Pas dekretimit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta të anëtarit të gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, i cili e konsideron “një gur kilometrazhi në rrugën drejt konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri.”
Ambasadori gjerman shprehet se një gjykatë kushtetuese funksionale është kolonë qendrore në ekulibrin institucional dhe ndarjen e pushteteve në vend.
Zingraf kujton se tashmë është përmbushur një kusht qendror prej konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian në mars 2020 për zhvillimin e konferencës së parë të anëtarësimit.
Reagimi i plotë:
Zgjedhja e sotme e z. Përparim Kalo si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese është një gur kilometrazhi në rrugën drejt konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Falenderimi im shkon për të gjitha institucionet, që ditët e fundit bashkëpunuan në mënyrë konstruktive në interes të kësaj çështjeje. Një gjykatë kushtetuese funksionale është kolonë qendrore në ekulibrin institucional dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri. Gëzohem që në këtë mënyrë është përmbushur një kusht qendror prej konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian në mars 2020 për zhvillimin e konferencës së parë të anëtarësimit.
Nga ana tjetër, Ambasadori i BE, Luigi Soreca e konsideron arritje të konsiderueshme dekretimin e anëtarit të 6-të të Gjykatës Kushtetuese që e bën këtë institucion funksional pas 3 vitesh.
Soreca thotë se nesër Përparim Kalo betohet në Presidencë, teksa thekson se me funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese Shqipëria hedh hapin kryesor në plotësimin e kushteve për tryezën e parë ndërqeveritare me BE.
STATUSI NGA LUIGI SORECA
Sot Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Përparim Kalo si Anëtari i 6-të i Gjykatës Kushtetuese. Z. Kalo do të betohet nesër nga Presidenti. Ky vendim shumë i rëndësishëm siguron tani funksionalitetin e plotë të Gjykatës.
Ne e përgëzojmë Presidentin, Parlamenti, KED dhe Institucionet e tjera për të dhënë një rezultat kaq të rëndësishëm, i cili është një arritje e konsiderueshme për Shqipërinë, qytetarët e saj dhe për reformën e drejtësisë. Ai gjithashtu përfaqëson një hap kryesor për të kompletuar listën e kushteve të nevojshme për të filluar së pari tryezën e parë ndërqeveritare për bisedimet e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë.