Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka planifikuar të mbajë një fjalim publik në Shtëpinë e Bardhë sot, 10 Tetor për herë të parë qëkur u diagnostikua pozitiv me Covid-19, ndërsa po përgatitet për një kthim të shpejtë në fushatën zgjedhore vetëm tri javë para zgjedhjeve.
Komandanti i Përgjithshëm 74-vjeçar ka njoftuar gjithashtu një tubim në Florida të hënën në një përpjekje për të rifilluar fushatën e tij kundër rivalit të ri demokrat Joe Biden, i cili e quajti sjelljen e presidentit “të pamatur”.
Trump refuzoi të merrte pjesë në takimin zgjedhor të planifikuar javën e ardhshme pasi organizatorët e zhvendosën atë online për shkak të virusit.
Dje, Komisioni për Debatet Presidenciale e bëri zyrtare, duke thënë se debati i së enjtes së ardhshme është anuluar, duke e kaluar atë më 22 tetor dhe do jetë përballja përfundimtare mes Trump-Biden para ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor.
Kjo nxiti akuzat për diskriminim ndaj presidentit aktual ndërsa drejtori i komunikimit të fushatës së Trump, Tim Murtaugh, tha se “nuk ka asnjë arsye mjekësore për të ndaluar përballjen mes rivalëve politikë” në debatin e 15 tetorit.
I mposhtur nga shtrimi tre ditor në spital javën e kaluar, presidenti aktual është duke u përpjekur fort për të arritur Biden.
Dje gjatë një komunikimi mediatik, Trump pretendoi se Covid-19 tani ka një kurë.
Ai gjithashtu zbuloi se virusi dëmtoi rëndë shanset e tij për të fituar një mandat të dytë si president i SHBA-ve.
Fjalimi i së shtunës, sipas një zyrtari të lartë të administratës do të jetë në temën e preferuar të Trump për “ligjin dhe rendin”, dhe do t’i japë atij një shans për të shuar të gjitha dyshimet në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore.
Turma do mblidhet në lëndinën në pjesën jugore të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa presidenti do të flasë nga ballkoni.
Të gjithë të pranishmëve do t’u kërkohet të mbajnë maska dhe do të kontrollohet temperatura e tyre.
Të hënën, Trump do të ndërmarrë një hap tjetër të madh duke mbajtur një tubim në një shtet vendimtar të fushës së betejës.
“Do të jem në Sanford, Florida të hënën për një tubim shumë të madh!” shkroi Trump në Twitter.
Pasi Trump kaloi muaj të tërë duke u tallur me Biden për qëndrimin në shtëpi gjatë pandemisë, është Biden ai që ka dominuar me deklaratat kundër Trump së fundmi.
Ai vizitoi Arizonën të enjten dhe bëri fushatë të premten në Nevada. Trump fitoi të dy shtetet në 2016 por ata tani anojnë ngushtë nga Demokratët nëse bazohemi në sondazhe.
Biden kritikoi presidentin Trump në Las Vegas:
“Sjellja e tij e pakujdesshme që nga diagnostikimi i tij, efekti destabilizues që ka në qeverinë tonë, thjesht është i pandërgjegjshëm,” tha Biden.
Ndërsa hipi në avionin e tij të fushatës ai dha një mesazh për ata që morën pjesë në mbledhjet publike të Trump: “Paçi fat, unë nuk do shkoja nëse nuk do të kisha maskë dhe distancim.”
Dje, Trump dha një intervistë maratonë me drejtuesin e radios së krahut të djathtë, Rush Limbaugh në të cilën ai tha se kokteji eksperimental i antitrupave Regeneron që ai mori si pjesë e trajtimit terapeutik ishte “një kurë”.
“Është më mirë se një vaksinë”, tha Trump
Në fakt, ende nuk ka shërim dhe akoma nuk ka vaksinë të aprovuar për koronavirusin.
Më vonë të premten ai u shfaq në intervistën e tij të parë televizive që kur u diagnostikua me virusin, duke treguar në emisionin e Tucker Carlson në Fox se tani nuk merr më ilaçe.
Trump vazhdimisht ka pohuar se ndihet mirë dhe ai është mbështetur nga deklaratat e mjekut presidencial Sean Conley.
Por në intervistën e tij për Limbaugh, Trump tha për herë të parë që ai kishte qenë afër vdekjes, po të mos kishte atë regjim mjekësor që mori.
Sondazhet tregojnë se Biden kryeson shumë në demografi, përfshirë gratë dhe të moshuarit, duke bërë që analistët të flasin gjithnjë e më shumë për një fitore të mundshme.
Pakënaqësia e publikut për trajtimin që Trump i bëri pandemisë, është kthyer në krye të fushatës në dëm të tij.
Përkthyer dhe përshtatur nga dailynews/ F.H, konica.al