MENU
klinika

Ndihmon ushtarakisht Azerbajxhanin

Kryeministri armen: Turqia po ‘rikrijon’ Perandorinë Osmane

06.10.2020 - 21:14

Armenia dhe Azerbajxhani rifilluan “luftën e ngrirë” më të vjetër të Evropës mbi territorin e shkëputur të Karabakut më 27 shtator.

Fillimisht u duk si një konflikt jo i nxehtë por sot rrezikon të kthehet në një luftë të frikshme mes Azerbajxhanit dhe Armenisë e madje edhe të shkojë drejt përshkallëzimit.

Në një intervistë për TIME, Kryeministri i Armenisë Nikoll Pashinyan forcoi akuzat drejtuar Turqisë duke thënë se kjo e fundit tashmë po ndërhyn ushtarakisht në emër të Azerbajxhanit, duke pretenduar se Presidenti Rexhep Tajip Erdogan po tenton të zgjerojë ndikimin e tij në rajon.

Ai ka akuzuar Erdoganin se ka dërguar 1500–2000 “terroristë” sirianë në rajon në mbështetje të Azerbajxhanit, një vend me të cilin Turqia ndan lidhje kulturore dhe ekonomike të forta.

Duke përmendur edhe ndërhyrjet ushtarake të Turqisë në Siri dhe Libi dhe ngërçin detar në Mesdheun Lindor, Pashinyan tha: “Veprimi i Turqisë nuk është asgjë më pak se synimi për rivendosjen e perandorisë Osmane”.

Ministritë e jashtme turke dhe ajo e Azerbajxhanit e kanë mohuar që Turqia po ndërhyn në ndonjë mënyrë megjithëse Presidenti Erdogan është zotuar publikisht se do mbështesë Azerbajxhanin me çdo mënyrë të mundshme.

Por Turqia që i ka bërë thirrje Armenisë të “lërë tokën e pushtuar” nuk është i vetmi vend që ndërhyn në konfliktin dhjetëra vjeçar.

Irani, i cili është aleat me Armeninë, por ka një popullsi të madhe azerbajxhanase, paralajmëroi si Armeninë ashtu edhe Azerbajxhanin kundër “ndërhyrjeve” në territorin e tij.

Konflikti vë Turqinë në kundërshtim me Rusinë, e cila ka lidhje të thella me të dy vendet, dhe Francën, e cila ka akuzuar Erdoganin për dërgimin e “xhihadistëve” në betejë.

Ndërkohë, Gjeorgjia ka dhënë alarmin mbi përshkallëzimin e konfliktit dhe ofroi kryeqytetin e saj Tbilisin si një vend neutral për bisedime.

Konflikti kuptohet më së miri në kontekstin e politikës së gazsjellësit që përfshin fuqitë e mëdha që tentojnë për ndikim gjeopolitik në Lindjen e Mesme dhe Kaukazin fqinj të pasur me naftë.

Kompanitë amerikane dhe britanike të naftës që nga mesi i viteve 1990 kanë derdhur miliarda dollarë në Azerbajxhan, tre tubacionet kryesore të naftës transnacionale të të cilit ndodhem vetëm disa milje nga Karabaku.

Vetëm dy ditë para se të fillonin luftimet, Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev u ankua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për mungesën e progresit dhe në mënyrë të përsëritur deklaroi dëshirën e tij për të rivendosur kontrollin e Azerbajxhanit mbi Karabakun Nagar dhe territoret e tij ngjitur.

“Në të vërtetë, kjo është një luftë patriotike”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Leyla Abdullayeva.

I pyetur nëse veprimet e tij në prag të konfliktit ishin provokuese, Pashinyan tha për TIME se kur erdhi në pushtet ai bëri thirrje për një zgjidhje që plotësonte nevojat e e të dy palëve, Azerbajxhanasve si dhe Armenëve.

Në një fjalim televiziv drejtuar kombit më 4 tetor, Aliyev përsëriti kushtin e tij për një armëpushim: që të gjitha forcat armene “të braktisin territorin tonë”, një kusht që Armenia me siguri do të refuzonte.

Sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më shumë armë të përparuara përdoren, aq më shumë viktima cilvilë dhe ushtarë do ketë dhe sa më tej shtrihen luftimet përtej territorit të caktuar aq më e mundshme bëhet ndërhyrja ushtarake e jashtme megjithëse ende ekziston mundësia për ndaljen e përkeqësimit të situatës.

F.H.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Demokratët bëjnë analizën e humbjes në zgjedhje!

Arsyet pse Kamala Harris nuk fitoi garën presidenciale

Shpenzime marramendëse dhe dështim zgjedhor

Si u shpenzuan 1.6 miliardë dollarë në fushatën e Harris

Nga “Marco i vogël” në Sekretar Shteti në SHBA

Çfarë e pret Berlinin e Brukselin nën një mandat të Rubios?