Çdo i moshuar që nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, dhe që ka mungesë, apo nivel të ulët të ardhurash mund të aplikojë për të përfituar një pension social. Për të siguruar këtë lloj pensioni duhet që të përmbushen katër kushte, që kanë të bëjnë me moshën e pensionit, qëndrimin në Shqipëri për një periudhë të përcaktuar, mospërfitimin nga skema e detyrueshme, si dhe nivelin e ulët të të ardhurave.
Referuar këtyre kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, të drejtën për të siguruar një pension social e gëzon çdo individ që ka mbushur moshën 70 vjeç, kur fakton nëpërmjet dokumenteve përkatëse qendrimin e përhershëm në Shqipëri për të paktën 5 vitet e fundit, kur nuk plotëson kushtet për asnjë pension nga skema e detyrueshme, si dhe ka të ardhura që janë më të ulëta se sa ato që mund të sigurojë nëpërmjet pensionit social.
Personi që plotëson kushtet për këtë pension duhet që të paraqesë pranë organeve përgjegjëse të sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij kërkesën për caktimin e pensonit social, të cilin duhet ta shoqërojë edhe me dokumentacionin përkatës.
Në pjesën e parë të kërkesës për këtë lloj pensoni plotësohen të dhënat personale të aplikuesit, për të vijuar me pjesën e dytë, ku shtrohet kërkesa për pension social sipas kushteve të përcaktuara në ligjin përkatës. Ndërsa, pjesa e tretë e kërkesës përmban dokumentacionin shoqërues, më tej në pjesën e katërt duhet plotësuar deklarata për gjendjen social-ekonomike, si dhe në pjesën e fundit bëhet nënshkrimi i kërkesës për përfitim.
Dosja e dokumenteve që duhet të shoqërojë kërkesën për caktimin e këtij pensioni përfshin: kopjen e dokumentit të identifikimit të aplikuesit, certifikatën familjare që mund të shkarkohet në portalin e-albania, deklaratën për gjendjen social-ekonomike e cila plotësohet nga vetë aplikuesi, vërtetimi që konfirmon qëndrimin në Shqipëri për të paktën pesë vitet e fundit që sigurohet nga strukturat e gjendjes civile, vërtetim nga organet tatimore nëse ushtron ose jo veprimtari ekonomike që lëshohet nga Drejtoria Rajonale e Tatim–Taksave, certifkata pronësie nëse disponojnë të tilla, si dhe vërtetimin për ndihmën ekonomike, nëse është përfitues i saj. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara edhe institucionet që janë përgjegjëse për lëshimin e secilit prej këtyre dokumenteve.
Për të mos rrezikuar marrjen e kësaj pagese, përfituesi duhet të paraqesë një herë në vit deklaratën për verifikimin e gjendjes social-ekonomike. Pensioni social duhet të tërhiqet nga përfituesi çdo muaj. Pagesa e pensionit social mund të ndërpritet në rast se nuk tërhiqet në qendrat e përcaktuara të pagesës sipas afateve të përcaktuara. Ekspertët sqarojnë se pensioni social mbyllet kur konstatohet se ka të dhëna jo të vërteta, lidhur me kushtet ligjore të përfitimit. Ndërkohë që pagesa e këtij pensioni nuk ndërpritet në rastet kur përfituesi është për kurim në spital. Në rastet kur personat kanë të ardhura nga burime të tjera, masa e pensionit social do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për pensionin social përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Dosja e detyrueshme e dokumenteve për pensionin social:
Fotokopje e Kartës së identitetit që sigurohet nga vetë personi.
Certifikatë familjare që mund të sigurohet portali e-Albania, DRSSH.
Deklaratë për gjëndjen social-ekonomike që plotësohet nga vetë përfituesi.
Vërtetim nga zyra e gjëndjes civile, që është banor në Shqipëri për të paktën 5 vite, nga koha që paraqet kërkesën, që sigurohet nga zyra e gjendjes civile/Njësia Bashkiake ku aplikuesi ka vendbanimin.
Vërtetim nga organet tatimore, nëse ushtron ose jo veprimtari ekonomike që lëshohet nga Drejtoria Rajonale e Tatim-Taksave
Certifikatë pronësie dhe/ose akti i marrjes në pronësi/në përdorim të tokës që sigurohet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Vërtetim për ndihmën ekonomike që konfirmohet nga Zyra e Shërbimit Social.
Deklaratë nëse je aksioner apo bashkëpronar në aktivitete ekonomike/ pasuri të patundshme, që nxjerr të ardhura që sigurohet nga vetë personi.