MENU
klinika

NGA CNN

Pekini ‘nervoz’ pas infektimit të Trump me Covid-19, presidenti amerikan e quan ‘virus kinez’

03.10.2020 - 16:21

Prej momentit kur u shfaq për herë të parë në Wuhan, Kinë, koronavirusi u bë epiqendër e debateve mes Pekinit dhe Shteteve të Bashkuara.

Ishte vetë kreu amerikan i shtetit i cili e cilësoi Covid-19, virus kinez. Pekini u kundërpërgjigj duke theksuar se ishin ushtarët amerikanë që gjatë një manifestimi të zhvilluar në Wuhan në dhjetor të 2019 sollën virusin mes tyre.

“Kunjat” mes dy kombeve vijuan ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump, disa herë bëri tamponin me dyshime për një infektim të mundshëm kur në stafin e tij u shfaqën rastet e para.

Derisa së fundmi, u konfirmua se ai dhe zonja e parë Melania Trump janë mbartës të virusit të rrezikshëm. Në këtë vit zgjedhor,  në debatin e tij të parë Presidencial kundër Joe Biden, Donald Trump bëri përsëri të qartë se kë fajëson për pandeminë e koronavirusit.

Është faji i Kinës, nuk duhet të kishte ndodhur kurrë“, tha Presidenti, përpara se t’i referohej virusit si “murtaja e Kinës”.

Për muaj Trump s’ka rreshtur së fajësuari Kinën për pandeminë që në SHBA vrau, 200,000 njerëz dhe infektoi 7.3 milionë të tjerë, duke përfshirë edhe vetë Presidentin.

Duket se Kina nuk ka mundur të rezistojë pas lajmit për infektimin me “virusin kinez” të Presidentit amerikan Trump dhe në Twitter redaktori, Hu Xijin i tabloidit vendas, “Global Times”, shkroi se lideri amerikan i shtetit dhe zonja e parë “paguan çmimin për fajësimin e Kinës për Covid-19”.

Ky tabloid është shumë pranë qeverisë kineze dhe Presidentit ndërsa nuk vonoi shumë dhe statusi u fshi.

Kina aktualisht po feston “javën e artë”, një festë tetë-ditore për të shënuar ditën kombëtare kineze 1 tetorin, dhe Festivalin e Mesit të Vjeshtës.

Qindra miliona kinezë pritet të udhëtojnë gjatë kësaj periudhe, dëshmi se si vendi është “pastruar” thuajse plotësisht nga virusi.

Pas lajmit për infektimin e Presidentit amerikan shumë shtetas nga Kina komentuan duke thënë se ishte një dhuratë për ditën kombëtare të Kinës.

Duket se infektimi i Trump ka nervozuar edhe më tepër Kinën pasi me shumë mundësi ai do e përdorë edhe më tepër politikisht këtë gjë duke i fajësuar edhe më shumë.

Ministria e Punëve të Jashtme kineze lëshoi ​​një deklaratë të shkurtër ku iu uron shërim të shpejtë Z. dhe Znj. Trump.

Pekini ka arsye të mira për të qenë “nervoz” në lidhje me diagnozën e Trump. Mediat kineze dhe zyrtarët e lartë janë ankuar prej kohësh për mënyrën se si vendi ka qenë, me fjalët e tyre, “i akuzuar” për efektet e pandemisë në SH.B.A., dhe Pekini është i pakënaqur pasi është kthyer në temë kryesore në zgjedhjet e Sh.B.A.

Megjithatë kjo duket se nuk ka gjasa të ndryshojë. Trump tani mund të marrë një qëndrim edhe më të ashpër ndaj Kinës, duke u mbështetur më tej në narrativën që ai ka vërtetuar prej muajsh tashmë se Pekini është fajtor.

Disa politikanë të djathtë të SHBA tashmë po përdorin diagnozën e Trump për të fajësuar edhe më shumë Kinën. Senatorja Republikane Kelly Loeffler shkroi dje në Twitter se “Kina i dha këtë virus Presidentit tonë”.

Para diagnozës së Trump, ambasadori i Kinës në SH.B.A., Cui Tiankai, shkroi në Twitter se një marrëdhënie e shëndoshë dhe e qëndrueshme “është në interes të të dy vendeve”.

Pekini gjithmonë e ka vlerësuar stabilitetin mbi të gjitha. Sidoqoftë, diagnoza e Trump, pavarësisht nga rezultati kërcënon këtë stabilitet.

Fredjana Hamzallari