Kryeministri Edi Rama u shpreh dje se amnistia fiskale do të miratohet pasi të jetë certifikuar edhe nga ekspertiza ndërkombëtare.
Kreu i qeverisë i është kthyer sërish bashkëbisedimeve me ndjekësit në “Facebook”, duke iu përgjigjur pyetjeve nga shumë fusha. Kreu i qeverisë u ndal te nisma për amnistinë fiskale ku emigrantët mund të deklarojnë paranë e vënë nga puna në të zezë, ndërsa theksoi se do të bëhet shumë shpejt realitet.
“Jam i vetëdijshëm që lehtësimi i bërë për bizneset është i madh. Po punojmë me ekspertizë ndërkombëtare, pasi jam i bindur se njerëzve si ti, që janë dhjetra mijëra që kanë kursyer në emigracion dhe për më tepër ata që kthehen në Shqipëri, duhet t’u japim mundësinë për amnistinë fiskale. Durim, pasi punët e mira duan mundim. Ki besim, se më shpejt se vonë edhe këtë instrument do ta kesh gati”, tha Rama.
Qeveria është tërhequr përkohësisht nga nisma që dërgoi në parlament për amnisti fiskale dhe penale për të gjithë ata që do të deklarojnë në banka të ardhurat e padeklaruara.
Ish-ministri i Financave, deputeti socialist, Anastas Angjeli, në një intervistë ka treguar tri kushtet që duhet të plotësojë ligji për amnistinë e përgjithshme fiskale dhe penale për ta bërë atë të qëndrueshëm dhe të suksesshëm në zbatim.
Angjeli sugjeron pikësëpari një konsensus të gjerë politik në miratimin e këtij ligji, konsensus me grupet e profesionistëve dhe shoqërisë civile dhe marrjen shumë në konsideratë të sugjerimeve të bëra nga partnerët ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, por dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilët kanë paraqitur dilema ndaj draftit që qeveria dërgoi në Kuvend.
Sipas tij, ligji i ri për amnistinë duhet të jetë në një linjë me Reformën në Drejtësi dhe punën e institucioneve të reja të drejtësisë.
Për ish-ministrin socialist të Financave, tërheqja nga një ligj i tillë nuk përbën ndonjë dramë, sepse nisur nga përvoja e vendeve të ndryshme, jo gjithmonë amnistitë e përgjithshme fiskale kanë rezultuar të suksesshme.
Zoti Angjeli parashikon edhe mundësinë e shtyrjes së afatit të rivlerësimit të pasurive nga ana e qytetarëve, për shkak të pamundësisë për të aplikuar nga pandemia e Covid-19.
MERITOKRACIA
Kreu i qeverisë i është përgjigjur dhe një ndjekëse të tij në “Facebook”, e cila përmes një videomesazhi pyet Kryeministrin Rama, nëse do të vendoset meritokracia për punësimin e të rinjve në Shqipëri.
“Xhan, në fakt kjo që ti pyet po ndodh në Shqipëri, jo sot por prej disa vitesh. Administrata jonë publike është një sistem i certifikuar edhe nga KE-ja, sistem i besueshëm konkurrimi dhe meritokracie për të gjitha ato vende vakante ku kushdo që përmbush kriteret ftohet për të konkurrojë.
Sot, jemi në vazhdim të aplikimit të një programi të ri për të gjithë ekselentët që drejtpërdrejt mund të punojnë në administratën publike, vetëm në bazë të vlerësimit që kanë marrë nga universiteti.
Mësuesit, që prej shumë vitesh tanimë hyjnë në punë vetëm përmes konkursit dhe platformës dixhitale, mjekët e infermierët nuk rekrutohen më sipas partisë, krushqisë e xhepit, por përsëris dhe shumë ka për të bërë”, përgjigjet Rama.