Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u ka bërë thirrje turqve që të bojkotojnë mallrat franceze në momentin kur vendet ndodhen në mes të një grindjeje mbi qëndrimin e ashpër të Francës ndaj Islamit radikal.
Në një fjalim në televizion, ai u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të mbrojnë muslimanët “nëse ka shtypje ndaj tyre në Francë”.
Erdogan ka kritikuar keq homologun e tij francez, Emmanuel Macron për zotimin për të mbrojtur vlerat laike.
Kjo vjen pasi një mësues francez u vra për shfaqjen e karikaturave të Profetit Muhamed në klasë para nxënësve gjatë një ore mësimi.
Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat “, tha Presidenti Macron në fillim të kësaj jave.
Shfytyrimi i Profetit Muhamed konsiderohet gjerësisht si tabu në Islam dhe karikaturat janë fyese për shumë myslimanë.
Por laiciteti është thelbësor për identitetin kombëtar të Francës. Frenimi i lirisë së shprehjes për të mbrojtur ndjenjat e një komuniteti të veçantë minon unitetin, thotë shteti.
Për çfarë u krijua mosmarrëveshja mes dy vendeve?
Erdogan bëri thirrje për bojkot në një fjalim televiziv të hënën.
“Asnjëherë mos u jepni para mallrave të etiketuara franceze, mos i blini ato,” tha ai në kryeqytetin e Ankarasë, duke shtuar se “udhëheqësit evropianë duhet t’i thonë presidentit francez të ndalojë fushatën e tij të urrejtjes”.
Kjo erdhi pasi Macron u zotua të mbrojë sekularizmin dhe të ndalë Islamizmin radikal pas vrasjes së Samuel Paty.
Mësuesit iu pre koka më 16 tetor nga 18-vjeçari, Abdullakh Anzorov.
Dy javë para sulmit, Macron e përshkroi Islamin si një fe “në krizë” dhe njoftoi masa të reja për të trajtuar atë që ai e quajti “separatizëm islamik”.
Franca ka popullsinë më të madhe myslimane të Evropës Perëndimore, dhe disa akuzojnë autoritetet se po përdorin sekularizmin për t’i larguar ata.
Turqia nuk është i vetmi vend që kritikon komentet e Macron. Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan akuzoi presidentin francez për “sulmimin ndaj Islamit” në një status të dielën, ndërsa produktet franceze janë hequr nga disa dyqane në Kuvajt, Jordan dhe Katar.
Ka pasur protesta edhe në Libi, Siri dhe Rripin e Gazës.
Por Gjermania ka shprehur “solidaritet” me Macron pas deklaratës së presidentit turk.
Si janë marrëdhëniet e Francës me Turqinë?
Thirrjet e Erdogan për një bojkot të mallrave franceze vijnë pas muajsh tensionesh në rritje midis Francës dhe Turqisë.
Ndërsa të dy vendet janë anëtare të NATO-s, ata mbështesin palë të ndryshme në konfliktin e vazhdueshëm midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe në luftën civile në Libi.
Presidenti Macron është përplasur gjithashtu me Erdoganin për kërkimin e naftës dhe gazit turk në ujërat e diskutueshme në Mesdheun lindor.
Franca dërgoi avionë në rajon në gusht mes tensioneve.
Thirrja për bojkot të mallrave franceze vjen gjithashtu një ditë pasi Erdogan tha se Macron kishte nevojë për një kontroll të shëndetit mendor që fliste me aq ligësi për islamin.
Vërejtjet e tij bënë që Franca të njoftojë ambasadorin e saj në Turqi për konsultime.
Përkthyer dhe përshtatur nga: BBC/ F.H, konica.al