Mjeku Ilir Alimehmeti, duke folur për uljen e rasteve pozitive me Covid-19 gjatë ditëve të fundit, është shprehur se në disa zona në Tiranë, imuniteti i tufës është në arritje e sipër.
“Duket se në disa grupmosha të caktuara dhe në disa zona të caktuara, imuniteti i tufës është në arritje e sipër. Përgjithësisht, janë mosha të reja dhe disa zona të caktuara në Tiranë. Automatikisht, kjo sjell edhe ulje të rasteve të reja. Megjithatë, nuk e dimë nëse kjo është e vërtetë, pasi nuk ka një studim në Shqipëri, por duhet bërë patjetër. E dyta, shohim rënie drastike të pozitivitetit të testimeve”, tha Alimehmeti në A2.
Mjeku, u shpreh dhe për variantin e ri të Covid që është përhapur në Britani. Sipas tij, duke qenë se nuk ka persona që të jenë riinfektuar, tregon se varianti i ri nuk ka shumë ndryshim nga Covid-19 aktual.
“Skuadrat angleze janë goxha të forta në këtë hetim që po bëjnë. Megjithatë, ne i bazohemi vëzhgimeve. Fakti është se ka nisur atje në shtator dhe tashmë jemi në dhjetor dhe kjo është shqetësuese. Nuk ka pasur klinikë më të keqe, nuk pati vdekshmëri më të madhe. Pas njoftimit u mbyllën shtetet, por me vonesë. Komunikimi është pikë shumë kyçe.
Varianti nuk bën ndonjë çudi. Aktualisht, po studiohet nëse vaksina do të jetë efektive ndaj këtij varianti. Deri në këtë moment, nuk kemi riinfektime me variantin e ri të personave që e kanë kaluar koronavirusin dhe kjo tregon se nuk kanë shumë ndryshim”, tha mjeku Ilir Alimehmeti.