Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në cilësinë e Guvernatorit të Republikës së Shqipërisë në FMN, mori pjesë në takimin e parë të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat këtë vit zhvillohen online.
Gjatë takimit, Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë gjysmës së parë të vitit, sidomos në tremujorin e dytë të vitit 2020, dhe kjo goditje ka dhënë ndikimin e saj në konsum, në investime, në punësim dhe në borxhin publik.
Guvernatori shtoi se ekonomia shqiptare pritet të fillojë rimëkëmbjen në vitin 2021 dhe inflacioni të kthehet në objektiv brenda vitit 2022.
Për sa i përket sistemit bankar, ai u shpreh se pandemia e gjeti sistemin me tregues të mirë financiar, si dhe me një nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti dhe këta parametra kanë vijuar të ruhen të shëndetshëm gjatë gjithë kësaj periudhe.
Më tej, Sejko prezantoi masat e marra nga Banka e Shqipërisë si përgjigje e goditjes së krijuar nga pandemia, ku mund të përmendet rritja e stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, ndryshimet në kuadrin rregullator, të cilat patën për qëllim lehtësimin e shtyrjes së përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.