Teksa duket se një nga sfidat për zgjedhjet në Shqipëri, do të jetë edhe sigurimi i votës së emigrantëve, qeveria ka ndërmarrë një tjetër hap për mundësinë e votimit të tyre, por edhe përfitimin e shërbimeve të tjera të një emigranti në Shqipëri.
Në fletoren Zyrtare është publikuar Vendimi i Këshillit të Ministrave për Vetëdeklarimin e adresës së shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit. Në aplikacionin E-Albania do të ketë një dritare të veçantë, ku emigrantët do të kenë mundësi të regjistrohen.
“Autoritetet përgjegjëse i ofrojnë shtetasit shqiptar, në adresën e vetëdeklaruar e të konfirmuar shërbime të gjendjes civile, ushtrim të së drejtës së votës, në zbatim të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë” thuhet pikën 9 të vendimit të këshillit të Ministrave.
Në publikimin e së premtes në Fletoren Zyrtare, përcaktohen edhe hapat që me hyrjen në portal , do të ndjekin të gjithë ata emigrantë të cilët duan të deklarojnë adresën e tyre.
“Në rast ndryshimi të adresës, shtetasi deklaron adresën e re brenda 60 ditëve” sqarohet në vendim.
Deklaruesi identifikohet në mënyrë të sigurt në portal duke përdorur numrin personal në pasaportë ose letërnjoftimin elektronik, të lëshuara nga Republika e Shqipërisë. Sipas këtij vendimi të qeverisë, deklaruesi plotëson formularin e deklarimit me të dhënat e adresës së saktë në shtetin ku jeton, shoqëruar me dokumente zyrtare, që provojnë gjeneralitetet e shtetasit në fjalë.
Të dhënat më pas verifikohen nga punonjësit e zyrës se gjendjes civile.
Më herët, në fillim të këtij muaji nga KQZ është njoftuar ngritja e grupit të punës lidhur me mundësinë e votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë.
Grupi i punës që përbëhet nga 6 anëtarë do të përgatisin një material për mundësinë e votimit në emigrantëve në zgjedhjet e 25 prillit. Në krye të këtij grupi pune është emëruar Ylli Merkaj, Sekretar i përgjithshëm. Ato kanë afat deri në datën 15 nëntor për të sjellë një raport të detajuar që përmban kostot financiare, shembujt nga jashtë vendit, aktet juridike si edhe mënyrën e administrimit të votave.