Nga Susan Dabbous, euronews
Një vit më parë, Bashkimi Europian e dinte që koronavirusi po qarkullonte në Kinë, por e nënvlerësoi pasi besonte se rreziku që vinte nga virusi ishte i ulët.
Por në pak muaj, në fillim të vitit 2020, virusi u përhap në Europë dhe goditi veriun e Italisë, një nga vendet më të prekura. Mijëra shtrime në spital çdo ditë, qindra viktima: sistemi shëndetësor i Lombardisë kaloi në kolaps dhe shumë mjekë u infektuan.
Italianët u zhgënjyen nga mungesa e solidaritetit europian. Sipas presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, shumë prej nesh nuk e kuptuan se çfarë po ndodhte me Italinë në fillim.
Në fillim të pranverës së kaluar, virusi u përhap me shpejtësi në të gjithë Europën: njëri pas tjetrit, vendet mbyllën kufijtë e tyre.
“Në këtë kohë krize, kombet europiane kanë reaguar instinktivisht dhe e kanë mbrojtur veten nga kërcënimet e jashtme,” tha Matina Stevis-Gridneff, korrespodente e Brukselit për New York Times.
Por korrikun e kaluar, u vendos zgjedhja më revolucionare në historinë europiane, njëzet e shtatë vendet e BE-së miratuan Fondin e Rimëkëmbjes Ekonomike prej 750 miliardë eurosh.
Vala e dytë në vjeshtë goditi Europën Qendrore dhe Lindore më shumë se e para. Mesatarisht, brenda BE-së, në vjeshtë, një qytetar europian vdiste çdo 17 sekonda.
Por fatmirësisht vaksinat e shumëpritura treguan efektivitet duke ringjallur shpresën te njerëzit. Komisioni ka blerë qindra miliona doza për të siguruar që të gjithë qytetarët europianë të vaksinohen.
2020 ishte një vit unik për mirë ose për keq, rreth 1.5 milion vdiqën në të gjithë botën, dhe në Europë u vendos një forcë e solidaritetit midis vendeve anëtare, të cilat deri më tani kanë treguar se po qëndrojnë të bashkuar në luftën kundër koronavirusit, fundi i së cilës nuk dihet se kur do të jetë.