Kryeministri Edi Rama njoftoi të enjten se Shqipëria do t’i siguronte dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit nëpërmjet fondacionit të miliarderit amerikan Bill Gates.
Qeveria shqiptare ka kërkuar që të blejë një milion e njëqind e dyzet mijë doza vaksine anti-covid duke nënshkruar një marrëveshje me ‘Covax Facility’, kompani me qendër në Gjenevë të Zvicrës e financuar nga Gates. Ajo ka pronotuar sasinë e vaksinave që nevojiten për 20% e popullsisë. Sipas aktmarrëveshjes që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, një person do të marrë dy doza vaksine dhe sasia prej 1.14 milionë dozash do të shërbejë për rreth 570 mijë shqiptarë.
Shuma totale që Shqipëria po i jep Covax është 3.99 milionë dollarë, një shumë parash do të rrijë e ‘ngrirë’ nga pala shqiptare deri në zbulimin e vaksinës, pasi në marrëveshje është vendosur si klauzolë që vaksina do te merret pasi të certifikohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Shqipëria i është bashkuar kështu vendeve të varfra të Europës dhe mbarë botës, për të siguar në kohë dozat e vaksinës, nëpërmjet Fondacionit Gates ndërkohë që vendet e pasura kanë rezervuar miliona doza.
Por si funksionon Covax dhe si do të bëhet shpërndarja e vaksinën? Kjo e fundit është ende e paqartë.
Covax është një bashkëpunim global thelbësor për të përshpejtuar zhvillimin, prodhimin dhe qasjen e barabartë ndaj trajtimeve dhe vaksinës së koronavirusit. COVAX drejtohet nga Fondacioni i Bill Gates dhe OBSH. Në një fjalim në Parlamentin Europian miliarderi tha se qëllimi i tij është të përshpejtojë zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave COVID-19 dhe të garantojë qasje të drejtë dhe të barabartë për çdo vend në botë. “Covax u konceptua si një mënyrë për t’u dhënë vendeve akses në vaksinat e koronavirusit pavarësisht nga pasuria e tyre”, thotë ai.
Covax shprehet është duke bashkuar fuqinë blerëse nga të gjitha vendet që marrin pjesë duke siguruar qasje të shpejtë ndaj vaksinës sapo kompanitë që zhvillojnë kërkimin e saj të marrin miratimin rregullator nga OBSH. Kjo nismë ka mbledhur në fakt të gjitha vendet e varfra, të cilave u kërkohen minimalisht nga 2 milionë euro. Fondacioni Gates thotë se do të bëjë të mundur shpërndarjen e dozave të vaksinës, në mënyrë të barabartë dhe në kohë rekord sapo ajo të miratohet për të ndihmuar në mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara në të gjitha vendet pjesëmarrëse.
Fondacioni thotë se po punon me UNICEF dhe OBSH për të siguruar që në vendet qe janë bërë pjesë e kësaj aleance për të kenë edhe mbështetjen e nevojshme teknike për t’u siguruar që vaksina kundër Covid-19 të mund të shpërndahet në mënyrë të sigurt për të gjithë ata që kanë nevojë për to.
Por skeptikët thonë se ky projekt ambicioz humanitar për të shpërndarë vaksinat e koronavirusit te njerëzit më të varfër të botës po përballet me mungesa të mundshme parash, aeroplanë shpërndarje dhe më e rëndësishmja, vetë vaksinën.
Në një nga pengesat më të mëdha është se vendet e pasura kanë mbyllur shumicën e furnizimit të mundshëm të vaksinave në botë deri në vitin 2021.
Qëllimi i Covax është të blejë dy miliardë doza deri në fund të vitit 2021, megjithëse nuk është ende e qartë nëse vaksina e suksesshme do të kërkojë një apo dy doza. Fondacioni Gates ka premtuar se vendet që marrin pjesë në projekt mund edhe t’i marrin falas dozat e para të vaksiëns nëse është e nevojshme.
Por një problem i hershëm që është shfaqur është se disa nga kombet më të pasura të botës negociuan marrëveshjet e tyre drejtpërdrejt me kompanitë që po zhvillojnë kërkimin e vaksinave, që do të thotë se nuk kanë nevojë të marrin pjesë fare në këtë përpjekje. Kina, Franca, Rusia dhe SHBA kanë konfirmuar kohët e fundit se nuk kanë ndërmend të bashkohen. Si të mos mjaftonte kjo, shumë vende të pasura po rezervojë doza vaksina nga kompanitë farmaceutike, edhe pse ato nuk janë aprovuar duke kanë kapur pjesën më të madhe të furnizimit me vaksina.
Bashkimi Europian ka kontribuar me 400 milion euro për të mbështetur Covax, por blloku prej 27 vendesh nuk do të përdorë vetëm Covax për të blerë vaksina, pasi ka nënshkruar kontrata për të blerë më shumë se një miliard doza me disa kompani të tjera që janë duke zhvilluar kërkime për vaksinën.
Clemens Auer, i cili qëndron në bordin ekzekutiv të OBSH-së dhe ishte negociatori kryesor i BE-së për marrëveshjet e saj të vaksinave, tha se ekziston një mungesë shqetësuese e transparencës për mënyrën se si do të funksionojë Covax.
“Ne nuk na është prezantuar asnjë e dhënë për vaksinat, çmimin, cilësinë, platformën teknike të shpërndarjes ose rreziqet,” tha Auer. “Kjo është plotësisht e papranueshme”.
Komisioni ka nënshkruar dy kontrata për të lejuar blerjen e një vaksine me kompanitë e AstraZeneca dhe Sanofi-GSK. Si pjesë e Covax, OBSH dhe Fondacioni Gates kanë kërkuar që vendet të vendosin në radhën e parë të vaksinimit punonjësit shëndetësorë, pastaj të moshuarit, me synimin për të vaksinuar 20 për qind të popullsisë së botës.
Por problemi më i madh është shpërndarja e saj në vendit që i janë bashkuar është transporti ajror për vaksinat si dhe gjetja e shisheve apo shiringave për dërgimin e këtyre dozave.
Shumë nga kandidatët kryesorë të vaksinave kërkojnë dy doza. Kjo do të thotë dy herë më shumë shiringa, dy herë më shumë hapësirë dhe dy herë më shumë telashe për pacientët në cepat e largëta të botës që duhet të marrin në kohë dozën e dytë në mënyrë që të mos përballen me efekte anësore.