MENU
klinika

Pasi ministri grek e sulmoi nga Tirana...

Erdogan: Do thyejmë çdo dorë që zgjatet mbi ne!

22.10.2020 - 08:45

Presidenti i Turqisë Erdogan thotë se vendi i tij do të jetë makth i Greqisë për një kohë të gjatë. Deklarata e Erdogan vjen pas sulmeve që ministri gek Nikos Dendias i bëri nga Tirana, në një konferencë që pati bashkë me kryeministrin Rama.

“Do të thyejmë çdo dorë që zgjatet mbi popullin tonë, të drejtat tona, mbi flamurin, tokën dhe ezanin tonë”, është shprehur presidenti turk, duke treguar dhe njëherë se vendi i tij nuk tërhiqet nga Mesdheu.

“Ata që shohin ëndrra se ne do të lëmë mënjanë çështjet gjeografike dhe do të heqim dorë nga Mesdheu, po u themi që do t’ju bëhemi makth për një kohë të gjatë. Do të thyejmë çdo dorë që zgjatet mbi popullin tonë, të drejtat tona, mbi flamurin, tokën dhe ezanin tonë.  Shtete që bazohen te paratë apo armët e të tjerëve tani po mbyten me probleme socio-ekonomike. Ata që flasin për demokracinë në vende të tjera mbyten me pështymën e tyre dhe fshihen pas gishtit. Në rajon po prishen të gjitha ekulibrat.

Ne po shohim se mundësitë janë më të shumta se kërcënimet. Por të tjerët nevrikosen sepse nuk kanë më përballë Turqinë që dikur ia mbyllnin gojën me dy fjalë dhe me standarde të dyfishta. Disa na sulmojnë me manovra politike dhe të tjerë vjellin vetëm urrejtje. Përpiqen që të na godasin nga jashtë dhe bëjnë plane për të kërkuar njerëz që mund t’i ndihmojnë. Madje këtë e thonë hapur fare. Pra po mundohen që të ndërhyjnë në vendimet tona në rrugë jo demokratike”, është shprehur Rexhep Tayyip Erdogan, president i Turqisë.

Ndërkohë,Greqia i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të rishikojë unionin doganor me Turqinë, si përgjigje ndaj veprimeve provokuese që Ankaraja bën në ujërat e kontestuara territoriale në lindje të Mesdheut.

Pas një takimi me presidentin qipriot Nicos Anastasiades dhe atë egjiptian Fatah al Sisi në Nikozia, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi se palët kishin rënë dakord se Turqia po shkel hapur ligjin ndërkombëtar, me veprime që i quajti “fantazi perandorake”.

Mitsotakis tha se BE duhet t’i marrë parasysh shkeljet e shumta që sipas tij Turqia i ka bërë edhe akordit të unionit doganor.

“Në këtë takim trepalësh kemi rënë dakord se veprimet që për fat të keq lidershipi turk po kryen në lindje të Mesdheut janë fantazi perandorake, të shoqëruara me veprime agresive nga Siria në Libi, nga Somalia në Qipro dhe nga Egjeu në Kaukaz”, është shprehur kryeministri i Greqisë Mitsotakis.

Zbulimet e mëdha të gazit në brigjet e Egjiptit dhe Izraelit në vitet e fundit ka nxitur vendet që lagen nga Mesdheu të deklarojnë sovranitetin territorial për të kryer kërkime për hidrokarbure, veprime që kanë nxjerrë në pah mosmarrëveshjet e vjetra mes tyre.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tensionet me Turqinë/ Greqia shpresat te BE

‘Le Monde’: Erdogan s’do heqë dorë nga qëllimet e tij!