MENU
klinika

Nga Linda Karadaku

Greqia përballë fqinjëve

29.10.2020 - 10:08

Marrëdhëniet e Greqisë me fqinjët e saj kanë qenë problematike që nga pavarësia e vendit.

Nënshkrimi I paktit greko-rumun në mars të vitit 1928 shënoi fundin e një seri traktatesh miqësie të Greqisë, të nënshkruara me Italinë, Jugosllavinë e atëhershme, Çekosllovakinë e atëhershme, Poloninë, Austrinë, Hungarinë, Shtetet e Bashkuara, Spanjën dhe Turqinë.

Por marrëdhëniet e saj me vendet fqinjë mbetën të tendosura, veçanërisht me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë. Mosmarrëveshja rreth emrit të Maqedonisë, vijës kufitare të detit Jon me Shqipërinë, Qiproja dhe rezervat e hidrokarbureve të Mesdheut Lindor dhe Detit Egje me Turqinë, janë këto një numër çështjesh që kanë bërë që marrëdhëniet e Greqisë me vendet fqinje të jenë shumë të trazuara dhe kjo, për një kohë të gjatë.

Gjatë sundimit të Enver Hoxhës, marrëdhëniet mbetën të tensionuara për shkak të çështjes Çame, por edhe ndryshimeve ideologjike të dy vendeve që gjendeshin në dy anë të ndryshme të historisë. Pas rënies së komunizmit, në vitet 90’të, marrëdhëniet midis dy vendeve u përmirësuan, por kjo nuk zgjati shumë. Emigrimi i madh i shqiptarëve drejt Greqisë dhe brutaliteti i policisë greke, u bënë tema kryesore të lajmeve. Greqia u bë për herë të parë vend destinacioni për emigrantët ndërkohë që shqiptarët po dilnin për herë të parë nga vendi i izoluar komunist. Megjithë ulje-ngritjet politike, marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve u zhvilluan.

Ekonomia e Shqipërisë varej shumë nga paratë që dërgonin emigrantët shqiptarë në Greqi ndërkohë që Greqia ishte partneri i dytë më i madh tregtar i vendit. Por në të njëjtën kohë, puna me kosto të ulët nga Shqipëria nxiti rritjen e ekonomisë greke, veçanërisht në sektorët e ndërtimit dhe bujqësisë. Edhe pas kaq vitesh, marrëdhëniet aktuale shqiptaro-greko kanë përballë të njëjtat sfida, përcaktimin e kufirit detar, çështjen çame, emigrantët shqiptarë në Greqi dhe pakicën greke në Shqipëri, të cilën Athina e përdor here pas here për të ngritur tensionet.

“Është kyçe për Shqipërinë të zgjidhë problemet me fqinjët, të zgjidhë problemet e së shkuarës dhe të marrë më të mirën nga fakti që kemi shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi, shumë grekë që jetojnë në Shqipëri. Po iu sjell një shembull, por vlen e njëjta gjë edhe për Maqedoninë e Veriut. Përshembull Maqedonia e Veriut është e bazuar në këtë harmoni, midis maqedono-veriorëve dhe shqiptarëve” tha Edi Rama.

“Na bashkojnë shumë gjëra. Dhe pikërisht, prania ime sot këtu synon nënvizimin e një axhende dinamike dhe pozitive të marrëdhënieve tona. Ne kemi një vullnet shumë të fuqishëm që t’i çojmë këto marrëdhënie edhe më tutje, edhe më lart, dhe të zgjidhim në një klimë të besimit reciprok dhe të respektit reciprok të gjitha ato gjëra që kanë mbetur pezull” u shpreh Dendias.

Marredheniet greko-maqedonase

Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, nuk kanë qenë aspak më të lehta. Greqia vendosi një embargo tregtare ndaj Maqedonisë së Veriut në periudhën 1994-1995 dhe marrëdhëniet zyrtare midis dy vendeve filluan kur Greqia njohu Republikën e atëhershme të Maqedonisë si Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM) në 13 Shtator 1995. Të dy vendet u përfshinë në një mosmarrëveshje mbi emrin, e cila u mbyll me Marrëveshjen e Prespës e cila u nënshkrua në 2018 dhe u ratifikua nga të dy vendet në 2019.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në 1991, Maqedonia vendosi anëtarësimin e plotë në NATO dhe BE midis objektivave të saj kryesorë, ndërsa marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal u përcaktuan si interesa kombëtarë. Por çështja e emrit të Maqedonisë, u bë që nga viti 2006 një mollë sherri midis dy vendeve. Marrëveshja e Prespës zgjidhi kontestin për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë, dhe Republika e Maqedonisë ndryshoi emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Dita e sotme le të jetë një fillim i miqësisë afatgjate mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën tonë, por mund të formësojmë ardhmërinë tonë të miqësisë, partneritetit dhe bashkëpunimit” tha Nikolla Dimitrov.

Nikos Kotzias, arkitekti i marrëveshjes së Prespës, ishte shumë më vizionar sesa ata që e kundërshtonin marrëveshjen në Greqi. “Unë do të doja të falënderoja shumë profesorët e historisë për theksimin e konfliktit historik midis Bullgarisë, serbëve dhe Jugosllavisë për përcaktimin e hapësirës që sot është IRJM; mbi karakteristikat e popullsisë që jeton atje. Ka diçka që nuk e kam kuptuar nga shumë kritikë të marrëveshjes: A do të preferonin ata që të gjithë të quheshin shqiptarë? Që ata të gjithë së bashku të kthehen në Jugosllavi? Që ata të vetë-vendosin si bullgarë? Mos është ndoshta në interesin tonë që ata nuk duan t’i përkasin asnjërës nga ato hapësira?” tha Kotzias.

Sipas tezës greke, Maqedonia e sotme nuk ka ekzistuar kurrë në histori dhe u krijua për arsye ideologjike pas Luftës së Dytë Botërore nga kryetari i atëhershëm i Jugosllavisë J.B.Tito. Kjo tezë u përball me kritika të ashpra nga maqedonasit për shumë vite. Athina zyrtare pretendonte se emri “Maqedoni” është një trashëgimi historike e grekëve dhe refuzonte ta njohë Maqedoninë nën emrin e saj kushtetues. Ndërsa argumenti themelor i paraqitur nga zyrtarët maqedonas kundër Greqisë ishte se emri “Maqedoni” përfaqëson thelbin e identitetit kombëtar maqedonas, duke u bazuar në parimin se çdo shtet ka të drejtën sovrane për të përcaktuar emrin e tij. Por Greqia përsëriti se do të vazhdonte të vendoste veton në anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE nëse emri nuk do të ndryshonte.

Çështja qipriote

Çështje të spikatura në politikën e jashtme greke janë pretendimet në Detin Egje dhe Mesdheun Lindor nga Turqia dhe interesat greke dhe turke në dhe rreth Qipros. Ndërkohë që ishulli i Qipros po shkonte drejt pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar, komunitetet greke (82%) dhe turke (18%) u përfshinë në luftime të ashpra, në të cilat dy organizata respektive greke dhe turke, EOKA-B dhe Organizata Turke e Rezistencës (TMT) ishin përgjegjëse për shumë mizori që çuan në izolim total të komuniteteve. Në 1974, junta greke, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1967 dhe ishte e pakënaqur me politikën e Makarios në Qipro, u përpoq më 15 korrik të bënte një grusht shteti për ta zëvendësuar atë me Nikos Sampson dhe për të shpallur bashkimin e ishullit me Greqinë. Shtatë ditë më vonë, Turqia filloi pushtimin e Qipros dhe epërsia dërrmuese e forcës tokësore, detare dhe ajrore turke ndaj mbrojtjes së dobët të ishullit, çoi në një situatë të re ku 37% e territorit të Qipros kaloi nën kontrollin turk. Mijëra grekë dhe turq qipriotë u dëbuan nga shtëpitë e tyre duke u zhvendosur në zonat me shumicë respektive greke ose turke dhe duke përfunduar ndarjen de facto të Qipros. Në 1983, qipriotët turq shpallën pavarësinë, por vetëm Turqia i njohu. Greqia bën thirrje për heqjen e trupave turke nga Qipro dhe rikthimin e një shteti të unifikuar.

Betejat greko-turke për nafte

Çështje të tjera që ndajnë Greqinë dhe Turqinë përfshijnë përcaktimin e shelfit kontinental në Detin Egje, ujërat territoriale dhe hapësirën ajrore. Në Mars 1987, një mosmarrëveshje në lidhje me të drejtat e shpimit të naftës, pothuajse çoi në luftë midis vendeve. Greqia kërkonte që mosmarrëveshja të zgjidhej nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Në fillim të vitit 1988, kryeministrat respektivë turk dhe grek u takuan në Davos të Zvicrës dhe më vonë në Bruksel. Ata ranë dakord lidhur me masa të ndryshme për të ulur tensionet dypalëshe dhe për të inkurajuar bashkëpunimin. Tensionet mbi Detin Egje u shfaqën përsëri në nëntor 1994, kur Greqia deklaroi se sipas Ligjit të Traktatit të Detit, të cilin Turqia nuk e ka nënshkruar, rezervonte të drejtën për të deklaruar një zgjerim të shelfit të saj kontinental nga 6 në 12 milje detare rreth ishujve të saj në Egje. Turqia e cila ka zgjeruar vetë shellfin e saj kontinental në bregun e Detit të Zi, deklaroi se do ta konsideronte çdo veprim të tillë një shkak për luftë.

Në janar 1996, Greqia dhe Turqia pothuaj shkuan drejt një konfrontimi të armatosur rreth çështjes se cili vend kishte sovranitet mbi një ishull në Egje. Në korrik 1997, në samitin e NATO-s në Madrid, udhëheqësit grekë dhe turq arritën marrëveshje mbi gjashtë parime për të rregulluar marrëdhëniet e tyre bilaterale. Megjithatë, brenda disa muajsh, të dy vendet kishin përsëri mosmarrëveshje për çështjet e hapësirës ajrore të Egjeut dhe sovranitetit. Tensionet mbetën të larta për muaj me radhë, megjithëse u diskutuan masa të ndryshme për ndërtimin e besimit për të ulur rrezikun e aksidenteve ushtarake ose konflikteve në Egje, nën kujdesin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Më 6 maj 2004, Kryeministri i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan u bë udhëheqësi i parë turk që vizitoi Greqinë në pesëdhjetë vjet dhe në 24 Janar 2008, kryeministri i Greqisë Costas Karamanlis vizitoi Turqinë, 48 vjet pasi Kryeministri i fundit grek dhe xhaxhai i tij, Kostandin Karamanlis, kishte vizituar vendin fqinj.

Marrëdhëniet midis dy vendeve arritën përsëri pikun e krizës këtë vit, kur tensionet në Egje, të lidhura me shpimet për gaz e naftë, pothuaj dolën jashtë kontrolli dhe ende nuk janë shuar. “Greqia po pretendon sovranitet detar duke përdorur ishullin e Meis (Kastelorizo), që gjendet 2 kilometra nga bregu turk. Dhe e dini sa larg është nga Greqia kontinentale? 580 kilometra. Kjo nuk mund të shpjegohet në mënyrë racionale ose duke përdorur mendjen e shëndoshë” tha Erdogan.

