MENU
klinika

ANALIZA

E kaluara në Lindjen e Mesme nuk ka vdekur kurrë

25.10.2020 - 19:42

Nga Mark Leonard

Imazhet ishin prekëse. Në fillim të tetorit, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas vizitoi Memorialin e Holokaustit në Berlin me homologët e tij izraelitë dhe të Emirateve. Sa më mirë mund ta kremtojmë normalizimin e fundit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe? Në fakt, vendosja e lidhjeve diplomatike nën “Marrëveshjet Abraham”, këtë verë nuk kishte shumë të bënte me nderimin e së kaluarës. Nëse ndonjë gjë, marrëveshja është një përpjekje për të shpëtuar nga historia krejtësisht.

Për pjesën më të madhe të jetës sime, konflikti izraelito-palestinez ishte çështja përcaktuese në Lindjen e Mesme. Nga perspektiva perëndimore, sigurimi i të drejtës së Izraelit për të ekzistuar ishte një mënyrë për të shlyer një borxh historik ndaj popullit hebre: Izraeli, si një atdhe për hebrenjtë globale, ishte sigurim kundër antisemitizmit në të ardhmen. Por në botën arabe, zhvendosja e palestinezëve në 1948-n dhe përvoja e vazhdueshme e pushtimit izraelit që nga viti 1967, ishte një thirrje e përhershme tubimesh për regjime të njëpasnjëshme, shumica e të cilave kapitalizuan vuajtjet e palestineze për të larguar vëmendjen nga dështimet e tyre në shtëpi.

Nënshkrimi i Marrëveshjeve Abraham

Me këto vija të vizatuara në rërë, mençuria konvencionale ishte se si izraelitët dhe palestinezët do të duhet të kompensohen për gabimet historike, në mënyrë që të garantojnë stabilitetin dhe paqen në Lindjen e Mesme. Konflikti izraelito-palestinez ishte çelësi për zhbllokimin e një procesi të normalizimit diplomatik në të gjithë rajonin. Kështu, duke rënë dakord për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin në mungesë të një marrëveshjeje për palestinezët, Emiratet e Bashkuara Arabe në thelb e kanë fshirë të gjithë këtë histori, nën qilim. Përqafimi nga ana e tyre, e Marrëveshjeve të Abrahamit, ku u bashkua shpejt edhe Bahreini, shënon një ndryshim rajonal të paradigmës.

Normalizimi i marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (i ndjekur shpejt nga Bahreini) tregon se Lindja e Mesme po kalon një ndryshim strategjik të paradigmës me palestinezët, të lënë në të ftohtë. Por kushdo që mendon se konflikti më i vjetër i rajonit është lënë të pushojë, duhet ta mendojë sërish-Mark Leonard

Në vitet e fundit, perceptimet e kërcënimeve të elitave arabe kanë ndryshuar. Nëse armiku i tyre kryesor në vitet 1960 dhe 1970 ishte Izraeli, sot është Irani, i ndjekur nga Turqia. Ndërsa Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga rajoni, shumë udhëheqës të Gjirit kanë arritur të besojnë se një bosht rajonal me Izraelin do të jetë thelbësor, për ruajtjen e interesave të tyre. Dhe në rrugën arabe – ku shumica e popullsisë ende nuk kishte lindur kur Yasser Arafat dhe Yitzhak Rabin ranë dakord për një rrugë drejt një zgjidhjeje me dy shtete – opinioni publik e ka ndjekur atë shembull. Për më tepër, në vitet e fundit, palestinezët janë viktimizuar nga valë të tjera shtypjeje dhe dhune, qoftë në Irak pas pushtimit të ShBA, në Libi nën Muammar el-Kadafi, apo në konfliktet në Jemen dhe Siri.

Yitzak Rabin, Bill Clinton dhe Jasser Arafat

Udhëheqja e Emirateve të Bashkuara Arabe është çuditërisht e sinqertë në lidhje me vendimin e saj për të bërë paqe me Izraelin. Ndërsa vazhdon të mbështesë idenë e një shteti palestinez, ajo nuk i beson më lidershipit palestinez, që të përdorë mbështetjen e Emirateve në mënyrë efektive. Në përgjigje, kritikët palestinezë argumentojnë se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hedhur kartën më të fuqishme që mund të luhet në emër të tyre. Por realiteti është se Emiratet e Bashkuara Arabe, si shumica e të tjerëve në rajon, kanë interesa më të gjera përtej krijimit të një atdheu palestinez. Forcimi i lidhjeve me ShBA-në dhe sigurimi i avionëve luftarakë të prodhuar nga ShBA është një përparësi më e lartë. Siç e tha Princi saudit Bandar bin Sultan bin Abdulaziz këtë muaj”, Çështja Palestineze është një çështje e drejtë, por avokatët e saj janë dështim dhe çështja Izraelite është e padrejtë, por avokatët e saj kanë provuar se janë të suksesshëm.”

