MENU
klinika

Reagon Kryeministri: Nuk ke kompetenca të fusësh hundët...

Presidenti Meta publikon letrën që i ka dërguar Ramës, Ruçit dhe Manastirliut

28.10.2020 - 10:06

Presidenti Ilir Meta i është drejtuar ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, me një letër zyrtare, ku thuhet se “situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë”.

Duke iu referuar shifrave zyrtare rreth numrit të të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi, kreu i shtetit thekson se “duhet bërë një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.

Duke rreshtuar disa pyetje, për numrin e testimeve, stafin mjekësor, masat për rimbursimin e shpenzimeve për mjekim apo kontroll të pacientëve, trajtimin e sëmundjes, Meta thekson ndër të tjera: “Elementët themelorë të përcaktuara qartë nga OBSH, si testimi, gjurmimi dhe trajtimi, kërkojnë një intensifikim të jashtëzakonshëm të masave për realizimin e plotë të tyre”.

POSTIMI I PLOTE I PRESIDENTIT META

Nisur nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrin të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve të cilën kanë humbur jetën, shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.

Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë.

Në këto kushte, po bëj publike letrën zyrtare që i kam dërguar ministres së Shëndetësisë, për dijeni Kryeministrit ende në detyrë dhe Kryetarit të Kuvendit.

LETRA E PLOTE E PRESIDENTIT

E nderuar zonja Ministre,

Referuar informacioneve zyrtare, situata e pandemisë COVID-19 është rënduar dukshëm javët e fundit në vendin tonë.

Sa më sipër, mendoj se duhet bërë një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.

Elementët themelorë, të përcaktuara qartë nga OBSH, si testimi, gjurmimi dhe trajtimi, kërkojnë natyrshëm një intensifikim të jashtëzakonshëm të masave për realizimin e plotë të tyre.

Duke pasur parasysh që Shqipëria ka numrin më të ulët të testimeve në Evropë, çfarë masash janë marrë për të shtuar këtë numër? A ka ndonjë parashikim se kur dhe sa do të rritet numri i testimeve në ditët në vijim?

A kemi staf mjekësor dhe mbështetës mjaftueshëm për të siguruar gjurmimin e kontakteve, veçanërisht me rritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19.

Çfarë përpjekjesh janë bërë për vënien në efiçencë të plotë të mjekut të familjes, si në nivel testimi ashtu edhe diagnostikimi dhe mjekimi të pacientëve që mjekohen ambulatorisht?

Çfarë masash janë marrë për rimbursimin e shpenzimeve për mjekim apo kontroll të pacientëve, që mjekohen ambulatorisht, duke pasur parasysh që këto shpenzime kapin vlera shumë të larta për qytetarët shqiptarë?

Për sa i takon trajtimit, vërehet qartë se të dy strukturat e përcaktuara, spitalet COVID1 dhe COVID2 janë tepër të ngarkuara.

Sa kapacitete spitalore dhe reanimatore janë vendosur në dispozicion të të sëmurëve Covid dhe sa në dispozicion të të sëmurëve të tjerë me sëmundje kronike ose jo, të cilët kanë vështirësi në marrjen e ndihmës mjekësore?

A ka një plan koordinimi midis sistemit shëndetësor publik e atij privat për testimin, gjurmimin dhe kurimin sa më të mirë të pacientëve të prekur nga Covid-19?

Si është planifikuar vaksinimi stinor dhe sa është përqindja e popullsisë me risk të lartë, e vaksinuar deri në këto momente?

Çfarë masash janë marrë për sigurimin e vaksinës dhe për vaksinimin e popullsisë kundër Covid-19 dhe si mendohet të kryhen fazat e këtij vaksinimi menjëherë mbas daljes së vaksinës?

A janë planifikuar në buxhetin e shtetit fonde të mjaftueshme për përballimin e pandemisë Covid-19, në rritje dhe pasojat e saj në shëndetin e popullsisë?

Sa financime janë kryer deri tani, sa janë parashikuar të kryen në javët dhe muajt e ardhshëm dhe cilat janë instrumentet financiare që do të përdoren për të përballuar situatën shëndetësore që po përkeqësohet dita ditës?

Duke Ju falënderuar për bashkëpunimin,

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas letrës së presidentit Ilir Meta për situatën e pandemisë. Në një postim në twitter, Rama thotë se Presidenti nuk ka asnjë kompetencë të ndërhyjë në punën e ekspertëve, ndërsa e këshillon që sëpari të fillojë të mbajë maskën.

“Ilir ti s’ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore! Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia,mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s’po bën prej kohësh!” shkruan Rama.

Rama nënvizon se janë ekspertët ata që vendosin për hapat që duhen ndërmarrë çdo ditë në bazë të strategjisë së vjeshtë-dimrit.

Kryeministri thotë se rritja e numrave është brenda parashikimeve.

“Ne duhet të shmangim me çdo kusht një mbyllje të re, prandaj secili, ti i pari, duhet të zbatojë rregullat e thjeshta” deklaron Kryeministri.

Sa i takon Ministres së Shëndetësisë, Rama thotë se Manastirliu meriton përkrahje pa rezervë për punën e palodhur që po bën, siç e meritojnë ekspertët dhe padiskutim mjekët e infermierët që sipas tij po shkëlqejnë prej muajsh në këtë luftë, ku e tërë bota po vuan nga të njëjtat probleme e dilema të mëdha vendim-marrëse.

Reagimi i Ramës erdhi fill pasi presidenti Ilir Meta bëri publike letrën drejtuar ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, ku paralajmëronte se “situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë”.

Duke iu referuar shifrave zyrtare rreth numrit të të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi, kreu i shtetit thekson se “duhet bërë një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.
Duke rreshtuar disa pyetje, për numrin e testimeve, stafin mjekësor, masat për rimbursimin e shpenzimeve për mjekim apo kontroll të pacientëve, trajtimin e sëmundjes, Meta thekson ndër të tjera: “Elementët themelorë të përcaktuara qartë nga OBSH, si testimi, gjurmimi dhe trajtimi, kërkojnë një intensifikim të jashtëzakonshëm të masave për realizimin e plotë të tyre”.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!