Në kontrast të fortë me Presidentin Donald Trump, qeverisja e të cilit filloi me një debat për madhësinë e turmave gjatë inaugurimit të tij, Presidenti i zgjedhur Joe Biden tha të premten se planifikon një ceremoni të zvogëluar për hir të sigurisë gjatë pandemisë.
Ish-nënpresidenti demokrat tha se ai pret të betohet në 20 janar në platformën që po ndërtohet në shkallët e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, por se dëshironte të shmangte turmat që zakonisht mblidhen në Shëtitoren Kombëtare dhe përgjatë bulevardit Pennsylvania Avenue për të parë ceremoninë dhe paradën.
“Ma merr mendja se me siguri nuk do të ketë një paradë gjigante inauguruese përgjatë Pennsylvania Avenue. Por mendimi im është se do të shihni shumë aktivitet virtual në mbarë shtetet amerikane, duke angazhuar edhe më shumë njerëz se më parë“, tha zoti Biden në qytetin e tij të lindjes në Uillmington, të shtetit Dellauer, ku po përgatit administratën e tij të re.
Administrata Trump mbahet mend për fillimet e saj në janar 2017 me zëdhënësin e atëhershëm Sean Spicer që përgënjeshtroi mediat për publikimin e fotove që tregonin turma shumë më të vogla se sa ishin mbledhur për betimin historik të Presidentit Barak Obama, si presidenti i parë i afrikano-amerikan i vendit, tetë vjet më parë.
Zoti Biden tha se stafi i tij po punon me të njëjtin ekip që përgatiti kryesisht në internet Konventën Kombëtare Demokrate të gushtit, për të planifikuar një ceremoni betimi që nuk rrit rreziqet e përshpejtimit të përhapjes së COVID-19 që ka arritur një rekord të ri në Shtetet e Bashkuara.
“Njerëzit duan të festojnë,” tha zoti Biden. “Njerëzit duan të jenë në gjendje të thonë se e kemi kaluar stafetën. Ne po vazhdojmë përpara. Demokracia ka funksionuar”.
Ceremonia zakonisht fillon me presidentin në largim dhe presidentin e zgjedhur që udhëtojnë së bashku nga Shtëpia e Bardhë për në selinë e Kongresit, Kapitolin. Pasi betohet presidenti i ri, ai përshkon sërish bulevardin Pennsylvania Avenue për të marrë detyrat e tij të reja, ndërsa ish-presidenti largohet, zakonisht me helikopter.
Presidenti Trump, i cili ka refuzuar të pranojë zgjedhjet, nuk ka thënë nëse do të marrë pjesë në ceremoni. Në vend të kësaj, sipas një burimi të njohur me diskutimet e brendshme të Shtëpisë së Bardhë, ai po shqyrton mundësinë e shpalljes atë ditë të synimit për të kandiduar përsëri në vitin 2024.
Pandemia ka vrarë më shumë se 273’000 njerëz në Shtetet e Bashkuara, dhe rastet e reja të infektimit dhe shtrimet në spital po rriten, ndërsa muajt e dimrit po afrohen./VOA