“Ajo që i kemi thënë Turqisë shumë hapur është që duhet të ulemi dhe të flasim si fqinjë të civilizuar, dhe nëse nuk mund ta zgjidhim këtë çështje me njëri-tjetrin, gjithmonë mund ta çojmë në një gjykatë ndërkombëtare dhe ta lëmë të vendosë për ne” deklaroi Mitsotakis.

Marredheniet greko-serbe

Të dy vendet janë tradicionalisht, historikisht, nga pikëpamja fetare dhe kulturore të afërta dhe marrëdhëniet e tyre miqësore konfirmohen nga një dialog i rregullt politik. Greqia është ndër shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Greqia është një nga investitorët më të rëndësishëm ekonomikë në Serbi, kryesisht në sektorin financiar, telekomunikacion, energji dhe ndërtim. Greqia merr pjesë në financimin e ndërtimit të autostradës Korridori 10 në Serbi dhe modernizimi i këtij korridori është interes strategjik i të dy vendeve. Për Serbinë, modernizimi i linjës hekurudhore nga Serbia, përmes Maqedonisë në Greqi, është veçanërisht i rëndësishëm për të fituar kohë në transportin e ngarkesave, gjë që do të rrisë aftësinë konkurruese të kompanive serbe. Ndërsa për Athinën, një nga përparësitë e saj më të mëdha është modernizimi i kësaj rruge dhe lidhja e Serbisë me portet e Greqisë.

“Prioriteti ynë duhet të jetë interesi kolektiv i Evropës në një kohë kur ekzistojnë struktura destabilizuese që duan të dëmtojnë atë frymë kolektive të Evropës” tha Tsipras. “Diskutimet u përqëndruan në atë që duhet të bëjmë në të ardhmen. Çështjet ekonomike, përmirësimi i marrëdhënieve të ndërsjella, si dhe çështje të stabilitetit rajonal” deklaroi Vucic.

Kosove-Greqi: Bashkepunim pa njohje

Greqia është një nga pesë vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, megjithatë bashkëpunon me të. Greqia nuk mori pjesë në bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, por e mbështeti fushatën nga ana logjistike dhe ndihmoi në menaxhimin e krizës së refugjatëve. Greqia e lidh njohjen e Kosovës me arritjen e një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë. Por pavarësisht nga kjo, Athina ka qenë dhe është e pranishme në Kosovë. Është I vetmi nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën që ka një Zyrë Ndërlidhëse funksionale dhe ambasador në Prishtinë. Greqia njeh gjithashtu dokumentet e Kosovës dhe lejon futjen e automjeteve me targa të Kosovës në territorin e saj. Athina ka ndihmuar po kështu anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, qoftë duke votuar në favor të Kosovës, qoftë duke bërë kuorumin e nevojshëm.

Greqia ka pranuar gjithashtu hapjen e Zyrës së Kosovës për Punët Ekonomike dhe Tregtare në Athinë dhe ka investuar në Kosovë në disa sektorë, në atë të ushqimit dhe pijeve, materialeve ndërtimore, karburanteve dhe menaxhimit të mbeturinave. Ministri I jashtëm grek Dendias ishte në Prishtinë këtë muaj dhe u takua me zyrtarët më të lartë të vendit, në një mesazh të qartë se marrëdhëniet midis dy vendeve po thellohen.

Vizita e Dendias u pasua nga një telefonatë e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, lidhur me bashkëpunimin ekonomik, dialogun me Serbinë dhe liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës. Prishtina beson se mbështetja e Athinës në rrugën euroatlantike të Kosovës, është thelbësore. “Ne jemi fqinjë dhe jemi shumë të interesuar për Ballkanin Perëndimor, dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon. (Njohja e Kosovës nga Greqia) nuk është çështje shprese, por çështje e vendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve” tha Dendias.

“Përkundër faktit që Greqia ka qenë një shtet mos-njohës në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian, Greqia ka vënë një standard të lartë të bashkëpunimit dhe konstruktivitetit ndaj Kosovës” deklaroi Haradinaj Stublla./abcmews

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!