Vetëm katër ditë deri në zgjedhjet e 3 nëntorit, dy kandidatët për president amerikan i përqëndruan përpjekjet të premten në shtetet e lëkundura në qendër të vendit. Presidenti Donald Trump bëri fushatë në Miçigan, Minesota dhe Uiskonsin, ndërsa ish-nënpresidenti Biden bëri fushatë në Minesota, Uiskonsin dhe Ajova.
Miçigani ka 16 vota elektorale, ndërsa Uiskonsini ka 10 dhe Ajova ka 6.
Zoti Biden tha në një tubim në Ajova, ku përkrahësit po e ndiqnin nga makinat e tyre në terrenin e panairit shtetëror të kryeqytetit De Mojn, se ky shtet ishte goditur nga shifra rekord me koronavirus dhe ritme të larta të shtrimit në spital, duke thënë se presidenti “kishte hequr dorë” nga lufta kundër virusit.
“Ndryshe nga Donald Trumpi, ne nuk do të dorëzohemi para virusit,” tha ai.
Presidenti Trump tha para përkrahësve në një tubim nën qiell të hapur në Waterford Township të Miçiganit se rivali i tij Biden kishte parashikuar një dimër të zymtë për arsye të pandemisë.
“Tamam për atë ka nevojë vendi, për një dimër të gjatë e të zymtë dhe një udhëheqës që përmend këto gjëra,” tha zoti Trump.
Presidenti tha se një vaksinë e sigurtë do t’i shpëtonte amerikanët brenda pak javësh, duke shtuar se vaksina do të ofrohej falas, pasi “nuk e keni ju fajin. Fajin e ka Kina”. Presidenti Trump dhe rivali i tij demokrat Biden i përqendruan përpjekjet e tyre të fushatës të enjten në shtetin juglindor të Floridës, të cilin presidenti e fitoi në vitin 2016.
“Nëse Florida voton blu, fitorja është e jona”, tha zoti Biden në një tubim ku mbështetësit morën pjesë duke mos dalë nga makinat para kolegjit Broward, duke iu referuar ngjyrës së Partisë Demokrate.
Zoti Biden kritikoi Presidentin Trump për mbajtjen e tubimeve plot me njerëz mes pandemisë së koronavirusit ku shumica e të pranishmëve nuk mbajnë maska, duke i quajtur ato “aktivitete super përhapëse”.
Që nga viti 1966, kandidati që ka fituar në Florida ka fituar edhe presidencën. Ky shtet ka 29 vota elektorale nga 270 që nevojiten për të shpallur fituesin.
Sipas një analize të disa anketave kombëtare të përgatitur nga organizata Real Clear Politics, dy kandidatët janë thuajse barazim në Florida dhe Karolinën e Veriut, ndërsa presidenti renditet pas zotit Biden në Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin./VOA