Gjatë një vizite katër vjet më parë në zonën e diskutueshme të Nagorno-Karabakut, popullsia armene që mbizotëron në enklavë dukej aq e fortë dhe e palëvizshme sa kodrat shkëmbore që rrethojnë rajonin.
“Ne jemi malet tona”, proklamoi një statujë masive prej guri në rrugën për në aeroportin e kryeqytetit.
Armenët ishin të sigurt para se lufta e dronëve të mbërrinte në terrenin e thyer të Karabakut.
Përdorimi i Azerbajxhanit i dronëve të prodhuar nga Turqia dhe Izraeli ka ndryshuar ekuilibrin e këtij konflikti, duke i vendosur Armenët në mbrojtje. Gati 800 armenë kanë vdekur që nga fillimi i luftës më 27 shtator, sipas raporteve zyrtare; pala azerbajxhanase nuk ka njoftuar viktima, por gjithashtu besohet se ka numër të lartë viktimash.
Konflikti Armeni-Azerbajxhan mund të duket një konflikt shumë i vjetër. Por lufta është një demonstrim se si teknologjia moderne e armëve mund të “rindezë” papritmas ato që dukeshin si “konflikte të ngrira”.
Këtu është një sugjerim i thjeshtë për Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, i cili është planifikuar të takohet të premten me ministrat e jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit: Rruga drejt negociatave të vërteta dhe stabilitetit në rajon mund të fillojë me një zonë të ndaluar fluturimesh mbi enklavë, të zbatuar nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Franca, shtetet e “Grupit të Minskut” që ishin përpjekur për të zgjidhur çështjen e Karabakut që nga viti 1992.
Pompeo ka një sfidë të madhe. Rusia dhe Franca ndërmjetësuan dy armëpushime këtë muaj dhe të dy dështuan.
Ajo që është e nevojshme është një plan që i përfshin tre fuqitë e mëdha më drejtpërdrejt në rrëmujën e Karabakut dhe siguron një platformë për zgjidhjen e çështjeve të sovranitetit dhe refugjatëve.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu dëshirojnë të kontrollojnë Turqinë, aleatin e Azerbajxhanit, të cilin Pompeo e kritikoi në një intervistë këtë javë.
Të dyja palët tani duken më të hapura për negociata se më parë, sipas një raporti të Politico. Elin Suleymanov, ambasadori Azerbajxhan në Uashington, tha, “Ne duam negociata”. Homologu i tij armen, Varuzhan Nersesyan, tha, “Ne nuk shohim asnjë alternativë tjetër për zgjidhjen paqësore të këtij konflikti bazuar në kompromise të ndërsjella.”
Më herët gjatë luftës, Azerbajxhani mund t’i ketë rezistuar çdo armëpushimi. Por vrulli u duk se u kthye të martën.
Armenët e Karabakut janë luftëtarë këmbëngulës. Superioriteti i tyre në artileri dhe luftë tankesh ka vazhduar në luftimet që janë përsëritur shpesh.
Dronët e sotëm e kanë ndryshuar këtë paradigmë konvencionale ushtarake.
Armenisë i mungonin mjaft armë moderne për të luftuar flotën e dronëve azerbajxhanas. Mbrojtja e Armenisë kundër dronëve mund të përmirësohet nëse mund të fitojë mjaft sisteme të reja të saj, tha një burim armen.
Kjo mund të lejojë Armeninë të vazhdojë një luftë të përgjakshme, por është një strategji mbijetese në rastin më të mirë.
Prekshmëria e Armenisë në këtë luftë shqetëson një komb ende të prekur nga gjenocidi osman që vrau rreth 1.5 milion armenë në 1915.
Për armenët, kjo luftë kundër një kundërshtari të mbështetur nga turqit ndjehet si një luftë ekzistenciale, jo si një lojë rajonale për pushtet.
Tani që dobia e dronëve është demonstruar kaq fuqishëm, aktorët e tjerë rajonalë mund të mendojnë të rindezin konfliktet e tyre të ngrira.
Serbët dhe kosovarët ende kanë inate nga lufta në vitet 1990.
Separatistët në Ukrainën lindore kanë luftuar me Kievin që nga viti 2014. Po turqit? Duke parë se sa efektivë janë dronët e tyre në betejë, a do të luftojnë ata kundër kurdëve sirianë që dikur luftuan me dronët amerikanë?
Fuqitë e mëdha kanë nevojë për disa rregulla për këtë lojë të re dhe Pompeo duhet të fillojë me një zonë të ndaluar fluturimesh për Karabakun.
Përkthyer dhe përshtatur nga The Washington Post/ konica.al