MENU
klinika

"Fama ka dhe anën e saj të errët..."

Corona dhe virologët gjermanë: Nga dashuria në urrejtje

14.12.2020 - 10:18

Virologët gjermanë u vunë në qendër të vëmendjes gjatë muajve të pandemisë. Por një shkallë kaq e madhe njohjeje, sjell me vete edhe urrejtje.

Që nga shpërthimi i pandemisë së Coronës në pranverën e këtij viti, miliona gjermanë e njohin emrin e Christian Drosten, kryevirologut të Charite në Berlin dhe përkohësisht edhe këshilltar i qeverisë gjermane. Edhe emra të tjerë profesorësh gjermanë janë bërë shumë të njohur për publikun duke hyrë në kujtesën kolektive: Hendrik Streeck, Alexander Kekulé, Sandra Ciesek dhe Marylyn Addo, për të përmendur disa prej tyre.

Por fama ka edhe anën e saj të errët. Gjithnjë e më shpesh shkencëtarët bëhen objekt fyerjesh e sulmesh në internet. Këtë javë u kthye në trend në twitter një hashtag #SterbenmitStreeck – që do thotë të vdesësh me Streeck, virologun gjerman. Në një emision virologu i njohur gjerman tha, se ai e sheh si të pakuptimtë të flasë për shifrat e të vdekurve në lidhje me virusin Corona. Për shumë përdorues të twitterit kjo fjali tingëlloi mjaft cinike. Streeck u shpreh mjaft i shokuar pas këtij reagimi në mediat sociale.

Kushdo që del në publik duhet të përgatitet edhe për kritika, thotë psikologja dhe autorja Pia Lamberty, profesore e Universitetit, Johannes-Gutenberg për DW. Por hashtgatun për virologun Streeck ajo e cilësoi si „pa shije ».

Corona e bëri Drosten yll mediatik

Por më shpesh në qendër të kritikave vihet virologu gjerman, Christian Drosten. Si një nga ekspertët më të vlerësuar në fushën e tij, me një podcast të prodhuar për televizionin NDR, Drosten u bë i njohur në të gjithë Gjermaninë, dhe gati u kthye në figurë kult. Ekspertja, Pia Lamberty flet për një „mbilartësim” dhe një „imazh super-heroi”.

Drosten u bë kaq i njohur, sepse ai për një kohë këshilloi edhe kancelaren Merkel gjatë pandemisë. Në rolin si këshilltar i politikës, ai dhe virologë të tjerë vendosen në shënjestër të kritikave e sulmeve. Mjaft i njohur u bë rasti i „Bild” që publikoi një artikull: „Metoda të dyshimta: Studimi i Drosten për fëmijët infektues me gabime të rënda.” Gazeta jo drejtpërdrejt akuzoi Drosten për një axhendë të fshehtë dhe metoda jo shkencore. Drosten më pas publikoi në twitter kërkesën e „Bild”, që i linte vetëm një orë kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve. Më vonë Këshilli Gjerman i Etikës së Shtypit publikoi një qortim zyrtar për gazetën për „disa shkelje të rënda të detyrimit gazetaresk për kujdes e saktësi.” Kurse në fund të gushtit në një pllakat të demonstruesve kundër masave kufizuese të Coronës paraqitej politikani socialdemokrat dhe ekspert i shëndetësisë, Karl Lauterbach në veshje të burgosuri. Virologët janë kthyer në imazhin e armikut për teoricienët konspirativë dhe skenën e „mendimtarëve lateralë (Queerdenker”, kritikë të masave të Coronës.

Për shkak të rritjes së rëndësisë të virologëve, ata perceptohen si shumë të fuqishëm, si palë e „atyre atje lart”. Sulmet kundër lirisë së shkencës janë shumë shqetësuese, sepse ajo është një nga shtyllat e rëndësishme të demokracisë, kritikojnë ekspertët.

Shpifje dhe kërcënime për vrasje

Sidomos në internet vihet re një rritje e gjuhës së urrejtjes, thotë Katja Schrickel nga grupimi #ichbinhier, iniciativa më e madhe gjermane kundër gjuhës urrejtjes në mediat sociale dhe komunikimit konstruktiv në internet. Kufiri i vetëpërmbajtjes në mediat sociale është ulur së tepërmi, sepse për një kohë të gjatë „përleshja” digjitale u tolerua nga politika, është e mendimit Schrickel. Ajo kritikon që edhe paraqitja në mediat sociale e disa mediave moderohet pak ose shumë pak. Kjo krijon mundësi për gjuhën e urrejtjes, thotë Schrickel.

Sipas Pia Lamberty nuk ka të dhëna studimore për përmasat e gjuhës së urrejtjes dhe mobingut në internet për shkencëtarët. Por problemi është mjaft i dukshëm. „Mjafton të shohësh një tweet që poston Christian Drosten dhe e shikon se si sulmohet.”

Drosten, por edhe politikani socialdemokrat, Lauterbach, si ekspertë të Coronës kanë marrë edhe kërcënime për vrasje. Në fillim të prillit, Drosten madje mendoi të tërhiqej plotësisht nga dalja në publik. Në një intervistë për Deutschlandfunk, ai tha se del nga „shtëpia ashtu që të mos njihet që në vështrimin e parë.” Ai është shprehur, se është sulmuar edhe në publik. „Nëse e ke përjetuar këtë, ndjehesh fillimisht i pasigurtë.”

Në një kohë që virologët gjermanë gëzojnë një emër të mirë. Drosten për shembull është i njohur në shkallë ndërkombëtare pasi në vitin 2003 ndihmoi që të deshifrohej virusi SARS dhe me kolegët e tij në Charite ai zhvilloi testin e parë të Coronës.

Mbrotje për virologët në krizën e Coronës?

„Unë e vlerësoj shumë që virologët iu drejtuan publikut dhe u përpoqën të bindnin shoqërinë”, thotë Katja Schrickel. Edhe Pia Lamberty mendon, se duhet të jemi „shumë mirënjohës” për punën sqaruese të tyre gjatë pandemisë. Për të është shqetësuese që shkencëtarë të rinj kanë frikë të shprehen publikisht nga pasojat. „Shkenca ka edhe detyrën që të komunikojë me publikun. Dhe ky kufizohet pastaj, kur të duhet të vrasësh mendjen për sigurinë tënde.”

Katja Schrickel thotë, se është shokuese, se me sa shumë urrejtje përballen shkencëtarët këto kohë. Me fyerjen e politikanëve njerëzit janë mësuar, por jo me këtë mënyrë veprimi ndaj shkencëtarëve. Akoma më keq, sipas Schrickel, është kur, zemërimi shpesh nuk ka të bëjë aspak „me disiplinën shkencore”, por thjesht lidhet me „poshtërimin personal”. Por sipas iniciativës #ichbinhier, problemi i gjuhës së urrejtjes në internet „nuk është i veçuar”, dhe nuk prek vetëm shkencëtarët. „Në varësi të temës polemizuese, ajo mund të prekë këdo”, thotë Katja Schrickel./DW

Top Channel

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!