Ministri për Rindërtim, Arben Ahmetaj teksa bëri një bilanc të punës së deritanishme nga rindërtimi i dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës, deklaroi nga Laçi se deri më tani është bërë një punë shumë e mirë.
Nga kantieri i ndërtimit të lagjes nr.1 në Laç, Ahmetaj tha se ky një shembull i transformimit të qytetit.
Mes të tjerash ai falënderoi qeverinë turke për kontributin e saj, e cila do të ndërtojë 522 apartamente për qytetarët e prekur nga tërmeti.
“Kam kënaqësinë që të jemi bashkë në kantierin më të madh të ndërtimit. Është shembull i transformimit, të qytetit që po ngrihet nga rrënojat e tërmetit. Është shembull i miqësisë dhe bashkëpunimit i të dy vendeve tona. Ndërkohë që po rindërtonim dhe po ndërtojmë, në Turqi, në Izimr, pati një tërmet të rëndë. Megjithatë populli turk nuk e ndaloi rindërtimin në Laç. Gjej rastin që të falënderoj për këtë ndihmë të paçmuar qeverinë turke. Shumëkush një vit më parë këtë projekt mund ta shihte skeptik, ndërtimin e pallateve, objekteve publike, shkollave, etje. Miqtë tanë madje kanë qenë skeptikë dhe i janë referuar dhe traditave të qeverive të mëparshme, të mosnisjes së punës, apo duke e lënë gjysmë. Sot çdo shqiptar mund ta shoh dhe ta prekë nga afër transformim. E kam vizituar shumë herë këtë kantier, e kam ndjekur hap pas hapi. Dua t’i përgëzoj për punën e palodhur deri në orët e vona, ku lagja do të jetë gati në gusht të këtij viti. 37 njësi shërbimi dhe një qendër tregtare, që do të kthehet në pol urban e zhvillimi. Po punohet dhe në zonën e 2-të ngjitur, ku do të ndërtohen 200 apartamente. Këtu ka pasur dhe ka një përrua, i cili do të rikthehet në pjesë të infrastrukturës moderne. Ky përrua ka shpëlarë gjithmonë historinë e qytetit. Projekti i rindërtimit ka angazhuar 34 mld lekë, 31 mld nga buxheti dhe 3 mld nga donacionet. 280 mln euro janë angazhuar nga donatorët me projekte specifike. Janë 4500 banesa individuale që do të ndërtohen në programin e rindërtimit, 1 mijë prej të cilave do të dorëzohen dhe po dorëzohen. 12 mijë familje do të strehohen në apartamente të reja. 28700 familje përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit dhe shuma shkon 110 mln dollarë dhe janë shpërndarë në duart, xhepat e këtyre familjeve. 155 objekte arsimore do të rindërtohen dhe konstruktohen. Kjo lagje do të mbetet simbol i ndihmës ku një mik i mirë, ndihmon në ditë të vështira.”, tha Ahmetaj.