Nga ana e tyre, izraelitët shpresojnë që Marrëveshjet e Abrahamit do të hapin rrugën për një valë të re normalizimi me fuqitë e tjera arabe, në mënyrë që rruga për sigurinë rajonale të mos kalojë më nëpër Jerusalem. Duke ndarë çështjen Palestineze nga marrëdhëniet me vendet e tjera në rajon, Izraeli ka arritur ta kthejë atë në një problem të brendshëm. Pozicioni i “bashkësisë ndërkombëtare” mbi këtë çështje tani do të jetë më i përhapur dhe për pasojë më i dobët. Me çdo marrëveshje të re për normalizimin që siguron Izraeli, ai do të fitojë një miratim gjithnjë e më të qartë nga bota Arabe.

Marrëveshjet me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin në këtë mënyrë arrijnë një triumf për politikën e kryeministrit izraelit Binyamin Netanyahu, të dekadës së kaluar. Por Netanyahu do të bënte mirë të mbante mend se një fitore në Lindjen e Mesme gjithmonë përmban farën e zbërthimit të saj. Nëse ai e bën të pamundur zgjidhjen me dy shtete, ai do të ketë hedhur bazat e një sfide për të ardhmen e Izraelit si një shtet demokratik me shumicë hebreje.

Mbi të gjitha, nëse palestinezët nuk mund të negociojnë më për shtetin e tyre, alternativa më e mirë do të jetë kërkimi i zgjidhjes së një shteti, duke bërë presion për të drejtat civile brenda Izraelit. Shkrimi është në mur. Sipas profilit demografik të Kombeve të Bashkuara të territoreve palestineze më 2019-n, ka pesë milion palestinezë të cilët potencialisht mund të bashkohen me 1.916.000 arabë që jetojnë në Izrael, duke tejkaluar kështu numrin e 6.772.000 hebrenjve izraelitë.

Jasser Arafat, Simon Peres, Yitzak Rabin. Marrëveshjet e Oslos, 1993

Duke marrë parasysh sa joefektive dhe i ndarë është lidershipi palestinez, një sfidë e organizuar duket e pamundur, në terma të afërt kohorë. Megjithatë shumë kohë para se palestinezët të bëhen të aftë të fitojnë një shumicë elektorale në Izrael, një udhëheqje më kompetente mund të fillojë të ngrejë pyetje serioze, në lidhje me shëndetin e vetë demokracisë izraelite. Argumente të tilla do të ringjallnin debate nëse Izraeli është një shtet i aparteidit, duke çuar potencialisht në një ripërtëritje të presionit ndërkombëtar. Dhe kjo, nga ana tjetër, mund të ketë implikime të gjera për mënyrën se si fuqitë e tjera lidhen me Izraelin, jo vetëm Bashkimin Europian, i cili përbën rreth një të tretën e tregtisë totale të vendit.

Për këto arsye, analistët kryesorë izraelitë të sigurisë kombëtare kanë argumentuar se nëse një zgjidhje e negociuar me dy shtete nuk është e mundur, Izraeli duhet të zhvillojë një zgjidhje të panegociuar, duke krijuar një shtet të vlefshëm palestinez në mënyrë të njëanshme. Por kjo qasje duket se kërkon një ri-konfigurim të plotë të okupimit në interes të maksimalizimit të banorëve, i cili mund të minojë fatalisht legjitimitetin e çdo shteti përfundimtar palestinez. Kjo është arsyeja pse udhëheqësit e tjerë izraelitë me një perspektivë më strategjike – përfshirë gjashtë ish-drejtorë të Mossad – kanë filluar të kërkojnë mënyra për të zhvilluar shtetin e vërtetë për palestinezët përmes një procesi të de-okupimit.

Nëse Netanyahu nuk arrin të zhvillojë një shtet të vlefshëm palestinez, arratisja e tij nga historia mund të rezultojë shumë jetëshkurtër. Siç vuri re William Faulkner, “E kaluara nuk ka vdekur kurrë. Madje as nuk ka kaluar”.