MENU
klinika

Lufta për Nagorno-Karabakh-un

SHBA tenton t’i japë fund konfliktit Armeni-Azerbajxhan

23.10.2020 - 16:55

Azerbajxhani dhe forcat etnike armene zhvilluan luftime sërish sot në disa pjesë të Karabakut, disa orë para se bisedimet të fillonin në Uashington për të përfunduar luftimet më vdekjeprurëse në enklavën malore për më shumë se një çerek shekulli.

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo kishte planifikuar të takonte ministrat e jashtëm të Azerbajxhanit dhe Armenisë në një përpjekje të re për t’i dhënë fund gati një muaji gjakderdhjeje gjatë të cilit, presidenti rus, Vladimir Putin tha se 5000 njerëz mund të jenë vrarë.

Dështimi i dy armëpushimeve të ndërmjetësuara nga Rusia ka zbehur shpresat për një fund të shpejtë të luftimeve që shpërthyen më 27 shtator mbi Nagorno-Karabakun, një territor i shkëputur i cili është brenda Azerbajxhanit por kontrollohet nga armenët etnikë.

Fuqitë botërore duan të parandalojnë një luftë më të gjerë që përfshin edhe Turqinë, e cila ka shprehur mbështetje të fortë për Azerbajxhanin dhe Rusinë, e cila ka një pakt mbrojtje me Armeninë.

Pak para se bisedimet në Uashington të fillonin, presidenti turk Taip Erdogan, u tha gazetarëve në Stamboll se ai shpresonte se Moska dhe Ankaraja mund të punonin së bashku në zgjidhjen e konfliktit.

Duke përsëritur kërkesat për rolin e Turqisë në ndërmjetësim i cili ka kohë që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Franca, ai tha: “Turqia beson se ka po aq të drejtë sa Rusia të përfshihet këtu për bisedime paqeje.”

Uashingtoni, Parisi dhe Moska kanë injoruar thirrje të tilla nga ana e Turqisë dhe mosmarrëveshjet rreth konfliktit kanë ndërlikuar më tej marrëdhëniet midis Ankarasë dhe aleatëve të saj në NATO, ndërsa Pompeo akuzoi Turqinë për nxitjen e konfliktit duke armatosur palën azeriane. Ankaraja e ka mohuar akuzën.

Në përplasjet e fundit, ministria e mbrojtjes e Azerbajxhanit raportoi luftime në zona duke përfshirë territore afër vijës së kontaktit që ndan palët.

Ministria e mbrojtjes së Armenisë gjithashtu raportoi luftime në disa zona dhe tha se qyteti Martuni në Nagorno-Karabak u bombardua gjatë natës. Azerbajxhani e mohoi këtë akuzë.

Azerbajxhani ka shprehur shqetësim në lidhje me sigurinë e luftimeve afër tubacioneve që transportojnë naftë dhe gaz azerbajxhanas përmes Kaukazit të Jugut në tregjet botërore, por asnjë nuk është dëmtuar.

Pompeo pritet të zhvillojë bisedime të ndara me ministrin e Jashtëm azerbajxhan, Jeyhun Bayramov dhe ministrin e Jashtëm, Armen Zohrab Mnatsakanyan. Nuk është e qartë nëse ministrat e dy ish-republikave Sovjetike do të takohen drejtpërdrejt.

Pompeo tha këtë javë se ai shpresonte që “rruga e drejtë përpara” të mund të gjendej në bisedime, por kryeministri armen, Nikoll Pashinyan tha se ai nuk shihte asnjë zgjidhje diplomatike të konfliktit të gjatë në këtë fazë.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev i ka përshkruar perspektivat e arritjes së një zgjidhje paqësore si “shumë të largëta” dhe kërkoi premtime që Azerbajxhanit do t’i kthehet kontrolli i Nagorno-Karabakut.

Rreth 30.000 njerëz u vranë në një luftë në vitet, 1991-1994 për Nagorno-Karabakun. Armenët e konsiderojnë territorin si pjesë të atdheut të tyre historik dhe akuzojnë Azerbajxhanin për grabitje toke në luftimet e fundit.

Forcat azeriane thonë se armenët kanë përfituar territore, duke përfshirë kontrollin e plotë mbi kufirin me Iranin, gjë që Armenia e mohon.

Nagorno-Karabak thotë se forcat e saj në mënyrë të përsëritur kanë ndalur sulmet dhe kanë situatën nën kontroll.

Përkthyer dhe përshtatur nga: usnews/ F.H, konica.al 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN