MENU
klinika

200 kompanitë me fitimet më të mëdha

Si lulëzuan koncensionet?

07.11.2020 - 12:39

Biznesi i garantuar i koncesioneve kryeson në listën e kompanive më të mëdha sipas fitimeve, sa i përket përfitueshmërisë. I dyti renditet ndërtimi. Industria përpunuese është më e “diskriminuara”. 

Si u zhvillua në dekada një model i paqëndrueshëm zhvillimi, efektet e të cilit po bëhen të dukshme vitet e fundit. Renditja e kompanive më të mëdha “Monitor 200, sipas fitimeve” dhe e atyre me norma më të larta.

Shqipëria është vendi më bujqësor në rajon dhe ka avantazh në krahun e lirë të fuqisë punëtore (me pagën minimale më të ulët në Europë), por industria përpunuese mbetet e nënzhvilluar. Ajo zë 6.15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), përkundrejt 14.5% në Serbi dhe 12.9% në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare nga institutet statistikore përkatëse.

Prodhimi i produkteve ushqimore në Shqipëri, zë vetëm 0.9% të PBB-së, ndërsa vendi është më bujqësori në Europë, me 18.5% të PBB-së. Në të kundërt, në Serbi, ku bujqësia zë vetëm 6.1% të PBB-së, industria ushqimore kontribuon me 3.4%. Edhe Maqedonia fqinjë ka shifra të ngjashme, ku bujqësia dhe prodhimi i produkteve ushqimore sjellin përkatësisht 7.2% dhe 3.4% të PBB-së.

Modeli i zhvillimit të ekonomisë në tri dekadat e fundit ka qenë “parazitar”, duke nxitur, duke promovuar dhe duke mbështetur biznese që kanë fitime të larta e të lehta, që nuk i kanë sjellë vlerë të shtuar ekonomisë dhe as kanë nxitur investimet produktive. Sipërmarrjet e industrisë përpunuese rezultojnë me fitime minimale dhe nivel të ulët të qarkullimit vjetor, duke mbetur të vogla dhe pa investime domethënëse.

Më pak fitime, do të thotë më pak investime, që në afat të mesëm e fut ekonominë në një rreth vicioz të mungesës së produktivitetit, ndërsa konkurrenca nga jashtë sa vjen e shtohet edhe për shkak të hapjes së tregjeve.

Në të kundërt, në dekadat e fundit kanë lulëzuar bizneset “dembele”, me fitime të garantuara nga marrja e një koncesioni në ofrimin e shërbimeve ekskluzive, duke shmangur shpesh konkurrencën. Në renditjen e 200 kompanive më të mëdha për vitin 2019, “Monitor 200 sipas fitimeve”, një publikim i përvitshëm i “Monitor”, gati 10% e sipërmarrjeve janë koncesione të dhëna gjatë 20 viteve të fundit. Këto biznese kanë dhe normat më të larta të fitimit në vend, që arrijnë deri në 80% për koncesionet e hidrocentraleve, ndonëse qarkullimi vjetor është i varur nga niveli i reshjeve.

Sektori i ndërtimit është i dyti me fitimet më të larta në vend, me rreth 15-20%. Ndërtimi po tërheq vitet e fundit kapitalet e lira të sipërmarrjeve shqiptare, për shkak të kthimeve të larta, të ndihmuara edhe nga prurjet informale të valutës, duke rrezikuar krijimin e një flluske në momentin që këto burime do të shterojnë, apo do të ketë vullnet politik për t’i ndaluar ato. Biznesi me shtetin (tenderët) mbetet po ashtu i preferuar. Normat e fitimit i kalojnë 15%, teksa gara në tenderë, sa vjen e po bëhet gjithnjë e më shumë fiktive.

Kompanitë tregtuese (karburanteve dhe mallrave që lëvizin shpejt nga rafti) kanë qarkullime të larta dhe ndonëse rezultojnë me norma të ulëta fitimi, sidomos për karburantet (2-8%), ato janë të konsiderueshme në vlerë absolute. Për sistemin bankar, 2019-a ka qenë një vit pozitiv, me norma kthimi rreth 30%, por sektori është shumë i varur nga ecuria e kredive me probleme, që gërryejnë fitimet përmes shpenzimeve për provigjionime. Kjo tendencë bën që një vit të rezultojnë me fitime të larta e një vit tjetër, me humbje. Sidomos pas pasojave që COVID-19 po jep te bizneset, efektet do të ndihen edhe në sistemin bankar, me rritjen e NPL e më pas edhe të provigjionimeve për këto kredi.

Modeli

Modeli i zhvillimit të ekonomisë në tri dekadat e fundit ka qenë “parazitar”, duke nxitur, duke promovuar dhe duke mbështetur biznese që kanë fitime të larta e të lehta, që nuk i kanë sjellë vlerë të shtuar ekonomisë dhe as kanë nxitur investimet produktive. LEXO: Luan Leka i EHW: Kultura industriale i bën vendet dhe popujt të pasur

Kompanitë shtetërore, nga ana tjetër, janë të përqendruara në fushën e energjisë dhe aktiviteti i tyre është tepër i varur nga moti, siç e tregoi dhe ecuria e vitit 2018, ku energjia kontribuoi në më shumë se gjysmën e rritjes prej 4% nga reshjet e bollshme dhe rënia e shpejtë e 2019, ku performanca ekonomike u përgjysmua, e ndikuar nga thatësira.

Sipas të dhënave nga bilancet e kompanive, të përpunuara nga “Monitor”, 100 subjektet e para fituan në total rreth 72 miliardë lekë, ose rreth 580 milionë euro, me një rënie prej 13% në krahasim me 100 sipërmarrjet me fitime më të larta në vitin 2018. Efektin kryesor në këtë përkeqësim e dha performanca e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e ndikuar nga moti i pafavorshëm për reshje në 2019-n, në ndryshim nga viti i mëparshëm.

Kjo shumë përbën 25% të të gjitha fitimeve të deklaruara në Shqipëri në vitin 2019 (bazuar në tatimfitimin e paguar në 2018-n, fitimet totale të biznesit arrijnë në rreth 243 miliardë lekë). Fitimet e 100 subjekteve janë sa rreth 4% e asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto).

Që të hysh në renditjen e 100 më të mëdhave sipas fitimeve, subjekti duhet të ketë një fitim minimal prej 1.8 milionë eurosh, para taksave (një vit më parë, kufiri ishte 2.3 milionë euro).

Dy grupet me fitimet më të mëdha në vend për vitin 2019 janë Kastrati me 3.2 miliardë lekë dhe Balfin, me 2.6 miliardë lekë.

Përkundrejt qarkullimit të lartë vjetor, në pjesën më të madhe, fitimet e kompanive shqiptare janë të ulëta, pasi pjesa më e madhe e tyre operojnë në tregti, me marzhe të ulëta shitblerjeje. Vetëm 14 kompani kishin fitime më të larta sesa 10 milionë euro dhe rreth 25 të tjera, nga 5-10 milionë euro. Shumica e sipërmarrjeve të mëdha rezultojnë me fitime më të ulëta se 5 milionë euro, ndërsa për sektorin prodhues, rrallëherë i kalojnë 1 milion euro.

Në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve ka tre banka, dy koncesionarë, tre shoqëri që veprojnë në fushën e ndërtimit, telekomunikacione, tregtim nafte./MONITOR