Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu paralajmëroi sot masa të reja për vendin në fundvit, për të frenuar përhapjen e Covid-19, sidomos për shkak të festave.
“Rekomandimet dhe të gjitha masat e mëtejshme që ne do marrim do bëhen me dije për të gjithë qytetarët sa i përket strategjisë qoftë dhe për festat e fundvitit, kufizimi i kontakteve është shumë i rëndësishëm, le të festojmë në familje këtë vit”, tha ajo.
Pritet që masat e reja të bëhen me dije në mbledhjen e kësaj jave të komitetit Teknik të Ekspertëve.
“E rëndësishme tani të jemi sa më shumë vigjilentë e të impenjuar për të ruajtur masat e nevojshme për t’i pasur gjatë dhe pas festave, distancimi, maska dhe higjiena”, tha Manastirliu.
Deklarata e ministres Manastirliu u bë nga Qendra Shëndetësore nr. 9 në Tiranë, e cila është një nga 6 qendrat shëndetësore, ku ka nisur nga sot në kryeqytet testimi i shpejtë.
Qendrat e tjera shëndetësore ku kryhet testimi i shpejtë janë qendra shëndetësore numër 1, ajo në Kombinat, tek Qyteti Studenti, në Kodër Kamzë dhe qendra shëndetësore nr 4.
Të gjithë mjekët e familjes do të referojnë për testim në qendrën që tashmë kanë të përcaktuar. Është mjeku i familjes, i cili, nëpërmjet sistemit të referimit elektronik, e referon qytetarin për rapid test në fashat orare nga 10:00-16:00, nga e hëna në të shtunë. Dhe pacienti paraqitet në pikën e testimit në ditën dhe orën e caktuar, ndërsa përgjigjen e merr sërish nga mjeku i familjes.