Në Shqipëri, muaji Tetor u mbyll me një përkeqësim të situatës së pandemisë së Koronavirusit, me një shtim të fortë të rasteve të reja si dhe të viktimave. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit u rregjistrua shifra më e lartë e vdekjeve, me 9 persona që kanë humbur jetën, e po ashtu dhe niveli më i lartë i të infektuarve të rinj.
Ashtu siç po ndodh thuajse kudo, edhe në Shqipëri, përhapja e koronavirusit po merr një shtrirje gjithë e më të madhe. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se muajin që sapo u mbyll pati një rritje të ndjeshme të rasteve të reja të konfirmuara. Në total gjatë Tetorit u rregjistruan 7396 të infektuar, ose 76 përqind më shumë krahasuar me muajin shtator, kur pati 4200 të prekur.
Tendenca në rritje u theksua veçanërisht në dy javët e fundit, kur u kalua dhe kuota e 300 rasteve në ditë. Vetëm në 24 orët e fundit ato arritën shifrën më të lartë që nga nisja e pandemisë me 327 raste të reja.
Për muajin e kaluar megjithatë mesatarja ditore arriti në 238 të prekur, nga 140 raste në ditë përgjatë Shtatorit.
Në Tetor u vërejt dhe një rritje e testimeve (37.639 tampona) me 48 përqind, duke kapur një mesatare ditore prej 1214 tamponash në ditë. Por ritmi më i lartë i rritjes së të prekurve ka bërë që pozitiviteti, treguesi nivelit të transmetueshmërisë së virusit në komunitet, të vijë në ngjitje, duke arritur në një mesatare prej 19.6 përqind, ndërsa ditët e fundit ka kapur dhe shifrat e 22 përqindshit.
Në total numri i të infektuarve është mbi 21.200 persona, ndërsa mbetet e lartë kuota e atyre që janë ende aktivë, mbi 9400 të prekur.
Edhe numri i viktimave u rrit ndjeshëm gjatë muajit Tetor, ku u rregjistruan 130 raste vdekjesh, ose 33 përqind më shumë se sa humbjet e jetëve në Shtator (98 viktima). Megjithatë, shifrat janë thuajse të barabarta me ato të Gushtit, kur pati 129 vdekje. Shqetësues është fakti se në ditët e fundit është vënë re një tendencë vdekjesh në kuota të larta. Vetëm 24 orët e fundit u shënua rekordi me 9 viktima, nga 44 deri 78 vjeç. Grupmosha mbi 70 përbën gati gjysmën e rasteve të vdekjeve, 29 përqind grupmosha nga 60-69 vjeç dhe vetëm 6 përqind grupmosha nga 40-49.
Të dhënat e ditëve të fundit nuk japin një panoramë premtuese, madje duket se tendenca është drejt një përkeqësimi më të theksuar, ndërsa dhe shtrimet në spitale janë shtuar. Autoritetet hapën dy ditë më parë dhe spitalin e tretë. Ndërsa sot, një nga të shtruarit në spitalin “Shefqet Ndroqi”, u hodh nga kati i katërt, duke humbur jetën. Rasti i tretë i vetvrasjes në këtë spital, drejtuesit e të cilit, deklaruan sot se gjatë përgjatë gjithë qëndrimit, 53 vjeçari nga Tropoja “nuk ka manifestuar shenja të çrregullimeve psikologjike”./ VOA