Opinion nga: Francine Prose
Ndodhi. Le të marrim frymë të gjithë: një katastrofë është shmangur. Ashtu si kur makina që vjen drejt nesh kthehet në momentin e fundit, kur rezultatet e testit Covid-19 kthehen negative. Donald Trump nuk do të jetë më presidenti i Shteteve të Bashkuara. A mund të jetë e vërtet? Është e këndshme të imagjinosh jetën pa Trump në Shtëpinë e Bardhë. Por është gjithashtu e dhimbshme, në një farë mënyre, sepse na detyron të përballemi me mënyrën se si kemi jetuar për katër vitet e fundit, kompromiset dhe aderimet që kemi bërë, atë që kemi mësuar veten ta kapërdijmë, ta tolerojmë, ta durojmë.
Pandemia shpërthen rreth nesh. Por është lehtësim të mos kemi më ndienjën e keqe se mijëra njerëz po vdesin dhe personi që supozohej të ishte udhëheqësi ynë të tregohej aq indiferent.
Do të jetë një lehtësim që të mos na duhet të përgatisim veten për gjestin e ardhshëm të mizorisë, përqeshjen tjetër ndaj invalidëve, shkrimet e tjera raciste ose seksiste.
Do të jetë një lehtësim të mos shohësh presidentin e Shteteve të Bashkuara të krenohet me injorancën dhe fanatizmin e tij, të mos duhet të shqetësohemi për sikletin tjetër, shembullin tjetër të vrazhdësisë dhe sjelljes së keqe që na bën të dukemi egoistë dhe budallenj në sytë e botës.
Do të jetë një lehtësim që të mos na duhet të përballemi me atë që kemi mësuar të injorojmë, të mos marrim parasysh sa zemërime kemi shkaktuar dhe më pas kemi harruar sepse një tjetër situatë urrejtjeje kishte zënë vendin. Do të jetë një lehtësim të mos ndiejmë dozën ditore të mosbesimit, të mos pyesim veten se si mund ta kishim lejuar të ndodhte kjo, pse nuk ka asnjë të zgjuar ose të guximshëm ose të fuqishëm sa ta kontrollojë apo ndalë një çështje të caktuar.
Do të jetë një lehtësim të mos mendojmë më që po gënjehemi, çdo ditë, për çështje të jetës dhe vdekjes. Do të jetë lehtësim të mos mendojmë se presidenti ynë urren dhe ka përbuzje ndaj të varfërve – se ai tallet dhe përçmon të njëjtët njerëz që votojnë për të, që e mbështesin atë.
Do të jetë një lehtësim të mos shqetësohemi se demokracia jonë është në rrezik, se Donald Trump dhe shokët e tij nuk do të donin asgjë më të mirë sesa të shihnin kombin tonë të shndërruar në fashist që na vjedh edhe kur na dhe na privon nga liritë tona kushtetuese. Do të jetë një lehtësim të mos ndiejmë që presidenti dhe familja e tij po kontribuojnë në vuajtjet e kaq shumë amerikanëve.
Do të jetë një lehtësim të kalojmë ditën, të jemi në gjendje të shikojmë telefonat tanë ose TV-në tonë pa dëgjuar zërin e ashpër të Donald Trump dhe ritmet marramendëse të fjalës së tij, pa parë fytyrën e tij të kuqe të përdredhur nga furia, pa dëgjuar fyerjet e tij dhe poshtërsia, pa vëzhguar përpjekjet e tij të palodhura për të përçarë vendin tonë, për të na bërë të përbuzim dhe të kemi frikë nga njëri-tjetri, dhe mbi të gjitha për të lavdëruar veten dhe punën e jashtëzakonshme që ai duket se imagjinon se ka bërë.
Sigurisht që nuk besoj se Donald Trump është burimi i vetëm i problemeve të vendit tonë; Unë e kuptoj që ai është simptoma e problemeve tona më të mëdha, më të thella, më sistematike. As nuk e imagjinoj që një presidencë e Biden do të ofrojë një zgjidhje të menjëhershme (ose madje edhe të qëndrueshme) për makthet që na mbajnë zgjuar: racizmi i pabarazisë në të ardhura, seksizmi, ndryshimi i klimës … lista vazhdon. Por unë gjithashtu mendoj se ky nuk është momenti për të theksuar faktin se Biden nuk do të zgjidhë të gjitha problemet tona. Posterat thoshin: Votoni sikur jeta juaj varet nga kjo, dhe është e vërtetë. Shëndeti ynë, e ardhmja jonë, demokracia jonë shumë mirë mund të varet nga rrëzimi i Donald Trump.
Kur imagjinoj jetën pa Donald Trump, ajo që më shfaqet është diçka si skena përfundimtare e filmit të katastrofës: zombiet janë zhdukur përsëri, marsianët janë kthyer në planetin e tyre, dinosaurët janë zhdukur edhe një herë, përmbytjet janë tërhequr, zjarret u shuan në mënyrë të sigurt. Dielli po shkëlqen, qielli është i pastër, zogjtë – ata zogj që kanë mbetur – këndojnë ëmbël. Njerëzit e fundit të gjallë gjejnë njëri-tjetrin dhe ne e dimë se çfarë po mendojnë edhe nëse nuk flasin.
Ata po mendojnë: mbaroi. Ne kemi mbijetuar. Vendi ynë është rikthyer tek ne. Ne mund të marrim frymë përsëri.
Përkthyer dhe përshtatur nga: the guardian/ F.H, konica.al