MENU
klinika

Por si do të sigurohen ato?

Projektbuxheti premton rritje të ardhurash në 2021!

21.10.2020 - 10:44

Në vitin 2021, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 479 miliard lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 437 miliard lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 311 miliard lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 99,7 miliard lekë.

Krahasuar me të pritshmin e vitit 2020, të ardhurat gjithsej të buxheti të shtetit rriten 10.6 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen të rriten 12.2 % ose +37.1 miliard lekë.

Të ardhurat doganore janë parashikuar bazuar në analizën e trendit historik të 60 grup-produkteve kryesore, për një periudhë shumevjecare. Ky parashikim është korrektuar me efektet e faktorëve të tjerë të jashtëm në secilën taksë. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për të ardhurat nga tatimet, duke marrë për bazë modelin statistikor të projeksionit të të ardhurave të pritshme si dhe faktorët ekzogjenë me ndikim në çdo taksë.

Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” parashikohet të jetë 143.5 miliardë lekë, 15.4 miliardë lek ose 12% më shumë se pritshmëria për vitin 2020. Burimet e rritjes së TVSH-se në vitin 2020 do të jenë:

-TVSH-së që do të gjenerohet si rezultat i rritjes ekonomike;

-TVSH nga rritja e volumit të importeve dhe konjuktura e çmimeve ndërkombëtare;

-TVSH nga përmirësimi i administrimit, lufta ndaj informalitetit dhe kontrolli i zinxhirit të transaksioneve ndërmjet operatorëve.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” vlerësohen me rritje 19.2% ose 5.3 miliardë lekë më shumë se viti 2020, pra parashikohet të arkëtohen 33 miliardë lekë. Rritja e parashikuar në tatimin mbi fitimin bazohet:

-Në rikuperimin e ekonomisë dhe rritjen e saj, çka do reflektohet edhe në deklaratat e tatimpaguesve;

-në forcimin e kontrollit të deklaratave, bazuar në kriteret e riskut;

Të ardhurat nga “Akciza” vlerësohen të jenë 49 miliardë lekë, me një rritje prej 4.4 miliardë lekë ose 9.9% më shumë se pritshmëritë për vitin 2020. Faktorët kryesorë që do ndikojnë në rritjen e parashikuar të të ardhurave nga akciza lidhen me: rritjen e importit të mallrave të fortë si karburante dhe cigare, si dhe forcimin e luftës kundër informalitetit, nëpërmjet kontrollit rigoroz të subjekteve të akcizës si dhe disiplinimit të mëtejshëm të procedurave të përfitimit të përjashtimeve dhe rimbursimeve nga kjo taksë.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” parashikohen 41 miliardë lekë, me një rritje prej 4.7 miliardë lekë ose 12.9% më shumë se pritshmëritë për vitin 2020. Në parashikimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale janë marrë në konsideratë rritja ekonomike dhe impakti i saj në nivelin e pagës mesatare si dhe rritja e numrit të të punësuarve në sektorin privat, bazuar në ecurinë e vitit 2019, si dhe incentivat për nxitjen e punësimit bazuar në paketën mbështetëse për rritjen e punësimit Covid-19;

Të ardhurat nga “Taksa Nacionale dhe të tjera” vlerësohen të jenë 38 miliardë lekë. Parashikimet për këtë taksë për vitin 2021 janë 11.2% ose 3.8 miliardë lekë më shumë se i pritshmi 2020 dhe bazohen në efektet e rritjes ekonomike dhe rritjes setakses se qarkullimit të automjeteve si rezultat i rritjes se sasive të karburantit që do të hidhen në treg.

Të ardhurat nga “Taksa Doganore” në vitin 2021 vlerësohet të jenë 6,5 miliardë lekë, me rritje 284 milionë lekë krahasuar me vitin 2020. Në programimin e të ardhurave janë marrë në konsideratë efektet e rritjes së importeve të tatueshme, si dhe disa efekte minimale nga lëvizja e tarifave doganore.

Të ardhurat nga “Kontributet për Sigurime Shoqërore e Shëndetësore” në vitin 2021 parashikohet të rriten me +5.9%, ose +5.4 miliardë lekë krahasuar me të pritshmin e vitit 2020. Të ardhurat gjithsej nga kontributet pritet të jenë 96.3 miliardë lekë, nga 90.9 miliardë lekë që do arkëtohen në vitin 2020. Rritja e programuar e të ardhurave mbështetet në këta faktorë:

-rritjen ekonomike çka do reflektohet në rritjen e numrit të punëmarrësve;

-forcimin e administrimit nëpërmjet kontrollit të nivelit të pagës të deklaruar dhe deviacionit të saj nga paga reale që përfitohet;

-rritjen e pages minimale nga 26 mijë në 30 mijë lekë me efekt vjetor të të ardhura rreth 3 miliard lekë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN