Arritja e një marrëveshjeje për ndarjen e kufirit detar në Jonin Verior mes Shqipërisë dhe Greqisë është komentuar sërish nga ministri i Jashtëm helen, Nikos Dendias.
Ky i fundit, përmes një interviste të dhënë në mediat e Athinës, ka deklaruar që shumë shpejt shpreson që të arrihet një marrëveshje mes dy vendeve për ta ndarë kufirin detar në Jonin Verior, siç më herët gjatë këtij viti Greqia ka bërë me Italinë dhe Egjiptin.
Duke folur për marrëveshjen e 2009-ës, e cila nuk mundi të konkretizohej, Dendias tha se një përmbyllje sa më e shpejtë e këtij procesi për Shqipërinë do të thotë një hap më tej në rrugën e integrimin europian.
Sipas tij, diskutimi për këtë çështje do të bëhet në kontekstin e një fqinjësie të mirë mes dy vendeve, me qëllimin që asnjë prej dy vendeve të mos dalë i zhgënjyer.
“Është zgjedhje e Greqisë përcaktimi i shefit kontinental dhe zonës ekskluzive ekonomike të bazohet në të drejtën ndërkombëtare, me të gjitha vendet fqinje. Kështu, dëshirojmë edhe me Shqipërinë të zgjidhim këtë çështje të prapambetur sa më shpejt të jetë e mundur.
Siç deklarova pak kohë më parë në Parlament, në debatin për ratifikimin e marrëveshjeve të demarkacionit detar me Italinë dhe Egjiptin, shpresoj që hapi tjetër të jetë nënshkrimi i një marrëveshjeje me Shqipërinë.
Më lejoni t’ju kujtoj se ne kishim nënshkruar një marrëveshje në vitin 2009, por që nuk pati zhvillim për arsyet e njohura tashmë. Shpresoj që së shpejti të mundemi të rikapim sërish fillin e bisedimeve përkatëse dhe të arrijmë në rezultate të kënaqshme për të dyja palët.
Është e rëndësishme, në kontekstin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe duke marrë parasysh perspektivën europiane të vendit tonë fqinj, Shqipërisë, që të mbyllen të gjitha çështjet e hapura, pasi kjo automatikisht do të drejtojë në një azhurnim të marrëdhënieve tona dypalëshe dhe do të jetë në të mirën e të gjithëve”, ka thënë ndër të tjera ministri grek në një intervistë për mediat në Athinë.
Vlen të theksohet se çështja e ndarjes së kufirit detar është përdorur herë pas here nga Athina zyrtare në kontekstin e mbështetjes për rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.
Po ashtu, kjo intervistë e Dendias vjen vetëm pak javë pas deklaratës së fortë të Kryeministrit grek, Mitsotakis, i cili deklaroi në Parlamentin Grek që Athina zyrtare do të zgjerohet me 12 milje në Veri të detit Jon.
Ditë më pas, në fillim të shtatorit, ishte vetë ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, i cili deklaroi se do të vizitonte Tiranën me qëllim të posaçëm për ta zgjidhur çështjen e kufirit detar në Jon.
Çështja 10-vjeçare e pazgjidhur e kufirit detar
Ndarja e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë është një temë debati prej më shumë se 10 vitesh tashmë. Ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010 që rrëzoi marrëveshjen e arritur mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke në vitin 2009, që i hapi rrugën një kalvari të gjatë negociatash, deklaratash dhe kundërdeklaratash nga të dyja anët e kufirit.
Pakti që u firmos nga ministrat e Jashtëm, Basha dhe Bakojanis, u cilësua si shkelës i sovranitetit territorial nga Gjykata Kushtetuese në Tiranë, pasi më herët nga PS-ja dhe një grup ish-ushtarakësh, ishte kundërshtuar shumë fort.
Me ndërrimin e qeverisë në vitin 2013, gjatë kohës kur diplomacitë e dy vendeve drejtoheshin nga Bushati në Tiranë dhe Kotzias në Athinë, pati përparime dhe negociatata të avancuara për të arritur në një marrëveshje për kufirin detar, por edhe çështje të tjera që prej dekadash kanë mbetur pezull mes të dyja vendeve.
Por largimi i të dy ministrave të jashtëm si në Greqi, ashtu edhe në Shqipëri, duket se e çoi në zero nivelin e dialogut mes të dyja vendeve, dhe ecuria për një marrëveshje për ndarjen e kufirit detar u stakua. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë zhvillime të reja në këtë drejtim, pas vizitës që do të kryhej në Tiranë ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, e cila deri më tani ende nuk ka asnjë datë apo axhendë të fiksuar