Zhbllokohet pas dy vitesh projektligjin për censin (regjistrimin) e popullsisë dhe banesave në Shqipëri.
Komisioni i Ligjeve miratoi sot në parim projektligjin për regjistrimin e të gjithë personave shqiptarë apo të huaj që ndodhen në Shqipëri, bashkë me objektet, duke i hapur rrugë miratimit në tërësi dhe më pas në Parlament. Nisma e depozituar në Kuvend që në vitin 2018, u prezantua nga zëvendësministri i Jashtëm Agron Tare dhe Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli. Miratimi i projektligjit është një nga 15 kushtet shpallura nga Bashkimi Evropian për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Pika më e nxehtë e pyetësorit në kuadër të ligjit të censit, janë pyetjet mbi etninë dhe fenë, të cilat pritet të prodhojnë debate dhe zhvillime të befasishme ashtu si 10 vite më parë. Minoriteti grek ka pretenduar se zinte rreth 15 % të popullsisë në Shqipëri. Por, nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, rezultoi se minoriteti grek ishte vetëm 0.87 %. Partitë që përfaqësojnë minoritetin pretenduan se regjistrimi ishte manipuluar dhe se ishte ushtruar presion, për të mos deklaruar etninë greke. Ato nisën në regjistrim paralel, që dështoi. Debate ngjalli edhe përkatësia fetare. Me miratimin e ligjit të ti, çdo person brenda territorit shqiptar do të deklarojë edhe një herë përkatësinë etnike dhe fetare.
Diskutimet në Komisionin e Ligjeve
–Elsa Dhuli nga INSTAT: “Projektligji për censusin e popullsisë dhe banesave ka si qëllim forcimin e kuadrit ligjor. Efektet e tyre janë prodhimi i treguesve statistikorë që do mundësojnë një panoramë më të qartë për demografinë, por edhe për zhvillimin e planeve sociale ekonomike dhe për qëllime të tjera. INSTAT ndjek dhe zbaton rekomandimet përkatëse për censuset e kaluara. Synon: Prodhimin e statistikave të banesave, rolin e INSTAT për kryerjen e proceseve, rolin mbështetës të institucionit të ekzekutivit, ruajtjen e administrimin e informacionit të mbledhur, detyrimin e personave për të garantuar konfidencialitetin statistikor, harmonizimin e bazës ligjore që rregullojnë veprimtarinë statistikore në vend, strategjinë për planin dhe zhvillimin, strukturat mbështetëse për vetëqeverisjen vendore. Projektligji është hartuar nga Instituti i Statistikave. Projektligji propozohet të rishikohet në tërësi pa prekur thelbin. Synon përputhjen pjesërisht të rregulloreve me BE.
–Alket Hyseni: Projektligji për censusin vjen në komision për dhënie mendimi. Është mjaft i rëndësishëm dhe delikat për trajtimin e çështjeve të caktuara për të cilën Shqipëria është në avangardë dhe duhet të krenohemi me garantimin e të drejtave të minoritarëve.
Statistikat janë elementë të rëndësishëm të politikbërjes. Ky projektligj duhet mbështetur në parim. Pse nuk është përcaktuar periudha e kryerjes së censusit? Është parashikuar ngritja e zyrave para bashkive? A është bërë një konsultë me përfaqësues të pushtetit lokal dhe nëse jeni nisur nga një studim i caktuar.?
–Adriatik Alimadhi: Komisioni përbëhet nga përfaqësues nga 13 dikastere, dhe ky komision do drejtohet nga INSAT? A nuk do ishte më mirë ta drejtonte një nga ministritë përgjegjëse, ose ekzekutivin që ka kontrollin e plotë me INSTAT-In
–Hyseni: Të mos i japim ngjyrim politik, që mos i japim vend për kontestime.