MENU
klinika

The Economist

ANALIZA/ Ekonomia botërore, rreziku dhe premisat

01.11.2020 - 09:38
Pandemia Covid-19 do të përshpejtojë ndryshimet në ekonominë botërore. Kjo sjell njëkohësisht mundësi dhe rreziqe

Teoria e “mjellmave të zeza” thotë se ngjarjet e paparashikueshme me ndikim të lartë, luajnë një rol shumë më të madh se sa mendojnë shumica e njerëzve, shkruan The Economist.

Kjo teori ekzistonte shumë kohë para vitit 2020, kur shkencëtarët kishin frikë se një sëmundje zoonotike e frymëmarrjes me origjinë në Azi, mund të përhapej në mbarë botën. Por askush nuk mund t’i parashikonte me saktësi pasojat. Një inspektim i rastësishëm i të dhënave ekonomike tregon se: nuk u morën masa të mjaftueshme për dekada, dhe më pas në vitin 2020, Covid-19 ktheu përmbys gjithçka.

Para vitit 2020, modelimet më të sofistikuara parashikonin se një pandemi e krahasueshme me gripin spanjoll të vitit 1918, mund të vriste 71 milionë njerëz në të gjithë botën dhe të shkurtonte 5% të PBB-së. Numri i të vdekurve nga Covid-19 duket shumë më i ulët, por goditja ndaj PBB-së ka qenë më e madhe.

Sipas parashikimeve të FMN-së në qershor, që pritet të azhurnohen, deri në fund të vitit 2020, prodhimi botëror mund të jetë rreth 8% më i ulët sesa do të kishte qenë pa pandeminë. Në vend që të rritet me rreth 3%, ai do të jetë zvogëluar me rreth 5% – tkurrja më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Për krahasim, në vitin 2009, “recesioni i madh” uli ekonominë botërore me vetëm 0,1%.

Efektet e goditjes kanë qenë të rënda. Në prill, përqindja e amerikanëve të moshës 25 – 54 vjeç në punë, ra nën 70% për herë të parë në gati 50 vjet. Në tremujorin e dytë, një e gjashta e të rinjve në të gjithë botën humbën vendin e punës. Orët e punës ranë me gati një të katërtën për pjesën tjetër, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

Në qershor, Banka Botërore parashikoi se ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme, do të tkurren këtë vit për herë të parë në të paktën 60 vjet, dhe 89 milionë njerëz do të përfundojnë në varfëri ekstreme, një rritje prej 15%. Efektet e mbylljes së shkollave për muaj ka të ngjarë të ndihen për dekada. Dhe bllokimet kanë dëmtuar shëndetin mendor: më shumë se 10% e amerikanëve thonë se kanë menduar seriozisht për të bërë vetëvrasje.

Kur Kina mbylli Wuhan-in në janar, ky veprim u pa si diçka që mund ta bënte vetëm një qeveri autoritare, e sofistikuar teknologjikisht. Për një periudhë kohë, shkencëtarët britanikë nuk menduan të bënin thirrje për karantinë, sepse supozuan se kjo ishte politikisht e parealizueshme. Megjithatë, gatishmëria e pothuajse të gjitha qeverive për të mbyllur ekonomitë e tyre thuajse tërësisht, ishte vetëm një nga shumë surprizat që solli pandemia. Në vendet e pasura, Covid-19 ka çuar në një ndërhyrje të pazakontë të qeverisë në tregjet e punës dhe kapitalit.

Në pesë ekonomitë më të mëdha të Europës, më shumë se 40 milionë punëtorë u përfshinë në skemat e financuara nga qeveria. Amerika rriti përfitimet e papunësisë aq shumë sa ato tejkaluan pagat për më shumë se dy të tretat e përfituesve. Rezerva Federale ka ndihmuar korporatat amerikane për të përballuar borxhet; Gjermania u ka ofruar kompanive të saj garanci kredie me vlerë gati sa një të katërtën e PBB-së.

Masa të kushtueshme

Të gjitha këto masa janë të kushtueshme. Huamarrja publike po rritet. Në qershor, FMN parashikoi se raporti i përgjithshëm bruto i borxhit publik ndaj PBB-së në ekonomitë e përparuara, do të rritet nga 105% në vitin 2019, në 132% deri në vitin 2021.

