Violinsti i njohur shqiptar Shkëlzen Doli, ka uruar të gjithë shqiptarët Vitin e Ri 2021, përmes faqes së tij zyrtare në “Facebook”./Konica.al
Doli uron në mënyrë të veçantë, nga Koncerti i Vitit të Ri në Vjenë.
Ai shprehet se koncerti në këtë sallë prestigjoze, do të jetë sfida më e vështirë e jetës së tij, duke shtuar se uron që koncerti të depërtojë thellë në zemrat e teleshikuesve.
Më poshtë, urimi i artistit:
Të nderuar miq dhe artdashës!
Ju përshëndes nga ky ambient i bukur, nga ku për çdo vit depërtojnë tinguj magjepsës nga koncerti më prominent i muzikës klasike në mbarë botën – Koncerti i Vitit të Ri në Vjenë.
Nga ky ambient impozant, ku për herë të parë në histori, muzika e kompozitorëve të njohur vjenezë do të luhet pa publikun dhe pa duartrokitjet LIVE në sallë. Do të jetë me pa dyshim, koncerti më i vështirë i jetës sime, ku nuk do të cirkulojë nga afër energjia dhe emocionet e publikut së bashku me artistët!
Megjithatë, uroj që ky koncert të depërtojë thellë në zemrat e të gjithë teleshikuesve, duke ndezur optimizëm dhe duke përçuar një ndjenjë shprese për të ardhmen, në një botë pa pandemi.
Gëzuar 2021!
I Juaji
Shkëlzeni
Shkёlzen Doli lindi më 9 gusht 1971 në Elbasan (Shqipëri), mësimet e para për violinë filloi t’i marrë në moshën 9-vjeçare në qytetin që u rrit, Gjakovë (Kosovë). Fitorja e disa çmimeve në konkurset rajonale bëri që në vitin 1986, të merrte një ftesë për t’u regjistruar në Gjimnazin e Muzikës të Novi Sadit, institucioni më i shquar i këtij lloji në ish-Jugosllavi.
Aty ai ishte nxënës i pedagogëve hungarezë, Imre Jambor dhe Csaba Szima.
Në moshën 17-vjeçare fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Muzikës për të rinjtë në ish-Jugosllavi dhe pas kësaj, u regjistrua në klasën e “Ewgenia Tschugaeva”-s në Akademinë Muzikore të Novi Sadit.
Më 1995, karriera e Shkëlzen Dolit si muzikant, shënoi një sukses të ri shumë të rëndësishëm: ai filloi të luante në Orkestrën Filarmonike të Vjenës. Njëkohësisht vazhdonte studimet në Universitetin për Muzikë dhe Arte Figurative të Vjenës.
Prej atëherë, stili dhe ngjyra tingullore e Filarmonisë së Vjenës kanë qenë vendimtare për të si violinist.
Pjesëmarrja në ansamble të ndryshme filarmonike të muzikës së dhomës, si p. sh. te “Toyota Master Players”, “Virtuozët Vjenezë” dhe Rene Staars “Ensemble Wiener Collage”, “The Philharmonics”, e ndihmoi Dolin, të zinte një vend të përhershëm dhe të suksesshëm në skenën muzikore vjeneze. Ka qenë në shumë turne, si solist dhe anëtar i grupeve të muzikës së dhomës në shtete të ndryshme evropiane, në Amerikën Veriore, Afrikë, Izrael dhe Japoni. Ai bën pjesë edhe në një grup të sapo riformuar të muzikës së dhomës, në ansamblin “Philharmonisches Ensemble – Wien”