Në kulmin e pandemisë së Coronës, merr fund presidenca gjermane e BE-së me një samit që dihet, që tani, se do të lerë shumë pyetje të hapura. Të paktën ka shpresë për zgjidhjen e krizës së buxhetit.
Presidenca gjermane e BE në këtë gjashtëmujor nuk u zhvillua ashtu si e kishin menduar gjermanët, me buxhetin e BE dhe fondet e Coronës ka vetëm një rezultat që bie në sy. Këtë e theksoi edhe kancelarja Merkel para fillimit të samitit të BE të enjten (10.12.) në Bruksel.
“Shumë gjëra nuk u zbatuan, dhe kjo është për të ardhur keq”, tha Merkel në Bundestag të mërkurën.
Samiti i fundit i BE do duhej të ishte kurorëzimi madhështor i presidencës së dytë të BE të drejtuar nga Merkeli që ndodhet para fundit të karrierës së saj politike.
Por pandemia e Coronës, britanikët, kriza që shkaktuan Hungaria dhe Polonia e ndryshuan situatën. Problemet e pazgjidhura, që krerët e shteteve dhe qeverive do duhej t’i zgjidhnin në takime të drejtpërdrejta u bënë mal deri në minutën e fundit.
Shteti ligjor dhe buxheti
Hungaria dhe Polonia, dy vende, ku sipas Komisionit të BE është i rrezikuar seriozisht shteti ligjor, luajtën poker deri në minutën e fundit. Për të penguar verifikimin e ligjshmërisë para dhënies së mjeteve fianciare nga buxheti i BE, ato vunë veton për të gjithë buxhetin 7 vjeçar të BE që ka një vëllim afër 1,1 bilionë euro.
Kryeministri Orban pretendon, se bëhet fjalë për mbrojtjen e pavarësisë së Hungarisë, dhe BE po sillet si Bashkimi Sovjetik për të nënshtruar shtetet. Veç Polonisë, asnjë nga vendet e tjera nuk mund ta kuptonte këtë argumentim dhe ato këmbëngulën në ruajtjen e mekanizmit të verifikimit të shtetit ligjor. Hungaria dhe Polonia bllokuan edhe fondin e rimëkëmbjes së Coronës prej 750 miliardë eurosh, që nevojitet urgjentisht, për të mbështetur koniunkturën në BE pas pandemisë.
Në fund ambasadori gjerman në BE, Michael Clauss negocioi me kolegët e tij hungarezë dhe polakë një deklaratë shtojcë për mekanizimin e shtetit ligjor, që i le hapësirë shqetësimit të të dyja shteteve. Kjo shtojcë parashikon hapa shtesë dhe ndërhyrjen e Gjykatës Europiane, kur duhet vepruar vërtet kundër një shteti anëtar.
Propozimi u arrit një natë para samitit dhe do duhet të vuloset të enjten, gjë që do të mundësonte hyrjen në fuqi të buxhetit më 1 janar, sipas planifikimit. Ish-kreu i Këshillit të BE, kristiandemokrati, Donald Tusk e mirëpriti faktin që këto dy vende nuk patën sukses në Bruksel me “presionin” e tyre.
Turqia
Edhe në konfliktin tjetër, marrëdhënien e tensionuar të BE me Turqinë nuk ka zgjidhje.
“Presidenti Erdogan nuk është i gatshëm për dialog”, u shpreh ministri gjerman për Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth.
Kancelarja Merkel u shpreh e zhgënjyer, që Erdogan në këto tre muaj të fundit nuk ishte i gatshëm të fliste me Greqinë dhe Qipron për konfliktin e rezervave të gazit në Mesdhe. Presidenca gjermane propozon tanimë, që të vendosen sanksione kundër disa qytetarëve turq dhe sipërmarrjeve, që marrin pjesë në shfrytëzimin e gazit në Mesdhe. Presidenti Erdogan ndërkohë u shpreh, se nuk i trembet sanksioneve të BE. Disa vende, me në krye Austrinë duan edhe ndërprerjen e negociatave të anëtarësimit të Turqisë me BE.
Klima
Në tryezën e pjesëmarrësve në samitin e BE të enjten dhe të premten qëndron propozimi për objektivat e klimës të vitit 2030. Emetimi i gazrave ndotës të dioksidit të karbonit duhet të ulet me 55% krahasuar me vitin 1990. Në vitin 2050 BE kërkon të jetë neutrale ndaj klimës. Por Polonia e varur nga energjia e qymyrit është skeptike. Nuk dihet, nëse kryeministri polak në samitin e BE do të vendosë veton për objektivin e klimës. Nga qarqe të Këshillit të BE mësohet, se disa vende duan më shumë shpjegime, se çfarë do të thotë objektivi i klimës për ekonomitë e tyre. Që në fund të fundit do të rezultojë tek ajo që vendet do duan më shumë subvencionime nga BE për transformimin e sektorit energjitik.
Brexit
Krerët e shteteve dhe qeverive të BE informohen në samit nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyenpër stadin e negociatave për një marrëveshje me Britaninë e Madhe në kuadër të Brexit. “Nuk është planifikuar ndonjë debat”, bëri të ditur kreu i Këshillit të BE, Charles Michel.
Edhe në një problematikë tjetër të vjetër BE nuk ka shënuar hapa përpara në këtë gjashtëmujor të presidencës gjermane. Vërtet që KE ka propozuar rregullore të tjera për procedurat e azilit dhe shpërndarjen e refugjatëve, por vendet anëtare, megjithë kërkesën e ministrit gjerman të Punëve të Brendshme, Horst Seehofer, as nuk i kanë diskutuar këto propozime të Komisionit Europian para samitit. Edhe në këtë çështje vendet frenuese janë Polonia, Hungaria dhe vende të tjera europianolindore. Konferenca e madhe e kumtuar me tone të larta “Konferencë për të Ardhmen e Europës” nuk u zhvillua për shkak të pandemisë.
Por vendet anëtare të BE priten të kenë një qëndrim në lidhje me SHBA. Të gjithë duan një fillim të ri në me aleatin më të rëndësishëm pas humbjes së presidentit Trump. Tregtia dhe partneriteti i sigurisë do duhet të rishikohen edhe njëherë nën presidentin, Joe Biden. Por sa e pavarur do të jetë Europa kundrejt SHBA? Këtu qëndrimet ndahen. Presidenti Macron kërkon një pavarësi më të gjerë të Europës, një “Europë sovrane”. Gjermania, Polonia dhe vende të tjera duan të qëndrojnë një shkallë më poshtë. Pa SHBA, sipas ministres gjermane të Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, nuk mund të sigurohet mbrojtja e BE përballë Rusisë.DW