Presidenti Ilir Meta dekretoi dje emërimin e Përparim Kalos si anëtarin më të ri të Gjykatës Kushtetuese, e cila që prej vitit 2018 doli jashtë funksionit për shkak të vetting-ut.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi miratoi dje në mesditë kandidaturat e Aleksandër Tomës dhe Përparim Kalos, për një prej vakancave të Gjykatës Kushtetuese që duhet të plotësohet nga Presidenti i Republikës.
Ndërkohë, brenda pak orësh kreu i shtetit mori në shqyrtim dokumentacionin e vënë në dispozicion nga KED-ja dhe emëroi Kalon si anëtar të 6-të të Gjykatës Kushtetuese. Sipas sistemit të vlerësimit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Përparim Kalo ishte vlerësuar me 90.29 pikë kundrejt 75.57 pikëve që kishte kandidati tjetër, Aleksandër Toma.
“Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimin nr. 59, datë 23.12.2020, ka vendosur miratimin e listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, e rishpallur në datën 27.09.2019 dhe e rishpallur për herë të tretë në datën 24.09.2020, me renditjen e kandidatëve si më poshtë: Përparim Kalo – 90.29 pikë, Aleksandër Toma – 75.57 pikë.
Presidenti Meta, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes, vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, si dhe duke vlerësuar njëkohësisht nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese, pa asnjë vonesë, me Dekretin nr. 11882, datë 23.12.2020, ka vendosur që: Zoti Përparim Kalo emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese”, thuhej në njoftimin e Presidentit. Me anëtarin e ri të emëruar dje, Gjykata Kushtetuese arrin kuorumin minimal të nevojshëm për të funksionuar.
Aktualisht organi më i lartë gjyqësorë ka 6 anëtarë, nga 9 që duhet të kishte normalisht. Vitore Tusha është me kompetencat e kryetarit të Gjykatës, Elsa Toska, anëtare, Marsida Xhaferllari, anëtare, Fiona Papajorgji, anëtare. Altin Binaj u emërua vetëm pak ditë më parë nga Parlamenti dhe i fundit Përparim Kalo nga presidenti.
Ndërkohë që pritet të emërohet edhe një gjyqtar nga radhët e vakancës së Presidentit dhe 3 nga Gjykata e Lartë, e cila edhe kjo e fundit është jashtë funksionit. Nëse edhe Presidenti dhe Gjykata e Lartë ezauron emërimet, atëherë gjyqtarja me kompetencat e kryetares, Vitore Tusha, largohet pasi i ka mbaruar mandati dhe aktualisht është e komanduar.
6 anetarët e Gjykates Kushtetuese
Vitore Tusha
Elsa Toska
Fiona Papajorgji
Marsida Xhaferllari
Altin Binaj
Përparim Kalo
Sonila Bejtja, një hap larg për t’u bërë anëtarja e 7-të e Kushtetueses
Sonila Bejtja duket se është një hap larg për t’u emëruar si anëtarja e 7-të e Gjykatës Kushtetuese. Në tetor ajo mori konfirmimin nga KED-ja për të vijuar garën për vakancën e radhës të shpallur nga Presidenti dhe për t’ju nënshtruar sistemit të pikëzimit. Ndërkohë, dje në mbrëmje Këshilli i Emërimeve bëri të ditur se kandidatja Zhaklina Peto ishte tërhequr nga gara në momentet e fundit. Zonja Peto u skualifikua dy herë nga KED-ja, por të dyja herët, ajo u rikthye me vendime të Gjykatës Administrative. Dje Këshilli i Emërimeve kishte në rend të ditës dhe vlerësimin e kandidaturës së saj. Tanimë duket se KED-së i ka mbetur vetëm që të përmbyllë procesin për kandidaten e vetme të mbetur në garë, Sonila Bejten, dhe t’ia dërgojë atë Presidentit. Me gjasë pritet që kjo të ndodhë në ditët e ardhshme.