Barra në rritje ka nxitur një aktivizëm të ri financiar. Bilancet e bankës qendrore janë rritur, pasi ato kanë krijuar me triliona dollarë për të thithur borxhin e qeverisë dhe Bashkimi Europian po emeton për herë të parë bashkërisht borxh në shkallë të gjerë, për të paguar për fondin e rimëkëmbjes. Politikat e një dekade më parë, pas krizës financiare, u panë si radikale, por tani ato duken të dobëta.

Në fillim, përgjigjja u formulua si e përkohshme. “Ne po përpiqemi thjesht të stimulojmë ekonominë”, tha në mars Peter Hummelgaard, ministri danez i Punësimit. (Danimarka mendohet se ka frymëzuar skema të tjera ndihme në shtete të tjera.) Përvoja tregonte se ekonomitë e botës së pasur mund të rimëkëmbeshin shpejt pas një katastrofe.

Pasi uragani Katrina shkatërroi New Orleans në gusht 2005, papunësia u rrit nga rreth 6% në mbi 15%, por ajo ra sërish nën 6% në shkurt 2006. Dhe në të vërtetë, ky recesion duket se do të jetë jo vetëm një nga më të thellët të regjistruar ndonjëherë për shumë vende, por edhe një nga më të shkurtrit. Rënia e fundit e papunësisë amerikane tregon se kriza më e keqe ishte e shkurtër.

Megjithatë, ndryshe nga situata pas një uragani, nuk ka pasur rrugëtim të shpejtë drejt klimave më të mira ekonomike. Ashtu si pas krizës financiare, kjo rënie shquhet si për gjerësinë, dhe për thellësinë e saj. Dhe Covid-19 vazhdon të përhapet. Ndërsa po shkruhej ky raport, mesatarja 7-ditore e infeksioneve globale arriti nivele të reja rekord. Amerika dhe Australia kanë kaluar dy raunde me virusin; Franca, Spanja dhe Britania po përgatiten për një valë të dytë; India po përjeton rritje drejt kulmit; dhe askush nuk e di me siguri sa është përhapur Covid-19 në botën e varfër. Megjithëse shpresat janë të mëdha për një vaksinë në vitin 2021, nuk është e sigurt se ajo do të dalë efektive. Ekonomitë mund të jenë të detyruara të operojnë në kushtet e distancimit social për disa vite me radhë.

Përshpejtim afatgjatë

Në të vërtetë, është bërë gjithnjë e më e qartë se shumë ndryshime të sjella nga Covid-19, do të jenë afatgjata. Ky raport argumenton se pandemia do të theksojë edhe më tepër forcat që po vepronin tashmë në ekonominë botërore, duke përshpejtuar ndryshimet në tregti, teknologji, financa dhe politikën ekonomike.

Kushtet përpara pandemisë u krijuan nga tre tronditjet më të mëdha ekonomike të shekullit XXI: integrimi i Kinës në sistemin tregtar botëror, kriza financiare dhe rritja e ekonomisë dixhitale. Teksa punëtorët kinezë u larguan nga varfëria rurale për në fabrika, mallrat e lirë u dyndën drejt Perëndimit dhe asetet financiare drejt Lindjes, duke ndihmuar në krijimin e inflacionit të ulët, normave të ulëta të interesit dhe humbjes së vendeve të punës në sektorin e prodhimit në shtetet e pasura.

Kriza financiare shkaktoi një përmbysje të kërkesës që uli edhe më tej normat e interesit, edhe teksa globalizimi ngeci në vend. Rritja e teknologjisë kontribuoi në rënien e konkurrencës, rritjen e fitimeve të korporatave dhe tkurrjen e pjesës së të ardhurave kombëtare që shkonin për punëtorët, teksa firmat e mëdha korrnin fitimet e efekteve të rrjetit dhe monopoleve natyrore.

Pandemia Covid-19 është goditja e katërt e madhe. Rënia e kërkesës ka qenë shumë më e madhe se ajo pas krizës financiare. Kursimet mund të rriten për vite me radhë. Normat e ulëta të interesit, madje edhe ato negative, ka të ngjarë të zgjasin. Kjo do të rrisë çmimet e aseteve edhe teksa ekonomitë mbeten të dobëta.

Firmat janë më të vetëdijshme për rreziqet e zinxhirëve të furnizimit, që tashmë janë më të ndërlikuar dhe të brishtë; Covid-19 do të rrisë dëshirën për t’i sjellë ata më pranë shtëpisë dhe për të diversifikuar furnizuesit. Pandemia gjithashtu po shpejton dixhitalizimin. Kalimi i konsumatorëve nga shitja me pakicë fizike drejt tregtisë elektronike, është shpejtuar dhe ata janë mësuar të marrin online disa shërbime të kujdesit shëndetësor dhe arsimit.

Çmimet e aksioneve të gjigantëve të teknologjisë janë rritur. Edhe pas një rënieje në shtator, indeksi i aksioneve të teknologjisë “fang +” të bursës së Nju Jorkut, ishte rikthyer me rreth 60%. Kompanitë i janë përshtatur punës në distancë me një shpejtësi të habitshme, duke rritur investimet në teknologji që lehtësojnë praninë në distancë.

Gjeopolitika

Pandemia do të shënojë një pikë kthese në politikë dhe gjeopolitikë, si dhe në ekonomi. Bota do të dalë nga viti 2020, duke hyrë drejt një epoke ku mbizotëron konkurrenca më e fortë mes Fuqive të Mëdha. Përhapja e Covid-19 ka përkuar me tensionet midis Kinës dhe Amerikës, dhe në njëfarë mase i ka përshkallëzuar ato. Këto konflikte janë përkeqësuar edhe më tepër se sa kishin parashikuar vëzhguesit më pesimistë disa vjet më parë.

Kthesat e pandemisë

Pandemia do të shënojë një pikë kthese në politikë dhe gjeopolitikë, si dhe në ekonomi. Bota do të dalë nga viti 2020, duke hyrë drejt një epoke ku mbizotëron konkurrenca më e fortë mes Fuqive të Mëdha. Përhapja e Covid-19 ka përkuar me tensionet midis Kinës dhe Amerikës, dhe në njëfarë mase i ka përshkallëzuar ato. Këto konflikte janë përkeqësuar edhe më tepër se sa kishin parashikuar vëzhguesit më pesimistë disa vjet më parë. Mosmarrëveshjet tregtare, me fokusin e tyre të çuditshëm në deficitet tregtare dhe blerjet e sojës, tani janë pjesë e një beteje më të gjerë.

Amerika u ka bërë thirrje shteteve të tjera për të refuzuar teknologjinë kineze 5G, ka rritur kontrollin e investitorëve të huaj, ka vendosur sanksione për të kufizuar qasjen kineze në teknologjinë e saj gjysmëpërçuese dhe po detyron TikTok, eksportin më të suksesshëm të teknologjisë së konsumit në Kinë, të vetëshitet. Investimet kineze në Amerikë kanë rënë ndjeshëm. Të dyja vendet po diversifikohen larg njëri-tjetrit në tregti. Këto dy ekonomi janë shumë të integruara për t’u shkëputur plotësisht, por tani po kombinojnë lidhjet e gjera ekonomike me dyshime reciproke.

Për politikën e brendshme në vendet e pasura, pandemia paraqet një sfidë për status quo-në. Ndryshe nga kriza financiare, ky nuk është faji i Wall Street. Por ballafaqimi i një ekonomie të dobët me çmime të larta asetesh që rezultojnë nga norma të ulëta interesi, mund të provokojë zemërimin e publikut, veçanërisht nëse kjo përkon me papunësinë e përqendruar, kryesisht tek punonjësit e sektorit të shërbimit të paguar dobët. Normat e ulëta të interesit do të bëjnë të mundur shpenzime të zgjatura të deficitit.

Mënyra sesi luftohen recesionet do të ndryshojë, pjesërisht për shkak të niveleve të interesit pothuajse zero, por edhe për shkak të eksperimenteve me transferimet e mëdha të parave për familjet. Do të ketë dëshirë dhe kushte për të lehtësuar një rishkrim të kontratës sociale, në mënyra që shumë njerëz shpresonin se mund të mbizotëronin shoqërinë pas globalizimit dhe krizës financiare.

Pyetja është nëse politika e sotme do të jetë e aftë për ndryshime pozitive; apo nëse do të jetë e dënuar të kanalizojë pakënaqësinë me ndryshime që do të nxisin një raund tjetër të populizmit të prapambetur.

Fakti se çfarë ndryshimesh janë të nevojshme varet nga të kuptuarit se sa ndryshime thelbësore mund të sjellë pandemia në strukturën ekonomike. Historia fillon me tregtinë.

Pyetja është nëse politika e sotme do të jetë e aftë për ndryshime pozitive; apo nëse do të jetë e dënuar të kanalizojë pakënaqësinë me ndryshime që do të nxisin një raund tjetër të populizmit të prapambetur.