Presidenti rus, Vladimir Putin mund të jetë duke përgatitur terrenin për të lënë Kremlinin. Sipas Daily Mail, Putin është duke promovuar një ligj të ri që do t’i siguronte atij privilegjin e të qenit senator i përjetshëm i Rusisë, me imunitet dhe privilegje ligjore deri në fund të jetës së tij.
Daily Mail pretendon në një raport publikuar së fundmi, duke iu referuar një “indikacioni të rrallë” se Putini nuk ka ndërmend të mbetet president për gjithë jetën e tij, siç mund të mendonin disa.
Ligji i ri, i cili po nxitohet të marrë votën në parlamentin rus, do të lejojë Vladimir Putin të emërohet senator i përjetshëm, nëse vendosë të tërhiqet nga politika.
Projekt-ligji u paraqit nga vetë Putini dhe sipas tij, i garanton një ish-presidenti, të jetë senator me imunitet ligjor dhe privilegje të tjera shtetërore për pjesën tjetër të jetës së tij.
Sipas RT, miratimi i një ligji të tillë do të konsiderohet si një “shenjë” se po përgatitet terreni për transferimin e pushtetit në Rusi.
Sipas legjislacionit të ri, Putini, 68 vjeç, dhe çdo president tjetër i ardhshëm do të kenë të drejtën të bëhen anëtarë të përjetshëm të Senatit, brenda tre muajsh nga largimi nga detyra.