Kina është një nga dy vendet, së bashku me Rusinë, të përmendura në një raport të Pentagonit në 2018 si pozicionimi i sfidës më të rëndësishme ushtarake për Shtetet e Bashkuara. Jemi pas dy vitesh dhe kjo sfidë vetëm sa është përforcuar edhe më shumë.
Programi i Pekinit për modernizimin ka shndërruar ushtrinë vendase në një fuqi të vërtetë globale, të aftë të projektojë me lehtësi forcat e tij në të gjithë rajonin Indo-Paqësor dhe më gjerë.
Vetëm këtë vit e kemi parë Kinën të përfshihet në përplasje vdekjeprurëse kufitare me trupat indiane; Avionët e Ushtrisë Çlirimtare të Popullit të Kinës vazhdimisht kanë kërcënuar mbrojtjen ajrore Tajvaneze dhe Japoneze; dhe anijet kineze janë përfshirë në incidente të shumta në ujërat e diskutueshme të Detit të Kinës Jugore.
Kina ka zhvilluar operacione të dyfishta në Indo-Paqësor më parë këtë vit.
Veprimet e Kinës, veçanërisht ato në Detin e Kinës Jugore, paraqesin një sfidë për atë që ushtria amerikane e quan një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, një vend ku ajo thotë se tregtia duhet të rrjedhë pa frikë dhe ku të drejtat e peshkimit dhe mineraleve duhet të respektohen sipas ligjeve ndërkombëtare dhe traktateve.
Ndërsa votuesit në të gjithë SH.B.A.-në votuan në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, ngritja e fuqisë ushtarake të Kinës përfaqëson një nga shqetësimet më të ndërlikuara dhe të ngutshme të politikës së jashtme me të cilat do të përballet udhëheqësi i ardhshëm i vendit. Ja një vështrim në fushat kryesore:
Tajvani
Ishulli vetëqeverisës ka marrë nivele në rritje të mbështetjes publike nga Uashingtoni gjatë administratës Trump, duke përfshirë vizitat nga zyrtarë të nivelit të lartë të qeverisë amerikane dhe shitjen e armëve të nivelit të lartë si avionët luftarakë F-16.
Pavarësisht se kush fiton, SH.B.A. ka të ngjarë të mbajë një marrëdhënie miqësore me Tajvanin dhe të kritikojë përpjekjet kineze për të frikësuar dhe destabilizuar ishullin.
Pekini vazhdon ta shikojë Tajvanin si një pjesë të pandashme të territorit të tij edhe pse Partia Komuniste Kineze nuk ka qeverisur kurrë ishullin demokratik. Udhëheqësi i Kinës, Presidenti Xi Jinping, ka qenë i qartë në ambiciet e tij për të “ribashkuar” ishullin me tokën kontinentale dhe ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës.
Ndërsa analistët presin që mbështetja e SH.B.A.-së për Tajvanin të vazhdojë, ata gjithashtu presin që Pekini nuk do të tërhiqet nga presioni i shtuar ushtarak që ka vendosur në ishull përmes fluturimeve të forcave ajrore PLA dhe stërvitjeve detare në ujërat afër pa marrë parasysh kush drejton Shtëpinë e Bardhë.
Kina do të vazhdojë dhe ndoshta do të rrisë fluturimet e tepërta në hapësirën ajrore të Tajvanit sepse Pekini po kryen fluturimet në përgjigje të politikës në Tajvan.
Ushtria amerikane është aktive rreth Tajvanit gjithashtu, duke dërguar anije luftarake nëpër ngushticën e Tajvanit shumë herë këtë vit, si dhe avionë ushtarakë amerikanë që veprojnë në afërsi të ishullit ndërsa monitorojnë manovrat e PLA. Kjo krijon mundësinë e aksidenteve ose keqkuptimeve çfarë edhe mund të shkaktojë konflikt më të gjerë, thonë ekspertët.
Deti i Kinës Jugore
Pekini pretendon pothuajse të gjithë Detin e gjerë të Kinës Jugore si territorin e tij sovran dhe ka rritur përpjekjet për të nxitur dominimin e tij mbi ujërat e pasura me burime në vitet e fundit, duke rritur aktivitetin e saj detar në rajon.
Ushtria amerikane ka vijuar në përpjekjet e saj për të sfiduar pretendimet e Pekinit në Detin e Kinës Jugore.
Megjithëse SHBA nuk ka ndonjë pretendim në ujërat, anijet luftarake të Marinës Amerikane kanë kryer të ashtuquajturat operacione të Lirisë së Lundrimit me një frekuencë rekord në vitin e kaluar, duke lundruar afër ishujve të kontrolluar nga Kinezët.
Në fillim të këtij viti, marina amerikane dërgoi dy herë dy nga transportuesit e saj të avionëve në Detin e Kinës Jugore në të njëjtën kohë. Në qiellin mbi det, bombarduesit dhe avionët e zbulimit të Forcës Ajrore të SHBA, që fluturojnë nga Japonia ose Guam apo edhe nga Kontinenti Amerikan, kanë vënë në dukje Pekinin se veprimtaritë e tij monitorohen plotësisht dhe tregojnë përkushtimin e SHBA ndaj aleatëve dhe partnerëve të tyre në rajon.
Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të vazhdojnë stërvitjet e tyre ushtarake dhe veprimtaritë e lirisë së lundrimit në Detin e Kinës Jugore. Këto ujëra janë të rëndësishme për sigurinë dhe zhvillimin e SHBA për shkak të një mundësie për të hyrë në Oqeanin Indian për qëllime ushtarake dhe për transport tregëtar.
Carl Schuster, një ish-drejtor i operacioneve në Qendrën e Përbashkët të Inteligjencës të Komandës së Paqësorit të SHBA, tha se fushata e Biden nuk ka dhënë një tregues të qartë se ç’qëndrim do të mbajë për Detin e Kinës Jugore.
Dy aleatë kryesorë
Administrata aktuale e Trump ka patur disi një rrugë të vështirë në marrëdhëniet me aleatët dhe partnerët ushtarakë amerikanë në Indo-Paqësor.
Thirrja e Trump për kombet aleate që t’ju kushtojnë edhe më shumë rëndësi kostove për mbrojtjen, përfshirë koston e pritjes së trupave amerikane në bazat në vendet e tyre, ka irrituar marrëdhëniet me Korenë e Jugut dhe Japoninë, pa dyshim dy aleatët më të rëndësishëm të SHBA në Azi.
Mijëra koreanë të jugut që punojnë në bazat e SH.B.A.-së u zemëruan në fillim të këtij viti ndërsa Uashingtoni dhe Seuli kishin bërë pazar se sa Koreja e Jugut duhet të paguante për praninë e trupave ushtarake të SHBA. Marrëveshja u arrit më në fund në qershor me synimin për të bërë së bashku plane të reja financimi në 2021.
Marrëdhëniet me Japoninë kanë qenë më të mira dhe Tokio njoftoi një rritje prej 8.3% në buxhetin e saj ushtarak, diçka që analistët ia atribuuan pjesërisht presionit nga administrata Trump.
Analistët thanë se këto përpjekje për ndarjen e barrës së kostove mund të jenë më të lehta në një administratë të Biden, sepse ish-nënkryetari ka më shumë reputacion si negociator sesa individ që bën kërkesa të njëanshme siç ka bërë Trump.
Por egziston një mundësi që presionet e brendshme në të dy vendet të mund ta bëjnë këtë një zonë problematike edhe për Biden.
Në Korenë e Jugut, Presidenti Moon Jae-in dëshiron të ulë kostot e mbrojtjes ndërsa përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Korenë e Veriut.
Negociatat mbi kostot bazë do të jenë të vështira për këdo që është President.
Ka vende të tilla si Malajzia, Birmania, Indonezia dhe Vietnami, ku marrëdhëniet politike me Shtetet e Bashkuara mbeten të ndjeshme për institucionet ushtarake.
Ndërsa Japonia duket se është e vetmja që mban një qëndrim më të butë ndaj SHBA së lidhur me kostot që duhet të paguhen për mbrojtjen dhe për prezencën ushtarake.
Paratë
Covid-19 i ka dhënë një goditje të fuqishme ekonomisë amerikane. Ndërsa Kina u godit gjithashtu, ajo është rikuperuar shumë më shpejt dhe zgjerimi i saj ushtarak nuk pritet të pësojë shumë goditje. Kantieret dhe fabrikat e saj po nxjerrin në treg pajisje të sofistikuara ushtarake me një ritëm frenetik. Disa armatime kineze konsiderohen të jenë ndër më të mirët në botë. Dhe forcat raketore të Pekinit janë shtuar me ritme të shpejta në numër.
Administrata e re e SHBA do të përballet me një kërcënim më të madh se ai me të cilin u përballën administratat e SH.B.A.-së gjatë Luftës së Ftohtë. Kina është bërë një problem më serioz sesa ka qënë Bashkimi Sovjetik ndonjëherë. Pekini së pari ndërtoi ekonominë dhe bazën e tij teknologjike përpara se të zgjeronte aftësitë e tij ushtarake. Më e rëndësishmja, ai ka qenë një lojtar ndërkombëtar shumë më i madh dhe më efektiv, diplomatikisht dhe ekonomikisht, sesa Bashkimi Sovjetik.
Presidenti i ardhshëm i SHBA duhet të përqendrohet në faktin se shteti ka bazën industriale për të mbajtur ushtrinë e tij në të njëjtin nivel me Kinën.
Administrata e ardhshme duhet të adresojë rindërtimin e bazës industriale të Amerikës përmes politikave të barabarta tregtare dhe një rishikimi të plotë të industrive që janë jetike për sigurinë kombëtare të Amerikës.
Mbajtja e fokusit
Pavarësisht nga Strategjia e Mbrojtjes Kombëtare 2018 dhe përqendrimi i saj në Azi, inercia dhe historia ende mund të mbajnë vëmendjen e institucionit të mbrojtjes të SHBA të prirur drejt Evropës, thanë analistët.
Do jetë sfidë për Trump ose Biden për të mbajtur Azinë në krye të planifikimit të mbrojtjes.
Pavarësisht se kush fiton presidencën, vetëm gjysma e amerikanëve ka të ngjarë të mbështesin Presidentin, dhe
Ekspertët paralajmërojnë se ndikimi në të gjithë botën i Amerikës varet nga Azia.
Përkthyer dhe përshtatur nga: cnn/ F.H, konica.al