MENU
klinika

Do vijojë traktati për armatimet

Rusia pranon kushtet e SHBA-së për ngrirjen e arsenalit bërthamor

20.10.2020 - 15:07

Rusia u shpreh e gatshme për ngrirjen e arsenalit të saj bërthamor në mënyrë që të zgjasë traktatin e rëndësishëm të reduktimit të armëve “New Start” nëse SH.B.A. nuk paraqet ndonjë kërkesë tjetër.

Kështu u tha sot nga Ministria e Jashtme e Rusisë.

“Rusia propozon të zgjasë Traktatin e Ri me një vit dhe është e gatshme, së bashku me Shtetet e Bashkuara, për një angazhim politik për të ngrirë numrin e kokave bërthamore të zotëruara nga të dyja palët për këtë periudhë,” u thë në deklaratë.

“Kjo mund të zbatohet në mënyrë rigoroze dhe ekskluzive nëse ka mirëkuptim dhe nëse “ngrirja” e kokave bërthamore nuk do të shoqërohet nga ndonjë kërkesë shtesë nga Shtetet e Bashkuara”.

Ministria e Jashtme ruse shtoi se pret të dëgjojë sa më shpejt të jetë e mundur nga Uashingtoni nëse marrëveshja “i përshtatet” palës amerikane.

Javën e kaluar, SH.B.A.-ja refuzoi ofertën e presidentit rus, Vladimir Putin për të zgjatur marrëveshjen për një vit pa asnjë kusht paraprak.

Traktati historik i Reduktimit të Armëve të Reja Strategjike, që skadon më 5 shkurt, është traktati i fundit midis SH.B.A. dhe Rusisë që shërben për të vendosur kufij në rritjen e dy prej arsenaleve më të mëdha bërthamore në botë që kur SHBA u tërhoq zyrtarisht nga traktati i Forcave Bërthamore në gusht 2019.

Presidenti, Donald Trump ka kërkuar që ekipi i tij i sigurisë kombëtare të sigurojë një marrëveshje bërthamore me Rusinë përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Ai fillimisht kishte dashur të fuste Kinën në marrëveshje, por Kina ka refuzuar vazhdimisht pjesëmarrjen në çdo diskutim.

Rusia ka hedhur poshtë gjithashtu një numër propozimesh të SH.B.A.së për ta bërë atë të pranojë një seri obligimesh shtesë në mënyrë që të rinovojë START-in e Ri.

Të premten, në një takim me këshilltarët e tij, Putini propozoi të zgjasë traktatin e zvogëlimit të armëve bërthamore për një vit pa kushte paraprake.

Ky propozim u refuzua me shpejtësi nga SH.B.A. me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert

O’Brien duke e quajtur ofertën “jo starter”.

“Përgjigja e Presidentit Putin për të zgjatur START-in e Ri pa ngrirjen e kokave bërthamore është jo starter,” tha ai.

“Shtetet e Bashkuara janë shumë serioze në lidhje me kontrollin e armëve bërthamore që do të mbajë të gjithë botën të sigurt. Shpresojmë që Rusia do të rivlerësojë pozicionin e saj”.

Negociatori i lartë amerikan, Marshall Billingslea, shkroi në Twitter se bisedimet midis dy vendeve kishin përfunduar.

“Shtetet e Bashkuara bënë çdo përpjekje. Është zhgënjyese që Federata Ruse u tërhoq shpejt nga një marrëveshje që mbante të ngrira kokat bërthamore. Kjo do të kishte qenë një marrëveshje historike, e mirë për SH.B.A., Rusinë dhe botën”, shkroi ai.

Si duket pas gjithë këtyre deklaratave dhe diskutimeve pala ruse ka ndërruar qëndrim dhe ka vendosur të shtyjë marrëveshjen me një vit duke u pajtuar me kushtet e vedosura nga SHBA-ja.

Përkthyer dhe përshtatur nga: cnn/ F.H, konica.al 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Akuza të tilla flasin për fuqinë tonë…”

Putin: Rusia po përdoret kundër Trump në zgjedhje