MENU
klinika

RT: Danimarka jep lejen, por ka kushte!

Bie muri i fundit që pengonte përfundimin e Nord Stream 2

01.10.2020 - 15:57

Agjencia daneze e Energjisë (DEA) njoftoi sot se i ka dhënë operatorit të projektit Nord Stream 2 një licencë për të kryer operacione përgjatë shelfit kontinental të atij vendi.

“Nord Stream 2 AG i është dhënë një leje operimi për tubacionet Nord Stream 2 në shelfin kontinental danez”, tha DEA, duke shtuar se “Leja është dhënë në një numër kushtesh.”

Sipas agjencisë, kushtet pritet të sigurojnë funksionimin e sigurt të tubacionit të gazit, i cili është duke u ndërtuar për të transportuar gazin rus tek konsumatorët evropianë përmes Detit Baltik.
Njoftimi i DEA vjen pasi disa politikanë në Gjermani dhe Bashkimin Evropian kohët e fundit kishin lëshuar thirrje për sanksionimin dhe madje edhe dhënien fund të projektit Nord Stream 2, për shkak të helmimit të supozuar të figurës ruse të opozitës Alexey Navalny.

Më parë në shtator, sekretari i shtetit Mike Pompeo i tha Bild të Gjermanisë se Uashingtoni po krijon një koalicion për të penguar Nord Stream 2. Ai tha se do të dëshironte që Gjermania të miratonte pozicionin e SHBA mbi projektin e drejtuar nga Rusia, ose për shkak të Navalny ose “implikimet reale të sigurisë” të varësisë nga gazi rus. Sidoqoftë, Kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje që çështja e Nord Stream 2 dhe incidenti me Navalny të mos lidhen.

Administrata amerikane ka kritikuar vazhdimisht tubacionin Nord Stream 2, duke synuar të prishë projektin në mënyrë që të rritë shitjet e gazit natyror të lëngshëm amerikan (LNG) në Evropë. Ndërkohë, shumë kombe evropiane kanë theksuar tashmë se duan të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë dhe tubacioni i gazit Nord Stream 2 nga Rusia mund të jetë një nga mënyrat për ta arritur këtë.

Gazsjellësi i ri, i cili ishte projektuar për të rritur furnizimet e gazit në Gjermani dhe shtetet e tjera evropiane me 55 miliardë metra kub (bcm) në vit, aktualisht është afër përfundimit në Detin Baltik. Rusia duhej të dërgonte anijet e saj për të vendosur kilometrat e fundit të itinerarit, pasi kompania zvicerano-holandeze Allseas tërhoqi anijet e saj për shkak të kërcënimit të sanksioneve amerikane.

/Përkthyer dhe përshtatur për Konica.al nga RT