MENU
klinika

U zbulua në Britaninë e Madhe

Çfarë dimë për variantin e ri të koronavirusit?

21.12.2020 - 08:46

Pak ditë pasi ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit Sars-CoV-2, një variant i ri i tij, edhe më përhapës, ka shkaktuar alarm.

Mbretëria e Bashkuar, ku edhe është zbuluar varianti i ri, ka vendosur masa të ashpra izolimi dhe ka lëshuar urdhra për qëndrim në shtëpi, ndërsa shumë vende të tjera i kanë ndaluar fluturimet prej atje.

“Kur virusi e ndryshon metodën e sulmit, ne duhet ta ndryshojmë metodën e mbrojtjes”, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson.

Varianti i ri është zbuluar për herë të parë në shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër kanë qenë të këtij varianti; në mes të dhjetorit, afro dy të tretat.

Johnson ka thënë se varianti i ri mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm. Ai ka paralajmëruar se kjo mund ta rrisë për 0.4 vlerën R – një e dhënë që tregon nëse epidemia rritet ose zvogëlohet.

Varianti i ri mund të gjendet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, përveç Irlandës së Veriut, por është më i përqendruar në Londër dhe në Anglinë Lindore.

Të dhënat nga Nextstrain – një projekt që monitoron kodet gjenetike të mostrave virale në të gjithë botën – sugjerojnë se rastet e variantit të ri të koronavirusit kanë arritur edhe në Danimarkë dhe në Australi nga Mbretëria e Bashkuar. Holanda ka raportuar gjithashtu raste të tilla.

Çfarë dimë për variantin e ri?

Të gjitha viruset dhe koronaviruset bëjnë mutacione gjatë gjithë kohës. Koronavirusi që është zbuluar për herë të parë në Vuhan të Kinës, nuk është i njëjti që qarkullon në të gjithë botën.

Mutacioni D614G është shfaqur në Evropë në muajin shkurt dhe është bërë forma mbizotëruese e virusit. Një tjetër variant, i quajtur A222V, është përhapur po ashtu në Evropë dhe është lidhur me pushimet verore të njerëzve në Spanjë.

Në një raport të publikuar të dielën, grupi këshillimor i Qeverisë britanike ka thënë se ka “besim të moderuar” se varianti i ri përhapet më shpejt se variantet e tjera. Ekspertët, megjithatë, kanë thënë se të dhënat janë paraprake dhe se bazohen në modelim.

“Edhe pse rezultatet varen nga cilësia dhe sasia e të dhënave, ky duket të jetë një variant i rëndësishëm, bazuar në të dhëna gjenetike. Është potencialisht më i transmetueshëm, por ne nuk e dimë sa dhe nuk kemi siguri absolute”, ka thënë dr Muge Cevik, nga grupi këshillimor.

Profesori i virologjisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës, Stuart Neil, thotë për gazetën Guardian se “të dhënat e grumbulluara deri më tani, bëjnë të kuptojnë se varianti është më infektues”. Por, sipas tij, nuk ka konfirmim në laborator. Neil thotë se në këtë moment, më shqetësuese janë ndryshimet në një proteinë specifike që përdor virusi për të hyrë në trupin e njeriut.

Nga ka ardhur varianti i ri?

Varianti ka krijuar mutacion të madh dhe shpjegimi më i mundshëm është se ai është shfaqur te ndonjë pacient me sistem të dobësuar imunitar, që nuk ka qenë në gjendje ta mposhtë virusin. Në vend të kësaj, trupi i tij është bërë terren shumëzimi për virusin dhe ai ka krijuar mutacion.

A e bën infeksionin më vdekjeprurës?

Nuk ka asnjë provë që sugjeron se po, edhe pse kjo do të duhet të monitorohet. Megjithatë, rritja e transmetimit mund të jetë e mjaftueshme për të shkaktuar probleme për spitalet. Nëse varianti i ri do të thotë që më shumë njerëz infektohen për kohë më të shkurtër, kjo do të çojë në më shumë njerëz që kanë nevojë për trajtim spitalor.

A do të funksionojë vaksina kundër variantit të ri?

Me siguri që po, ose së paku tani. Të tria vaksinat kryesore tani për tani zhvillojnë përgjigje imune kundër koronavirusit. Vaksinat e trajnojnë sistemin imunitar për të sulmuar disa pjesë të ndryshme të virusit. Edhe pse një pjesë ka krijuar mutacion, vaksinat funksionojnë.

“Por, nëse e lëmë të shtojë më shumë mutacione, atëherë ju filloni të shqetësoheni”, citon BBC profesorin Ravi Gupta nga Universiteti i Kembrixhit.

OBSH, në kontakt me Mbretërinë e Bashkuar

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se është në kontakt të afërt me Mbretërinë e Bashkuar, në lidhje me variantin e ri të koronavirusit.

”Ata do të vazhdojnë t’i ndajnë informacionet dhe rezultatet e analizave dhe hulumtimeve të vazhdueshme. Ne do ta azhurnojmë publikun dhe vendet anëtare kur të mësojmë më shumë dhe të kemi një pasqyrë më të qartë të karakteristikave të këtij varianti”.

”Ndërkohë, ne i këshillojmë njerëzit që t’i marrin të gjitha masat mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe të sillen në përputhje me udhëzimet e autoriteteve kombëtare”, ka thënë OBSH-ja.

Ndalimi i fluturimeve nga Mbretëria e Bashkuar

Vendet evropiane kanë vendosur ndalesa udhëtimi ndaj Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të përhapjes së variantit të ri të koronavirusit.

Irlanda, Gjermania, Franca, Italia, Holanda dhe Belgjika i kanë ndërprerë fluturimet.

Masat variojnë dhe aktualisht janë afatshkurtra.

“Ka shumë pyetje rreth mutacionit të ri”, ka thënë kryeminitsri belg, Alexander de Croo.

Bashkimi Evropian pritet të diskutojë të hënën një përgjigje më të koordinuar./REL/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN