Pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dërgoi sot në Parlament listën e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim, e cila ka përshëndetur këtë proces.
Përmes një shkrimi në twitter, Kim shkruan se sapo presidenca të emërojë gjyqtarin e saj, Gjykata Kushtetuese do jetë funksionale. Më tej Kim i falenderon të gjithë për ndërmarrjen e masave urgjente.
Ky vendim i KED për të miratuar listën finale vjen pas ultimatumit të dhënë nga ambasadorët, konkretisht nga ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim e cila ka përsëritur thirrjet për të bërë funksionale brenda këtij viti Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ka theksuar se nuk duhet të pritet derisa BE të marrë një vendim.
Postimi i plotë:
“Sot, KED përfundoi vlerësimin dhe i dërgoi Parlamentit listën e kandidatëve të kualifikuar për Gjykatën Kushtetuese.Kjo do të thotë që Shqipëria do të ketë këtë javë një nga dy gjyqtarët e nevojshëm për një gjykatë funksionale. Sapo Presidenca të emërojë gjyqtarin e saj, Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale. Faleminderit të gjithëve për ndërmarrjen e masave urgjente”.