Një zëdhënës i projektit të gazsjellësit Nord Stream 2 ka bërë të ditur, se sipas planit punimet kanë vazhduar. Ditët e mëparshme kishte pasur shenja për rifillimin e punimeve.
Sipas të dhënave të konsorciumit të gazsjellësit për përfundimin e tij kanë mbetur vetëm 6% e punimeve dhe bëhet fjalë për një gjatësi prej 120 km në ujërat gjermane dhe daneze. Nord Stream 2 do duhet të sjellë gaz nga Rusia në Gjermani, dhe është një projekt veçanërisht i kontestuar në Europën Lindore. Këto vende e kundërshtojnë projektin nga frika e dobësimit të gazsjellësve të tjerë dhe shteteve tradicionalisht transit të gazit, si Ukraina.
Qeveria e SHBA e refuzon hapur ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2. Sipas Uashingtonit, Europa bëhet shumë e varur nga gazi rus. Në të njëjtën kohë vetë SHBA dëshiron të shesë gaz në Europë. Në fund të vitit 2019 punimet u ndalën, pasi SHBA vendosi sanksione. Të dyja anijet zvicerane që merreshin me vendosjen e tubacioneve u tërhoqën nga punimet.
Kërcënime për sanksione ka pasur edhe kundër portit gjerman Sassnitz-Mukran në Rügen, ku ruhen tubacionet e gazsjellësit. Pas lajmit për rifillimin e punimeve vlera e aksioneve të koncernit energjitik rus, Gazprom u rrit me 3,5%. Gazprom është pjesë e një konsorciumi ndërkombëtar të projektit Nord Stream 2./ DW