Një ditë përpara fillimit të vitit të ri akademik, që do të zhvillohet për të paktën një muaj “online”, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, përmes një postimi në “Facebook” shkruan se sfidat vazhdojnë të jenë të shumta për shkak të pandemisë Covid-19.
“Komiteti i Ekspertëve ka propozuar së fundmi, që të paktën muajin e parë, mësimi të zhvillohet në distancë, pra “online”, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e virusit. Një vendim aspak i lehtë ky, i imponuar nga ecuria dhe dinamika e pandemisë, por që fatmirësisht i ka gjetur universitetet tona të përgatitura që më herët në mënyrë që mësimdhënia të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje”, shkruan ajo më tej.
Kushi shkruan se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për nisjen e këtij fillim-viti akademik. Ajo ka një lutje për të gjithë studentët, ku shkruan se:
“Në fund, një lutje për të gjithë ju, që në asnjë moment të mos neglizhoni respektimin e masave anti-COVID. Kjo është e vetmja mënyrë që ne ta kapërcejmë sa më lehtë këtë periudhë dhe t’i rikthehemi sa më parë normalitetit që të gjithë dëshirojmë”.
Postimi i plotë:
“Të dashur studentë dhe pedagogë!
Nesër nisim një vit akademik sfidues, i cili vjen në vazhdimësinë e vitit të kaluar që u mbyll me mjaft vështirësi për shkak të pandemisë COVID-19. Ndërkohë që sfidat vazhdojnë të jenë të shumta, duket që edhe ky vit do të jetë i pazakontë dhe aspak i lehtë, jo vetëm këtu por në të gjithë globin.
Në këtë kuadër, nga thellësia e zemrës dua t’ju uroj të gjithëve pa përjashtim një vit akademik sa më të mbarë e të suksesshëm!
Si Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, jam mëse e vetëdijshme për paqartësitë që krijon situata aktuale, por kjo nuk duhet të na trembë. Përkundrazi, duhet të na japë forcë, shumë qetësi e vendosmëri që edhe përgjatë këtij viti akademik të arrijmë maksimumin.
Komiteti i Ekspertëve ka propozuar së fundmi, që të paktën muajin e parë, mësimi të zhvillohet në distancë, pra “online”, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e virusit. Një vendim aspak i lehtë ky, i imponuar nga ecuria dhe dinamika e pandemisë, por që fatmirësisht i ka gjetur universitetet tona të përgatitura që më herët në mënyrë që mësimdhënia të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje.
Nga takimet e realizuara kohët e fundit me drejtuesit e universiteteve, jam informuar që janë marrë të gjitha masat e nevojshme që të kemi një nisje optimale në këtë fillim-viti akademik. Më vjen mirë që çdo universitet ka tashmë gati metodën e tij specifike të “mësimit të kombinuar”, si “online”, ashtu edhe në auditore kur kjo të jetë e mundur, në respekt të plotë të masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në fund, një lutje për të gjithë ju, që në asnjë moment të mos neglizhoni respektimin e masave anti-COVID. Kjo është e vetmja mënyrë që ne ta kapërcejmë sa më lehtë këtë periudhë dhe t’i rikthehemi sa më parë normalitetit që të gjithë dëshirojmë.
Suksese dhe shëndet të mirë për të gjithë!”.