Kurba e të infektuarve në vend ka regjistruar një tjetër rekord rastesh të reja me koronavirus që prej fillimit të pandemisë. Në raportimin e përditshëm publik, Ministria e Shëndetësisë tregoi dje se, në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitivë 500 qytetarë, ndërsa 2 pacientë kanë humbur jetën. Sigurisht që ky është rezultati më i lartë që nga shpërthimi i pandemisë, por jo i paparashikueshëm, sidomos në këtë stinë virozësh dhe pamundësisë për të shmangur grumbullimet e njerëzve. Sakaq, po të vëmë re ne kemi një dyfishim të testeve të kryera në 24 orë në krahasim me nivelin e tamponëve në mars deri në gusht.
Gjithashtu ditën e djeshme ministria ka raportuar një numër më të lartë të shëruarish dhe një reduktim të numrit të pacientëve që humbin betejën me koronavirusin. “Ju informojmë për situatën në 24 orët e fundit të përhapjes së virusit Sars Cov2, rastet e reja dhe situatën në spitalet COVID. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1942 testime, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 501 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2. Në 24 orët e fundit janë shëruar 90 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 12,092 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 374 pacientë, 13 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 2 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: një 59 vjeçare nga Lushnja dhe një 73 vjeçar nga Tirana, me sëmundje bashkëshoqëruese”, njoftoi MSH. Gjithsesi në daljet e fundit publike Ministria e Shëndetësisë ka siguruar qytetarët se spitalet covid kanë akoma kapacitet për të përballuar shtimin e rasteve dhe gjendja në spitale nuk është në kolaps pasi stafet mjekësore kanë gjithçka nën kontroll.
Ja treguesit pozitivë
Nga ana tjetër është mjeku i njohur Ilir Alimehmeti, ai i cili e vlerëson situatën shëndetësore në vend të qëndrueshme në krahasim me vendet e tjera të prekura nga koronavirusi. Përmes një postimi në Facebook ai ka bërë një përllogaritje të thjeshtë të të dhënave të publikuara nga OBSH. Sipas tij, mjekët në Shqipëri e kanë më të lehtë për të gjurmuar të infektuarit dhe për të mbajtur nën kontroll hartën e të infektuarve pasi kemi të bëjmë me transmetim në grupe rastesh dhe jo transmetim komunitar.
Sipas tij, transmetimi komunitar është më i komplikuar pasi e shton ritmin e përhapje së sëmundjes, pra këtu mund të themi se Shqipëria ka një ritëm më të ulët transmetimi dhe lehtësi në gjurmim. “Le të hedhim një sy mbi të dhënat tona krahasuar me shtetet fqinje dhe Europën. Gjithmonë bazuar mbi të dhënat zyrtare, këtë herë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë vërejmë se: Shqipëria ka një situatë më të mirë në krahasim me shtetet fqinje (Kosovë, Maqedoni, Itali). Në Europë, patjetër ka shtete që duhen marrë shembull, si Gjermania, dhe shtete që duhen thjesht observuar por jo imituar, si Franca, Spanja, Itali etj.
Nga pikëpamja e llojit të transmetimit (rend ngjitës): Gjermania – transmetim në grupe rastesh. Shqipëria – transmetim në grupe rastesh. Italia – transmetim në grupe rastesh. Kosova-transmetim komunitar. Maqedonia e Veriut – transmetim komunitar. Franca-transmetim komunitar. Spanja- transmetim komunitar. Anglia -transmetim komunitar”, shkruan ai. Me tej mjeku tregon se edhe numri e vdekjeve dhe numrin e të infektuarve në raport me 1 milion banorë Shqipëria e ka më të ulët se vendet e rajonit dhe botës, pas Gjermanisë. Kështu edhe njëherë ai thekson se kemi ende shumë mundësi që të përballojmë sëmundjen përderisa kemi ende kapacitetet dhe nëse do tregohemi të ndërgjegjshëm.
“Vdekjet për 1 milionë banorë (rend ngjitës): Gjermania – 125.7; Shqipëria – 180; Kosova – 364.4; Maqedonia e Veriut – 481.9; Franca – 562.3 Italia – 642.2; Anglia – 688.2; Spanja – 767. 4. Rastet për 1 milion banorë, rend ngjitës, ndikon shumë numri i testeve të kryera: Gjermania – 6.505; Shqipëria – 7.367; Kosova – 10.823 Italia – 11.731; Anglia– 15.24; Maqedonia e Veriut – 15.569; Franca – 21.158; Spanja – 25.359. Pra, në indikatorë të shumtë gjendja e Shqipërisë është në situatë mesatare në të lehtë. Patjetër ka ende hapësirë për më mirë nëse merret si shembull Gjermania dhe jo shtetet e tjera”, thekson Alimehmeti.