale që ka shkaktuar një kontraktim rekord të ekonomisë sonë.